LAJMI I FUNDIT:

Depozitat, vetëm 4% e shqiptarëve “të pasur”

Depozitat, vetëm 4% e shqiptarëve “të pasur”

Rreth 1.5 milion shqiptarë kanë kursime bankare në sistem, por vetëm 4% e tyre përbejnë 55 % të shumës totale të depozitave në vend. Kjo shifër tregon se pasuria në vendin tonë është e përqendruar në duart e pak individëve, ndërsa pabarazia që prodhohet mbetet e lartë.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në raportin e saj vjetor dorëzuar në Kuvend, jep të dhëna se kursimet e 96 % të shqiptarëve arrijnë deri në 2.5 milion lekë, ndërsa pjesa e mbetur e kalon këtë kufi. Sa i përket shumës së depozitave, pjesa më e madhe shqiptarëve arrijnë të zotërojnë vetëm 45 % të totalit.

Sipas të dhënave të raportit, pjesa më e madhe e depozitave janë në lekë dhe pak në valutat e huaja, euro dhe dollarë. Por, këto janë vetëm të dhënat mbi pasurinë e shqiptarëve në vlerë monetare dhe të deklaruar në sistemin bankar. Për tu theksuar janë pasuritë e patundshme apo edhe ato vlera monetare, të cilat nuk janë pjesë e sistemit bankar, çka e thellojnë edhe më shumë hendekun mes të varfërve dhe të pasurve, raportoi Vizion Plus./Telegrafi/