LAJMI I FUNDIT:

Arifi nuk e pranon shkarkimin

Arifi nuk e pranon shkarkimin

Kryetari i shkarkuar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, tha se vendimi për shkarkimin e tij, i marrë nga dy degë sindikale në Kongresin e Pestë, është jolegjitim dhe i papranueshëm. Ai ka deklaruar se nuk do të respektojë asnjë vendim që është marrë në kundërshtim me statutin e kësaj sindikate. Arifi akuzoi sindikatën e arsimit dhe të policisë se kanë dashur ta manipulojnë kongresin, e së shtunës.

Ndërprerja e kongresit sipas Arifit është bërë për shkak të kërcënimeve të pjesëmarrësve nga një grup i delegatëve. Nga tetë degë, sa kanë qenë në kongres, gjashtë sosh janë pajtuar për ndërprerjen e punimeve, kurse dy prej tyre, e arsimit dhe policisë, kanë vendosur të qëndrojnë duke marrë vendim për shkarkimin e kreut të deritashëm Haxhi Arifi. “Unë mendoj se vendimi i tyre është jolegjitim dhe normal jopërfillës, sepse nuk e ka pasur as shumicën e delegatëve, dhe nga tetë degët, vetëm dy”, theksoi Arifi.

Sipas tij, ka pasur tendenca që të merret drejtimi i BSPK-së, madje edhe shkatërrimi i kësaj sindikate, e cila vepron tash e 20 vjet. Por një gjë e tillë, sipas tij nuk do të ndodhë.
“Çdo person ka të drejtë të kandidojë e të zgjidhet, por zgjedhjet duhet të jenë statutore. Ai që fiton në këtë mënyrë, legjitime dhe në mënyrë të kulturuar, unë do t’ua uroj të gjithëve”, tha Arifi.

Zyrtarët e BSPK-së, thanë se do të vazhdojnë punën për përgatitjen dhe mbajtjen e këtij kuvendi. /Telegrafi/