LAJMI I FUNDIT:

Çohu: Akuzat po e dëmtojnë PTK-në

Çohu: Akuzat po e dëmtojnë PTK-në

Ngritja e disa aktakuzave nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së Shyqyri Haxha dhe disa personave të tjerë konfirmon se procesi i dëmtimit të vlerës së kompanisë më fitimprurëse, PTK-së, është sistematik dhe i përkrahur nga qeveria për arsye klienteliste tha drejtuesi i organizatës Çohu Avni Zogiani.

Zogiani tha të premten gjatë një konference për media se kontrata e nënshkruar me Dradafon.net, për të cilën janë ngritur aktakuza, është përgatitur, mbrojtur dhe imponuar nga Qeveria e Kosovës, kurse të akuzuarit janë thjeshtë vetëm zbatuesit e kësaj kontrate.

Kontrata me Dardafon.net, është nënshkruar përkundër faktit që një vlerësim i ekspertëve brenda PTK- së, e pat vlerësuar si shumë të dëmshme për vetë kompaninë publike. Megjithëkëtë qeveria e udhëhequr nga kryeministri Thaçi, e pat kushtëzuar zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të PTK- së, me nënshkrimin e kontratës me Dardafon.net.

Po ashtu, sipas tij, Bordi i tanishëm i PTK-së, mban një përgjegjësi, është i emëruar nga Qeveria Thaçi. “Duke parë tërë këto zhvillime, që krijojnë bazë për të dyshuar se në rastin e privatizimit të PTK -së , qeveria është kapur nga interesa private, ne ftojmë të gjithë deputetët e Kosovës që të ndalojnë këtë dëm të madh që po i shkaktohet ekonomisë së Kosovës dhe të ardhmes së vendit”, u shpreh Avni Zogiani. /Telegrafi/