LAJMI I FUNDIT:

Bashkëkohësimi i një përralle

Bashkëkohësimi i një përralle
Musa Ramadani (foto: Fahredin Spahija)

Nga: Musa Ramadani (analizë për shfaqjen Feniksi i shpejtë/A Phoenix Too Frequent e dramaturgut anglez Christopher Fry me regji të Besim Sahatçiut, 1974)

Autori bashkëkohës anglez, K. Frej, nuk na është i njohur sa duhet, ndonëse takimi me veprën e tij “Feniksi i shpejtë” mund të thuhet se na ofron mjaft elemente për njohjen e orientimin e tij letrar, e ç’është më me rëndësi – armën e tij të fuqishme – fjalën. Pra, gjithsesi mendojmë se takimi me të është një përjetim i këndshëm, madje edhe i plotë artistik.


Mbi dramën: Meqë miti ishte formë themelore e të menduarit të fiseve të lashta helene, për poetin, krijuesit artistikë përgjithësisht, miti është pasqyrë ideale e jetës së njeriut. Duke qenë edhe më vonë i përhapur tek, pothuaj, të gjithë popujt, begatia e madhe e miteve ka qenë dhe është burim i pashtershëm lënde për trajtime të reja artistike, prej të cilave shkrimtarët e mëdhenj kanë krijuar veprat e tyre madhështore. Kështu veproi edhe autori i “Feniksi i shpejtë”. Sipas mitit të lashtë helen, ai ndërtoi vetjet e Dinamenës, Dotos e Tegjeut, ku në epiqendër të vëmendjes spikatet drama e Dinamenës, që vajton bashkëshortin e vdekur, dhe duke i qëndruar mbi varr që një ditë edhe ajo t’i bashkohet Virilit që e deshi shumë, bie në dashuri të re me ushtarin Tegje, i cili ruan gjashtë kufomat e varura, dhe në momentin kur ushtarit i humb një kufomë, Dinamena gjen zgjidhjen të nxirret trupi i Virilit vetëm e vetëm të shpëtojë Tegjeu, sepse si thotë ajo: “unë e kam dashur jetën e tij e jo vdekjen dhe ja se kësaj vdekjeje mund t’i jap jetë” me se shthuret fabula e dramës në fjalë.

Të themi menjëherë, se teksti i Frejit është një filozofi e jetës, një poezi e fuqishme me figura e trope të panumërta që e sharmojnë cilindo shikues e lexues të rëndomtë e jo më aktorët tanë të cilët duhet të na e transmetojnë artistikisht fjalën dhe idenë e shkrimtarit. Kujtojmë, ndaj, se ka kohë që në skenën tonë nuk kemi pasur rastin ta përjetojmë bukurinë e një këso poezie që vepron përnjëherësh në ndjenja po dhe në mendime duke lënë padyshim gjurmët e veta fisnikëruese në shpirt. Na mahnit sidomos zgjedhja e problemit nga shkrimtari, cili me instrumentet me të përsosura artistike e ka bashkëkohësuar një mit, një përrallë, që duke pasur ndjenjë të hollë për kohën e hapësirën, tani më si realizim artistik e ka humbur statusin e përrallës.

Regjia: 

Edhe pse e sendërtuar në skenë të vogël (për të cilën ende kritikët e teatrologët diskutojnë se ku qëndron dallimi esencial mes skenës së zakonshme) kjo shfaqje nuk mund të merret si ndonjë eksperiment skenik, për çfarë, mbase, as regjisori Besim Sahatçiu nuk e ka vrarë fort mendjen në skicimin e veprimit të tij regjisorial. Ç’janë, atëherë, kërkesat e B. Sahatçiut në këtë shfaqje dhe me se ka të bëjë inskenimi i tij? I ngashënjyer dhe i sharmuar edhe vetë nga fjala e thellësia e mendimit të Frejit, Sahatçiu (i vetëdijshëm për cilësinë primare të kësaj drame) pothuaj kryekreje, me një tolerancë artistike, e ka përqendruar mendimin e tij prej regjisori në mundësitë që ofron teksti, shkrimtari. Pikësynimi i tij kryesor ka qenë të komunikojë me shikuesit përmes urës së çelnikët – fjalës; ta ngacmojë ajo shikuesin e madje edhe të bëhet pronë (brenda mundësive) jo vetëm gjatë kohës kur ai gjendet në teatër. Në masën më të madhe ai e ka realizuar këtë (ndonëse prova e fundit gjenerale na ka lënë përshtypje pakëz më të zbehtë, sepse vetë ngjarja dramatike kishte një tempo më të ngadalësuar ndonjëherë edhe, pothuaj, anemike), duke i liruar aktorët e rinj prej lëvizjeve të imta realiste e gjestikulimeve të panevojshme, duke udhëhequr rrëfimin dramaturgjik me maturi, duke luftuar me koshiencë statikën (që ka mundësi të kanoset në këso raste) dhe duke përcaktuar një mizanskenë ku aktorët do të komunikojnë lirisht me njëri-tjetrin, po edhe të lëvizin pa vështirësi. Pos në rastet më të nevojshme mjetet auditive e vizuale të shprehjes janë aktivizuar në masë minimale, që do të mund të mbulonin apo të zbehnin kontaktin e drejtpërdrejtë me shikuesin. Pra, kjo shfaqje do të jetë e afërt për publikun tonë heterogjen, ndonëse mënyra e interpretimit na duket se nuk është e liruar prej botëkuptimeve të teatrit të Aristotelit që kryekreje bazohet në përjetim, mbase edhe identifikim të plotë të aktorëve me personazhet, duke lëçitur mundësinë që t’i ofrojë shikuesit të japë aty mendimin e tij kritik. Regjisorit Besim Sahatçiut, megjithatë, na duhet t’ia zëmë për të madhe që në koncepcionin e tij i ka ndjekur verbalisht ngjarjet e dramës, duke eliminuar mundësinë që ta pasurojë edhe më mendimin e tij regjisorial. Edhe një gjë: varianti i po këtij miti marrë nga tregimtaria jonë popullore (që e foli Isa Qosja) që ishte menduar ta zëvendësojë prologun, na u duk e tepërt, pa ndonjë funksion të posaçëm, jo vetëm pse mund ta ulë tensionin e interesimit të mëtejmë ti shikuesit, po edhe pse ajo ishte marrë në tërësi dhe, kemi përshtypjen, zgjati shumë.

Interpretimi:

Treshi aktoresk Safete Rugova (Dinamena), Selim Ramadani (Tegjeu) dhe Ajshe Ramadani (Doto) si aktorë të rinj me një stazh të konsideruar skenik, padyshim se kësaj here janë ballafaquar me një detyrë të vështirë, ndoshta më të vështirën deri tani në dërrasat e teatrit. Që të tretë imponojnë me një disiplinë skenike, me përpjekje të pareshtur që t’i harmonizojnë lëvizjet me atë që e thonë, me gatishmëri që t’i “përgjigjen” në çastin e duhur dhe me një koordinim në lojë, duke mos u ngafisur e dalldisur plotësisht nga poezia e shkrimtarit që do të mund të ndikonte në disekuilibrimin e përgjithshëm. Një cilësi e dorës së parë, që mendojmë se ndoshta është edhe ajo cilësi e përgjithshme e kësaj shfaqjeje, është gjuha, të folurit e tyre skenik, që arrin nivelin e lakmuar dhe dëshmon për një kulturë gjuhësore e skenike. S’ka dyshim se ndër ta me diksion më të pastër e natyrshmëri në komunikim skenik, veçohet Selim Ramadani, fjala e të cilit disi më fuqishëm arrin deri te veshi po edhe shpirti i shikuesit.

Tegjeu i tij është simpatik si realizim (duke mos llogaritur cikërrimat dhe duke pasur parasysh konceptin regjisorial) dhe naiviteti i tij e sinqeriteti zgjerojnë shprehjen e duhur te ky aktor. Dinamena e Safete Rugova me Dinamenën pati punë më të vështirë me mjaft mundësi transformimesh, tek e cila identifikimi me rolin gjeti shprehje e jehonë më të madhe. Ky rol mendojmë se i fjeti plotësisht kësaj aktoreje (që rrallë po e shohim në skenë) dhe ajo në disa momente nuancoi me gjeturi gjendje të nduarta psikologjike. Për Ajshe Ramadanin mund të thuhet se ka hyrë në esencën e rolit të Dotos për të qitur në syprinë qëndrimin e saj ndaj jetës, që ndryshon nga ai i zonjës së saj Dinamenës zemërmirë. Dotoja e saj na u duk disi më e gjallë, më temperamente, më e lëvizshme që thyente disa gjendje të rënda psikologjike e letargjike, kështu që kësaj aktore të re nuk do t’ia falnim vetëm një dozë të tepruar pispillosjeje e gjestikulimesh në botën e saj djallëzore.

Skenografia e kostumet me një fjalë – funksionale, me shije, të stilizuara si kostume, me mundësi të të lëvizurit që, më në fund, në mënyrë edhe vizuale janë elementi më dominues në shërbim të idesë së shkrimtarit në bashkëkohësimin e një miti me dimension të prezentit kohor. /Armagedoni/

Në trend Kultura

Më shumë
PERËNDITË

PERËNDITË

Poezi
POETI

POETI

Poezi
Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra "Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia"

Kulture
Romët

Romët

Kulture
ATDHEU

ATDHEU

Poezi
BABAI, BIRI

BABAI, BIRI

Poezi
Kalo në kategori