LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen hajnat e shtyllave të rrymës

Arrestohen hajnat e shtyllave të rrymës

Policia e Kosovës ka parandaluar të enjten vjedhjen e konstruksioneve metalike të disa shtyllave të linjave elektrike të tensionit të lartë. Me këtë rast, policia ka arrestuar dy persona në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë në fshatin Shkabaj, tek të cilët janë gjetur mbi 70 profile metalike të shtyllave si dhe 148 bulona.

Po ashtu pas kontrollimit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shtëpitë e tyre janë gjetur edhe materiale të tjera si kabllo dhe kuadro optik të vjedhura në raste të tjera në shtyllat e tensionit të lartë të energjisë elektrike. “Materialet e konfiskuara i janë kthyer KOSTT-it dhe ekipet, kanë filluar menjëherë me montimin dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it për medie.

Personat e arrestuar janë G. Preniqi (1986) dhe A. Hoxha (1991).

Personat e involvuar në këtë rast, kanë rrezikuar seriozisht rrëzimin e shtyllave elektrike dhe me këtë edhe furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, thekson Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) në komunikatën shpërndarë medieve. /Telegrafi/