LAJMI I FUNDIT:

Deputeti Sadri Ferati më 7 gusht del para Gjykatës së EULEX-it

Deputeti Sadri Ferati më 7 gusht del para Gjykatës së EULEX-it

Kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, në vitin 2006 sa ishte pjesëtar i TMK-së e kishte ngritur një padi ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Komunës së Mitrovicës, Sadri Feratit dhe Zymer Halimit, ish-komandant në Zonën IV të TMK-së e cila përfshinte Mitrovicën, për shkak të mosdhënies së një banese në objektin e banimit kolektiv pronë e komunës.

Për rreth 3 vite kjo lëndë kishte mbetur e patrajtuar, ku tek në vitin 2009 Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë kishte përgatitur aktakuzën ndaj tashmë deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Sadri Feratit dhe Zymer Halimit, të cilët ishin akuzuar për veprën penale shpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, për këtë lëndë nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri në vitin 2014, kur EULEX-i e merr për shqyrtim për shkak të neglizhencës së treguar për 8 vite nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.


Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bajramcurr Hasani, në një prononcim për Veriu.info ka thënë se kjo lëndë është marrë në kompetencë nga gjyqtarët e EULEX-it.

“Lënda e z.Sadri Ferati nga data: 02.05. 2014 është marrë në kompetencë të gjyqtarëve të EULEX-it, dhe e njëjta nuk është parashkruar, por është caktuar gjykimi”, ka thënë zëdhënësi Hasani.

Besa Domi, zëdhënëse e EULEX-it, për Veriu.info ka konfirmuar se lënda është marrë në trajtim nga ky mision. “Seanca e parë për këtë rast është caktuar të mbahet më 7 Gusht 2015”, ka thënë shkurt Domi.

Në anën tjetër, kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka treguar për Veriu.info se në vitin 2006 sa ishte person privat, e ka ushtruar një kallëzim ndaj Sadri Feratit dhe Zymer Halimit për shkak të padrejtësisë që ka konsideruar se ju ka bërë me rastin e ndarjes së banesave. Ai ka thënë se qëndron ende prapa padisë së bërë.

“Do të jem pjesë aktive e procesit, edhe pse në seancën e parë nuk është e domosdoshme të jem, si dhe do të këmbënguli se këta dy zyrtar kanë bërë shkelje ligjore”, ka thënë Preteni.

Veriu.info ka kontaktuar me Sadri Ferati, por ai me shpërfillje ka thënë se nuk është i informuar për këtë seancë gjyqësore.