LAJMI I FUNDIT:

Baftijari: Jam i sfiduar me “obligimin moral” që të kthehem dhe të jap kontribut në vendlindje

Baftijari: Jam i sfiduar me “obligimin moral” që të kthehem dhe të jap kontribut në vendlindje

Emri i tij si student i dalluar u bë i njohur që në kohën kur ishte student i juridikut në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij”, në fakultetin e drejtësisë “Justinijani i parë” në Shkup, ku përfundoi studimet me mesataren 10.00. Është ky Ilir Baftijari, i cili ka vendosur ta sfidoj veten tanimë në “Graduate Institute Geneva” ku aktualisht po vijon me studimet. Ai vjen në një rrëfim për portalin “Telegrafi Maqedoni” për të rrëfyer rrugën drejt suksesit!

Intervistoi: Valon Osmani


Si e vendose që të regjistrohesh në fakultetin e drejtësisë? Ishte synimi yt i kahmotshëm ose propozim nga të tjerët?
Juridiku më ka ardhur si një drejtim natyral për mua që nga mbarimi i shkollës fillore. Kështu, me regjistrimin tim në shkollën e mesme “Arseni Jovkov” në drejtimin juridik, vendimi im për të vazhduar të mësoj dhe të studioj juridikun dhe më tej veç më u konsolidua. Me mbarimin e shkollës së mesme, u regjistrova në Fakultetin juridik “Justinijani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ku atje i kreva studimet deridiplomike dhe postdiplomike – drejtimi E drejta dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e drejta e UE-së. Idetë e para që të vazhdoj me studime jashtë vendit më erdhën në fund të vitit të parë të studimeve deridiplomike, dhe kështu vendosa të punoj dhe të përgaditem për të aplikuar jashtë vendit. Pas 4 viteve ky synim i imi u realizua me pranimin tim në katër universitete të ndryshme botërore me renome të lartë ndërkombëtare.

Aktualisht po vijon studimet në “Graduate Institute Geneva”, na trego më shumë për këtë eksperiencë jashtë shtetit?
Graduate Institute of International and Development Studies në Gjenevë, i njohur shkurtimisht si The Graduate Institute Geneva ose me akronimin freng IHEID, është një institut me reputacion të lartë ndërkombëtar, i specializuar në studime ndërkombëtare dhe i cili ofron disa drejtime të ndryshme siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare, historia ndërkombëtare, ekonomia ndërkombëtare, antropologji dhe sociologji, studimet zhvillimore, si dhe e drejta ndërkombëtare. Ky institut e paraqet një bastion unik, atë të dijes ku mësimi për “të menduarit” rreth së drejtës ndërkombëtare është tepër i theksuar,për dallim nga studimi klasik siç e dimë ne. Aplikimi në këtë institut është shumë konkurrues, ngaqë nga mijëra aplikantë anë e mbanë botës pranohen vetëm dhjetëra student në secilin department. Për shembull; në departmanin e të drejtës ndërkombëtare jemi vetëm 33 student. Kjo nga ana tjetër, përshkak të numrit të vogël të studentëve, mundëson që përgjegjësia në formësimin tënd profesional të jetë më e madhe. Vet instituti kujdeset për mirëqenien tënde dhe të garanton mbështetje akademike dhe personale në çdo aspekt të jetës studentore. Padyshim se të studiuarit jashtë vendit paraqet një eksperiencë krejtësisht të re, duke filluar nga vet fakti i të jetuarit jashtë vendlindjes, pastaj krijimi i një shoqërie të re, aklimatizimi me ambientin jetësor, me sistemin studimor, me traditat e vendit, me mentalitetin e përgjithshëm e kështu me rradhë. Përvojat e reja mundësojnë gdhendjen e personalitetit tend (self-growth) dhe zgjerimin e botëkuptimit, e sidomos kur gjendesh në një rreth akademik aq diverz me njerëz nga të gjithë skajet e botës. Kështu, kjo ndihmon edhe në eliminimin e stereotipeve të cilët ndoshta gabimisht janë krijuar për një popull të caktuar, dhe pse jo edhe të bëhem shkak për eliminimin e stereotipeve të cilët ndoshta janë krijuar edhe për popullin tim shqiptar. Për më shumë, diverziteti i njerëzve rezulton në ngritjen e tolerancës, dhe vetëm me tolerancë mund të arrihet në njohje më ngushtë të popujve të ndryshëm!

Nuk është vetëm “Graduate Institute Geneva” që hapi dyert për ty, ti poashtu je pranuar dhe në tre universitete të tjera prestigjioze. Pse refuzove të tjerët dhe zgjodhe pikërisht atë të Gjenevës?
Është e vërtetë se krahas këtij instituti, jam pranuar edhe në Universitetin e Edinburgut (The University of Edinburgh), Universitetin mbretëror të Londrës (King’s College London) dhe në Universitetin e Mançesterit (Manchester University) për studime në vitin akademik 2019/2020. Vendimi im megjithatë, që të vazhdoj me studimet pikërisht në Gjenevë ngërthen në vete shumë analiza dhe kalkulime. Mirëpo edhe po të mos isha i sigurt se ku do doja të vazhdoj, rrethi im familjar, shoqëror e akademik do arrinte të më bind me faktin se pjesa dërmuese e tyre ishin pro Gjenevës! Sidoqoftë, do doja të shfrytëzoj rastin që të përmend dy prej faktorëve që kanë patur ndikim në vendimin tim: reputacioni i institutit bashkë me profilet e kuadrit akademik, si dhe fitimi i burses së plotë të cilën vet instituti e ofron për studentët që kanë treguar sukses të dalluar gjatë studimeve të tyre. Bursa e plotë në këtë rast nënkupton se pagesat semestriale dhe harxhimet e jetesës janë komplet të mbuluara.

Për kaq kohë sa po qëndron larg Maqedonisë, ke arritur të vëresh të përbashkëtat dhe dallimet në mënyrën e studimeve atje dhe në vendin tonë?
Sistemi edukativ zviceran dallon në shumë çështje nga ai maqedonas. Këtu student nuk vlerësohet vetëm nga rezultati i tij në provimin përfundimtar, mirëpo nga të gjitha aktivitetet me të cilët ai është i angazhuar. Mënyra e mbajtjes së provimeve gjithashtu ndryshon, ku studenti në ligjëratën e fundit merr pyetjet nga profesori, të cilët pyetje në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me aplikimin e ligjit relevant në ndonjë rast hipotetik si dhe aplikimin e logjikës për të dhënë përgjigjen e duhur (i ashtuquajtur “take-home exam”). Theks të veçantë është vendosur tek shkrimi i eseve për tu dhënë një hapësirë studentit të shpreh mendimet e tij rreth materialit studimor (“reaction/response papers”). Prezenca në ligjërata dhe në seminare është shumë e pëlqyeshme, madje në disa raste edhe obligative, ngase esenca e një institucioni edukativ qëndron mes të tjerash edhe në organizimin e ligjëratave. E fundja, çdokush mund të vetë arsimohet nëse ka qasje tek materiali i duhur! Prandaj është i gjithë ky potencim në vlerën e ligjëratave nga ana e institutit në të cilin studioj.

Si e sheh situatën në institucionet vendase të drejtësisë? A ka drejtësi në Maqedoni?
Do doja të jem optimist rreth ngjarjeve aktuale atje, mirëpo jam i mendimit se për shumë qytetarë shpresat e tyre kanë qenë të koncentruar tek dhënia e datës përfillimin e negociatave me BE-në. Tani që kjo na është refuzuar, ekziston mundësia reale për tu shfaqur një krizë e thellë institucionale dhe politike në vend. Duke mos patur tendenca të zhvilloj analizë politike në këtë rast, kisha thënë se kemi nevojë për një qeveri ekspertësh (edhe atë vetëm me ekspertë të jashtëm) që sado pak rrethanat poltike të marrin një kahje tjetër. Kjo medoemos nënkupton edhe reformimin e gjykatave, me një theks të veçantë dhe në rritjen e transparences në procesin e selektimit të gjykatësve dhe prokurorëve nga ana e Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve të Maqedonisë.

Pas mbarimit të studimeve, e ke menduar të kthehesh në Maqedoni apo do të ndërtosh karrierë jashtë?
Ende nuk e di, pasiqë sapo kam filluar me studimet. Gjeneva është një qytet tepër metropolitan dhe mundësitë për të ndërtuar karrierë këtu, e sidomos në sferën e së drejtës ndërkombëtare,janë shumë të larta. Mirëpo nga ana tjetër, jam i sfiduar me “obligimin moral”, që të kthehem dhe të jap kontribut në vendlindje. Kështu, mua më mbetet vetëm t’i ndjek zhvillimet në vend dhe jashtë dhe në momentin e caktuar të marrë vendimin e duhur.

Cili është mesazhi që Iliri do të ua jep të gjithë studentëve që duan të ndjekin studimet jashtë shtetit dhe të jenë të suksesshëm?
Nëse keni synim që të vazhdoni studimet jashtë vendit, punoni shumë në këtë drejtim! Në realitet nuk ekziston ndonjë shkurticë për të arritur këtë, ose çfarëdo qëllim tjetër në jetë. Njerëzit shohin vetëm rezultatin përfundimtar, dhe jo sfidat e shumë numërta të cilët duhet kaluar. Sakrifica personale dhe konzistenca në arritjen e qëllimit janë tepër të rëndësishëm, ndërsa menaxhimi i kohës është, në vokabularin e juristëve, “conditio sine qua non”. Nëse dëshironi diçka aq shumë saqë jeni të gatshëm edhe të sakrifikoheni, atëherë medoemos suksesi do jetë i paevitueshëm. Në këtë rast nuk do doja të shkruaj ndonjë thënie motivuese të ndonjë personaliteti të njohur, sepse jemi të stërmbushur me shpërndarjen e thënieve të ndryshme, mirëpo do doja të them se vullneti për të arritur ndonjë qëllim në jetë paraqet motivim të mjaftueshëm për të punuar drejt atij qëllimi! /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori