LAJMI I FUNDIT:

Azerbajxhani do të sigurojë karburant falas për mjekët dhe zjarrfikësit ukrainas

Azerbajxhani do të sigurojë karburant falas për mjekët dhe zjarrfikësit ukrainas

Kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan, SOCAR, ka konfirmuar për BBC se do t’i sigurojë shërbimet e zjarrfikësve dhe ambulancës të Ukrainës me derivate falas – derisa të zgjasë konflikti.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, lëvizja vjen pas një telefonate midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev.


Aliyev gjithashtu u zotua t’i sigurojë Ukrainës dërgesat e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë liderin azerbajxhanas në një pozitë të vështirë.

Ai është i kujdesshëm ndaj Rusisë dhe nënshkroi një marrëveshje aleance me Presidentin Vladimir Putin në ditën kur ky i fundit njohu rajonet separatiste të Ukrainës javën e kaluar.

Por ai gjithashtu ka lidhje të ngushta me BE-në dhe Turqinë, të cilat të dyja kanë dënuar agresionin e Rusisë.

Aliyev u përball me kritika të brendshme për marrëveshjen e tij me Putinin dhe për mos mbështetjen e tij hapur ndaj Ukrainës.

Përpara pushtimit, Aliyev nënshkroi gjithashtu një marrëveshje me BE-në për të rritur furnizimet me gaz në bllok. /Telegrafi/