LAJMI I FUNDIT:

Autochthonous (apo mbi sagat e bashkimit)!

Autochthonous (apo mbi sagat e bashkimit)!

Ka kaluar 1 prilli, dita e shakave dhe e gënjeshtrave sa shoqërore po aq edhe humoristike, e njohur botës tërthor edhe me fokuse të lehta provokimi e imagjinimi. Prandaj, një vizitë e dy liderëve shqiptarë në qytetin e njohur të Ulqinit, e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit më 4 prill 2015, s’ishte shaka. Vizita ishte zyrtare. Nikoqirët qeveritarë komunalë i pritën s’i është më së miri mysafirët e tyre të lartë. Bile, Hashim Thaçi u krahasua me Ismail Qemalin, një epitet ky që dikur (jo fort moti), s’do t’ishte mundur as të imagjonohej.

Se, ngjarja qe e një niveli shumë të lartë, tregon edhe prania aty, në Ulqin, e presidentit malazias, Filip Vujanoviq.


Në kontekst, kam thënë: Zot, sa shumë kanë ndryshuar kohët. Dhe, me këtë, edhe vetëdija politike dhe sjellja shtetërore e disa liderëve ballkanikë. Ajo vetëdije e dikurshme që përgjatë kohëve dhe historisë i kishte kthyer ata – ballkanasit – në armiq të përbetuar. Epo, suma-sumarum, i kishte shndërruar njerëzit e një regjioni në gladiator. Por, ata, kurrë s’kishin ndryshuar gjenetikisht me njëri-tjetrin, veçse mentalisht dhe nga aspektet e ndryshme të identitetit kulturo-historik, dhe se ata politikisht ishin kthyer në rivalë dhe në hasma me njëri-tjetrin deri në stërkeqje tragjike deri në yshtje dhe ndarje të fundme nacionale e identitare.

Këta njerëz, ose paraardhësit e tyre, ndajnë që mijëra e mijëra vjet natyrën e përbashkët: klimën, frymën e përbashkët, ujët, rrugët, malet, hënën dhe yjet etj., dhe po ashtu, kanë ndarë edhe oborret e sokakët e shtëpive, miqësitë, shtëpitë e kultit, gotat me raki, mënyrën e veshjeve, gjuhën, traditat e përbashkëta, festat etj.

Mbi këto kondita dhe aspekte, F. Vujanoviqi s’u ndi keq në Ulqin dhe s’u ndi as frikshëm në mes të dy liderëve shqiptarë. As këta të fundit, dy liderët shqiptarë, s’u ndien keq dhe as frikshëm mes tij. Eh, s’është e largët koha kur dy nga familjet e mëdha, Kelmendët dhe Kuçët, u shkëputën nga zhgani shqiptar dhe hynë në gjirin malazias. Dikur moti, miqësia shqiptaro-malaziase ka qenë bazë e vetëdijshme e zhganit të përbashkët gjeo-demografikë dhe identitar, kurse përgjatë shekujve XIX dhe XX, me ndihmën e Serbisë dhe të fuqive të mëdha si Rusia, miqësia dhe përbashkësia u kthye në armiqësi të madhe dhe shkalluese. Shtjella e saj i ndoqi dy vendet dhe dy popujt deri në ditët tona…

Kujtesa…

Më 14 tetor 1981, në një mëngjes të fillimshëmvjeshtës, zbrita nga autobusi “Taratrans” në Podgoricë (atëbotë: Titograd). Isha duke shkuar në Daniellovograd, në qytetin e vogël periferik e fushës së Zetës, apo fushës deri ku shtriheshin dikur moti pronat e Balshajve të Shkodrës. Pasi dola nga stacioni, eca pakëz qytetit. Mëngjesi i hershëm ishte i freskët, e qyteti ishte ende në gjumë. Duke ecur, hoteli “Njegosh” më doli përpara. U ula. Dhe, sikur të mos e dija që kafes i thoshin kafe edhe në serbisht, zor se do t’isha marrë vesh me kamerierin se çfarë do të doja të pija, meqë i dija vetëm nja tri-katër fjalë të gjuhës zyrtare të shtetit në të cilin unë atëherë jetoja.

Nejse. Po shkoja ushtar: “Ushtar i RSFJ-së dhe i shokut Tito”. Pas pak kohësh, mora autobusin që shkonte për Nikshiq. S’vonoi e u nis. U nis kah periferia veriore e qytetit. Brenda s’kishte pak udhëtarë. Prapa ulëses sime ishin dy vajza. Natyrisht, flisnin serbisht. Meqë nuk e dija gjuhën, s’kisha pse t’i bezdisja dhe mendoja që pas pak t’ia tregoja kondukterit fletëthirrjen ushtarake, në mënyrë që ai të më tregonte se ku ishte Daniellovogradi dhe që unë pastaj të zbrisja. Dy vajzat – moshatare me mua – s’pushonin së foluri. Por, në ecje e sipër, vajzat papritmas e ndryshuan gjuhën. Duke e ndryshuar gjuhën, e ndryshuan edhe nivelin e zërit. Ja, filluan të flisnin shqip. Unë, pa një pa dy ktheva kokën dhe i pyeta: shqiptare jeni? Po, thanë ato ngadalë. Prej nga? Nga Tuzi, më thanë ato. E ku dreqin shkoni këndej, ua ktheva unë?! Ato e shikuan njëra-tjetrën dhe, duke buzëqeshur lirshëm, u përgjigjen njëzëri: studiojmë në Universitetin e Nikshiqit, shkojmë atje!

Kaq ishte biseda me ato dy vajza shqiptare. Pasi unë zbrita në vendin për ku isha nisur, meqë s’pata nevojë për ndihmën e kondukterit malazias, ndodhi përvoja ime me shqiptarë që s’e flisnin gjuhën e tyre dhe as s’e deklaronin përkatësinë kombëtare, identitetin etj. Ishin kohëra të leshta dhe shqiptarët këndej i ishin nënshtruar qysh moti terrorit dhe asimilimit frapant: qoftë në kazermat ushtarake ku unë shërbeva (gjashtë muaj në Daniellovograd dhe gjashtë muaj në Tivar), qoftë në Podgoricë, në Tivar, në Suto More, e gjithandej fshatrave të rrethinës së Tuzit dhe të Ulqinit, stacioneve të autobusit dhe sidomos stacioneve të trenit Podgoricë-Tivar etj.

Nuk e di se në ç’kontekst dhe ku, por e di që e pata dëgjuar të thoshte dikush atëbotë se vetëm në brendi të qytetit të Podgoricës jetonin mbi 20 mijë shqiptar të cilët as nuk e flisnin gjuhën e tyre publikisht dhe as nuk deklaroheshin si shqiptarë publikisht, e aq më pak zyrtarisht. Shkurt: s’guxonin. Dhe, të mos flasim për qytetet e rivierës malaziase, si Tivari, gjysma e të cilit qysh në kohën kur unë shërbeva ushtarakisht atje ishte i banuar me shqiptarë.

Gjithandej kishte banorë të rrethinave verilindore të Kollashinit, Bjellopoles, Ivangradit, Rozhajes etj., përkatësia e të cilëve s’kishte asnjë lloj lidhjeje me boshnjakët, e që deklaroheshin si myslimanë dhe flisnin pa përjashtim serbisht. Identitetit të shpikur mysliman për fat të keq i ishin nënshtruar edhe shumë banorë të Ulqinit, të rrethinave të Podgoricës e të Tuzit, të malësisë së Krajës, të Plavës e Gucisë etj. Me dhjetëra të këtillë i kam takuar personalisht edhe në kazermat ushtarake, në poligonet ushtarake, në stërvitje të ndryshme etj.

Në kontekst të atëhershëm, edhe më e keqe kishte qenë situata e shqiptarëve në Maqednoi, në Sanxhak (Serbi), përgjatë rivierës bregdetare ish jugosllave, deri në Dubrovnik etj., por ne nuk e dinim aso kohe dhe, edhe po ta dinim, s’kishim as liri dhe as fuqi që t’kundërshtonim.

Zanafilla…

Sot, duke mos qenë aspak shaka, po shpërthen një realitet tjetër. Por, ky “shpërthim” nuk është domosdoshëmrisht i nxitur nga brendia jonë, domethënë nga domeni “nacionalist – provokues” siç po përfytyrohet dhe po konsiderohet kjo punë në Beograd, në Shkup etj. Është, pavarësisht se ç’është thënë dhe ç’është bërë deri më sot, një shpërthim që ringjallet e rilind pikërisht atje dhe m’u në mes tyre: në Beograd, në Shkup, në Athinë, në Podgoricë, në Novi Pazar, në Rekë të Keqe etj. Ky realitet shpërthimi s’është punë fatkeqësie apo intrigimi paternalist! S’është paradoks kohërash. S’është as punë politike me interes. S’është ndërhyrje kulturo-identitare, diktim nacionalist shqiptar etj.

Sot gjërat kanë ndryshuar shumë! Dhe, kanë ndryshuar për të mirë. Prandaj, armiqësitë e lashta dhe tragjike në mes të ballkanasve s’kanë qenë asgjë tjetër, veçse armiqësi të ballkanasve kundruall shqiptarëve për interesa politike dhe territoriale. Në këtë kontekst ka ardhur koha të kuptohet dhe të shpjegohet me kujdes, por bindshëm e me fakte, se “këta ballkanas” s’janë askush tjetër (shumica e tyre) veçse shqiptarë të lashtë të tjetërsuar dhe të asimiluar në grek, në malazias, në maqedonë, myslimanë, serbë, tërbeshë, turq, boshnjak etj. Ky tjetërsim dhe ky asimilim katrahurë dhe i thellë katërçipërisht, ka në brendi të tij dhe kundruall shqiptarëve të djeshëm dhe të sotshëm fajësitë ballkanike dhe pafajësitë tona shqiptare! Po ashtu, ka në brendinë e tij dhe kundruall ballkanasve edhe pafajësitë e ballkanasve dhe disa faje tona – shqiptare!

Eh, zallahia dhe tragjedia historike, nacionaliste, asimiluese etj., ishte një mjet specifik politik dhe kulturo-identitar që e tmerroi për dekada dhe shekuj me radhë Ballkanin. Në fakt, s’u tmerrua gadishulli si gjeografi, por pjesët qenësore të tij, ose më mirë me thanë: ata që e përbëjnë demografinë dhe realitetin njerëzor, shoqëror dhe kombëtar të gadishullit. Prandaj, plagët dhe ndarjet ishin dhe janë edhe sot kudo: njësoj si lotët, dhimbjet, varret etj.

Epo, ka ardhur koha që duhet pranuar më në fund se në mes të vëllezërve kanë ndodhur tragjedi dhe luftëra të mëdha shfarosëse. Këtë realitet, shyqyr Zotit, dikush ka arritur që më në fund ta kuptojë mirë, dhe goxha esëll! Prandaj, Rama dhe Thaçi s’u ndien keq në Ulqin me Vujanoviqin aty në mes, dhe as ky i fundit s’u ndie fare keq me këta të dytët. Kësisoj, pavarësisht se çka deklaruan e thanë më pastaj Rama dhe Thaçi për aktualitetin politik Tiranë- Prishtinë dhe për “mundësinë e bashkimit” si kundërvënie qëndrimeve kontradiktore që ruan historikisht Brukseli kundrejt shqiptarëve dhe ballkanasve të tjerë, përplasjet armiqësore dhe ndarjet e mëtutjeshme duhet të pushojnë gjithandej në gadishullin tonë. Se, s’bëhet fjalë për asgjë tjetër, veçse për rinatyralizim të historisë dhe të politikës ballkanike dhe për njohje, pajtim, shtendosje të disa popujve ballkanikë të cilët po e mësojnë të kaluarën e tyre etnogjenetike dhe po u ringjallet kujtesa historike dhe identitare lidhur me atë se çfarë u ka ndodhur atyre në të kaluarën dhe lidhur me atë se kush janë në të vërtetë ata, pastaj çfarë u ka ndodhur shqiptarëve etj.

Çfarë po dua të them? Shqiptarët, meqë kanë shanse më të normalshme dhe plotë fakte gjithandej, u takon që të gjejnë dashuri, forcë dhe liri fizike e shpirtërore që ta tregojnë të vërtetën e tyre historike dhe politike në dritën e fakteve dhe për vetën e tyre! Kur ta kenë bërë këtë sa më shumë, u takon që po ashtu atyre t’ua thonë dhe t’ua rrëfejnë të vërtetën edhe fqinjëve të tyre, për aq sa u takon dhe për aq sa kërkohet prej tyre! Me një fjalë, t’i ndihmojnë vetës dhe fiqnjve të tyre të afërt që palët e ndryshme ballkanike të zhvishen nga gama e mjegullës së përgjakur historike, nga gama e humbjes së kujtesës, e asimilimit etj.

Kjo nuk është ndërhyrje, nuk është provokim, nuk është as shaka dhe as stisje prilli! Branislav Sinadinovski, një intelektual i asimiluar në maqedonas deri dje dhe që sot u është kthyer rrënjëve të tij etnogjenetike, deklaroi më 7 prill 2015, gjatë një vizite në Çikago: “Babai im, prof.dr.Jakim Sinadinovski, gjithmonë më ka thënë se gjaku është më i trashë se sa uji. I dhashë atij fjalën time që unë një ditë do t’i eksploroj rrënjët tona dhe do të shkruaj rreth tyre. Sot zemra ime është e mbushur me vëllezërit e mi në Amerikë. Tani këtu unë e përmbushi fjalën time që unë i dhashë babait tim”.

Natyrisht, Sinadinoski është ndihmuar jashtëzakonisht shumë nga rrethet tona që t’u kthehet rrënjëve të tija. Në këtë kontekst, nuk ka shumë muaj që ta zëmë, Matija Matevski, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, deklaroi publikisht se përkatësia e tij etnike është me prejardhje shqiptare.

Takimi i Ulqinit dhe fjalët e Ramës shkuan deri në Bruksel. Maja Koçijançiq, zëdhënëse në BE-së, reagoi. Porse, ajo s’ka pse të shqetësohet. Sugjerimi im për Majen është se ajo duhet ta mësojë ca më shumë historinë ballkanike dhe shqiptare: përmes arkivave, librave dhe studimeve franko-gjermane, angleze etj., mbi Ballkanin dhe mbi shqiptarët. Në këtë kontekst reagoi ashpër edhe djaloshi kryeministër i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiqi. Por, Vuçiqi, përpara se të reagonte ashtu siç reagoi ndaj deklaratave të Ramësnë Ulqin, edhe ky do të duhej që ca më shumë të fillojë e ta mësojë të kaluarën e tij etnogjenetike dhe të popullit të tij, ta mësojë identitetin dhe kulturën e tij dhe të popullit të tij dhe t’i kuptojë e njohë fatet dhe fatkeqësitë, por edhe tragjeditë që s’i askush tjetër i shkaktuan pikërisht serbët e tij kundra shqiptarëve dhe jo vetëm kundra tyre.

Marin Mema…

Ka ardhur koha e shtendosjeve. Dhe, koha e rrëfimeve dhe e vetërrëfimeve tona në dritën e dëshmive dhe fakteve të gjalla. Pra, nuk do të ecim më tutje mbi tehet e shpatave dhe mbi detet e mëkateve! Ja një shembull imi tejet sinjifikativ:

Pasi mbaroi një emision në TV Klan, e ku u fol pikërisht për takimin e Ulqinit apo për deklaratën e Ramës rreth bashkimit, e kalova ekranin në kanalin e televizionit “Al Jazera Balkans”. Aty jepej një emision që fliste për projektin “Beogradi mbi ujë” (mbrëmje: 7 prill 2015). Vuçiq e mbronte projektin në Parlament, kurse një deputet opozitar e kundërshtonte këtë projekt mbi tre miliardë eurosh të financuar nga Emiratet e Bashkuara. Për çudi, deputeti i partisë DS (Partia Demokratike) që e kundërshtonte projektin, quhej Balsha (Balsha Bozhoviq). Emri “Balsha” rrjedh nga një prej familjeve më të njohura mesjetare apo të periudhës së Skënderbeut, e që ka qenë nga Shkodra.

Në vazhdim mu kujtua zanafilla e largët e përbashkët në periudha të ndryshme historike e shqiptarëve dhe e serbëve, sidomos në periudhat e Bizantit e deri te aleancat e ndryshme qeverisëse dhe ushtarake. Padyshim, mu kujtua edhe Perandoria e Car Dushanit, por që në fakt ishte perandori i përbashkët i serbëve, grekëve dhe shqiptarëve. Kështu së paku shkruan në preambulat e kësaj perandorie! Mirëpo, duhet pranuar që e kaluara e afërt në mes të dy popujve ka pësuar qarje të thella dhe pothuajse të pa riparueshme, veçanërisht në dy shekujt e fundit: XIX dhe XX. Fat i këtillë i përshkon pikërisht në këta dy shekuj edhe marrëdhëniet tona tejet të afërta me grekët, malaziasit, maqedonët etj.

Nuk po vazhdoj më shumë, sepse ka me qindra dhe me mijëra e mijëra raste dhe shembuj që tregojnë se gjithandej në Shkup, Sarajevë, Athinë, Beograd etj., dje dhe sot, emra dhe figura të njohura kanë lënë gjurmë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë: qoftë në sferat politike, ekonomike, ushtarake, në arte dhe në shkenca, në qeverisje, në sport etj., dhe që të njëjtit janë me prejardhje shqiptare. Në këtë drejtim, fare lehtë mund të dëshmohet gjithçka! Disa prej tyre madje kanë folur dhe ende flasin shqip në shtëpitë e tyre.

Epo, si qëndron puna me qytetarët e tjerë, domethënë me ballkanasit e tjerë të thjeshtë, gjithandej? Gazetari i njohur i Top Channel (Tiranë), Marin Mema, ndër të tjera e realizoi një tjetër emision në qytetin e Ohrit, pas atyre në Peshter, Novi Pazar, Çamëri, Stamboll, Rekë të Keqe etj. Ky emision me një titull brilant dhe tejet adekuat “Të mos jesh shqiptar”, u dha në mbrëmjen e datës 6 prill 2015. Qysh të nesërmen, menjëherë mediat e ndryshme maqedonase u quan peshë! Veçse u quan peshë me intuitën e tyre të gabueshme dhe manipuluese. Se, nuk është çështja vetëm në Ohër me të këtilla defekte dhe fatkeqësi shqiptarësh, por edhe në Manastir, Prilep, Veles etj. Çështjet si këto dhe të ngjashme janë shumë më të thella, më historike, më politike dhe fatkeqësisht edhe më tragjike e më të ngatërruara se ç’kujtojnë apo ç’reflektojnë gazetarët, analistët, politikanët dhe kushdo tjetër në Maqedoni e gjetiu nëpër Ballkan.

Prandaj, problemet tona ballkanike, veçanërisht problemet tona shqiptare nuk janë kaq të thjeshta që të vazhdohen e të zgjidhen nën dritën e spekulimeve dhe të asimilimeve, nën dritën e ndërhyrjeve dhe të forcës politike, ekonomike, ushtarake etj. Se, thënë më qartë, koha e përçarësve dhe e të fortëve ka mbaruar në Ballkan. Natyrisht, ka mbaruar edhe koha e të paditurve, e manipulatorëve, e fshehësve dhe e falsifikuesve të historisë dhe të përkatësive etnike – nacionale. Prandaj vizavi, asnjëherë s’ekzistojnë dy-tri të vërteta për çështje të njëjta! Në kontekst, gazetari Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën e një gazetari hulumtues. Dhe, nuk e ka shtruar asnjëherë pyetjen se “kush është më e vjetër: pula apo veja”, veçse ka shkuar dhe ka hulumtuar disa gjendje, kushte dhe disa ambiente ku dikur kanë jetojnë mijëra njerëz, pasardhësit e të cilëve s’guxojnë ta thonë përkatësinë e tyre etnike akoma dhe sot.

Epilog…

Njeriu është ai që ndjehet se është dhe këtu s’ka koment! Secili ka hise dhe të drejtë nën diell dhe të paktën sot secili duhet ta thotë me admirim përkatësinë e tij etnike, të flas gjuhën e tij, të mendojë dhe të shprehet i lirë. Mirëpo, akoma edhe sot këto të drejta denigrohen dhe anatemohen, shkelen, nëpërkëmben, falsifikohen gjithandej nëpër shtete të ndryshme ballkanike.

Kushtimisht, kjo ka të bëjë vetëm me shqiptarët ose me ata që ndjehen në çfarëdo mënyre shqiptarë, ose me prejardhje shqiptare. Pra, diçka e madhe fshihet dhe vazhdon të fshihet në këtë drejtim, domethënë në mes të ballkanasve. Në këtë kontekst, është e logjikshme që ne shqiptarët duhet të mos vazhdojmë të heshtim më shumë, të mos vazhdojmë t’i mbyllim sytë përpara fatkeqësive të djeshme dhe përpara fajeve dhe fatkeqësive të sotshme dhe eventualisht të nesërme! Pra, duhet të shprehemi lirisht dhe të mos jetojmë dyzueshëm!

Ja një shembull: unë personalisht, edhe si autor i këtij shkrimi, konsideroj që në një masë kam identitet të përzier, të dyzueshëm. Emri im është emër arab, kurse mbiemri im është emër turk! Po ashtu edhe besimi im fetar është besim islam. Ka edhe të tjera aspekte, si për shembull festat, lokalizmat gjuhësorë, sferat etnologjike etj., që janë me prejardhje të huaja, pra që nuk janë origjinale – autoktone dhe që unë aty – këtu edhe i predikoj, i përdor etj. Kurse, në rrethana të caktuara gjeografike dhe politike, shtetërore, kulturore, fetare etj., unë do të kisha mundur të përfundoja në një shqiptar të humbur, të tjetërsuar, të asimiluar etj.

Ja që kjo s’ka ndodhur me mua, por ama përgjatë historisë kjo punë ka ndodhur me miliona e miliona bashkëkombës të mi, këtu nëpër Ballkan, e gjetiu! Prandaj, unë guxoj sot që të shprehem lirisht dhe publikisht, të shprehem mbi atë që jam! Kurse, “përzierja” identitare kulturo-fetare nuk është kusht që përkatësia e gjakut dhe e gjuhës të fshihen apo të mohohen nga unë. Kjo as nuk mund të bëhet askurrë deri në fund, veçanërisht për shkak të ligjeve natyrore-biologjike dhe gjenetike. Por, në rrethana të tjera, dhe sidomos kur u nënshtrohemi terroreve dhe projekteve të asimilimeve dhe të pushtimeve, ndodhin gjëra të frikshme dhe skajshëmrisht tragjike.

Kështu, disi e më keq ka ndodhur me miliona e miliona shqiptarë përgjatë historisë. Prandaj, si përfundim i këtij shkrimi, dua të theksojë se ka ardhur koha që të dihet, që të thuhet, që të zbulohet natyrshëm dhe me kujdes se çfarë ka ndodhur me ne përgjatë historisë: përgjatë historisë sonë të largët dhe kësaj më të afërt! Duke mos e lënduar askënd dhe duke mos e nënçmuar askënd, saga e bashkimit Shqipëri-Kosovë do të duhej të ishte një proces krejt i normalshëm dhe natyral, kundruall realitetit dhe kohës në të cilën jetojmë.

Korniza e këtij bashkimi mund të jetë e ndryshme dhe ekuivalente me proceset euro-ballkanike, kryesisht mbi konditat politike dhe të qeverisjeve bashkëkohore dhe kjo s’prish punë. Kurse, shqetësimet apostolike të Koçijaçiqit dhe të Vuçiqit lidhur me sagën e bashkimit të shqiptarëve s’thonë gjë tjetër veçse mund ta shpejtojnë këtë proces. Ndoshta në konditat apo në kornizat që s’do t’i dëshironim as ne!