LAJMI I FUNDIT:

Adeline Virginia Stephen, jeta dhe veprat

Adeline Virginia Stephen, jeta dhe veprat

Kontribuoi për enciklopedinë britanike: Panthea Reid
Përktheu: Klodian Briçi

Adeline Virginia Stephen (Adëlin Virxhinia Stivëni) lindi më 25 janar 1882 në Londër (Angli) dhe vdiq më 28 mars 1941 afër Rodmell, Sasiks. Shkrimtare angleze, romanet e së cilës, përmes përqasjes jo të njëtrajtshme[1], kanë ushtruar ndikim jo të vogël në gjininë në fjalë.


Edhe pse njihet më shumë për romane, sidomos për Zonja Dallouej (1925) dhe për Udha drejt farit (1927), Uollf ka shkruar edhe ese mbi teorinë artistike, historinë e letërsisë, shkrimet femërore dhe politikat e pushtetit. Si stiliste e shkëlqyer, ajo ka eksperimentuar disa forma shkrimi autobiografik, krijime të shkurtra të hartuara plot ngjyra, ndërsa miqve dhe familjes së vet gjatë gjithë jetës u shkroi letra të mahnitshme.

Jeta e hershme dhe ndikimet

Virxhinia Stivëni ishte fëmijë prindërish viktorianë idealistë. I ati, Lezli Stivëni, ka qenë figurë letrare e shquar dhe krye­redaktori i parë (1882-91) i Dictionary of National Biography. Ndërsa e ëma, Xhulia Xheksëni, ishte mjaft e bukur dhe vetë­mohuese. Ajo kishte lidhje të forta shoqërore dhe artistike, përfshirë edhe Xhulia Margaret Kamëronin, tezen e saj, njëra nga fotografet më të mëdha të portretit të shekullit 19.

Bashkëshorti i parë i Xhulia Xheksënit, Herbert Dakuithi, dhe gruaja e parë e Lezlit, e bija e romancierit Uilliam Meikpis Thekëri, vdiqën papritur duke lënë pas, i pari tre fëmijë, e dyta një fëmijë. Xhulia Xheksën Dakuithi dhe Lezli Stivëni u martuan më 1878, martesë nga e cila erdhën në jetë katër fëmijë: Vanesa (më 1879), Tojbi (më 1880), Virxhinia (më 1882) dhe Adriani (më 1883). Ndonëse të katërt bëheshin një kundër motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj, ata nuk ishin edhe aq besnikë me njëri-tjetrin. Virxhinia kishte smirë ndaj Ejdriënit, i cili qe kanakari i nënës së tyre. Në moshën nëntëvjeçare ajo qe gjeniu që qëndronte prapa gazetës së familjes, Hyde Park Gate News, duke vënë kështu shpesh në lojë Vanesën dhe Adrianin. Vanesa u bë si nënë për të tjerët, sidomos për Virxhinian, mirëpo dinamizmi midis nevojës (së Virxhinias) dhe ftohtësisë (së Vanesës) ndonjëherë shprehej si armiqësi mes artit të të shkruarit të Virxhinias dhe aftësisë së Vanesës për të pikturuar.

Familja Stivën e kishte zakon të largohej në verë nga shtëpia që kishte në Londër afër kopshteve Kensingtën dhe të shkonte në shtëpinë Talland thuajse të rrënuar që ndodhej në bregun e ashpër të Kornuellit. Këto zhvendosje të përvitshme shër­byen për ta përftuar botën fëmijërore të Virxhinias ndaj dy gjërave të ndryshme: qyteti dhe fshati; dimri dhe vera; shtypja dhe liria; copëtimi dhe plotësia. Megjithatë, bota e saj e përçarë dhe qartësisht e kuptueshme mori fund kur më 1895 i vdiq e ëma në moshën 49-vjeçare. Virxhinia, kur ishte 13 vjeçe, reshti së shkruari tregime zbavitëse për ndodhitë fami­ljare. Duhej të kalonte gati një vit që ajo t’i shkruante një letër të gëzuar vëllait të vet, Tojbit. Ajo porsa po dilte nga depre­sioni kur më 1897, gjysmëmotra e saj Stella Dakuith vdiq në moshën 28-vjeçare, ngjarje që Virxhinia e shënon në ditar si “të pamundur për të shkruar lidhur me të”. Më pas, më 1904, pas vdekjes së të atit, Virxhinia pësoi krizë nervore.

Ndërkohë që Virxhinia po merrte veten, Vanesa mbikëqyrte zhvendosjen e Stivënit drejt pjesës boheme të Londrës. Atje gjysmëmotrat dhe gjysmëvëllezërit jetonin të pavarur nga gjysmëvëllezërit e tyre Dakuith dhe qenë të lirë të studionin, të pikturonin apo të shkruanin dhe të argëtoheshin. Në nën­torin e 1904-s me ta darkoi Leonard Uollfi, pak para se të nisej me anije drejt Ceilonit (tani quhet Sri Lanka) që të bëhej administrator kolonial. Nuk shkoi gjatë dhe Stivënsi mikpriste tubime rioshësh radikalë, përfshirë Klajv Bellin[2], Litën Streiçin[3] dhe Xhon Meinard Kinzin[4], të cilët më vonë do të bëheshin të dëgjuar, përkatësisht: kritik arti, biograf dhe eko­nomist. Paskëtaj, mbas një ekskursioni në Greqi më 1906, Tojbi vdiq nga ethet e tifos. Qe veçse 26 vjeç. Virxhinia u hidhërua, por jo aq sa të binte në dëshpërim. Humbjen e Tojbit dhe “atë” të Vanesës, e cila qe fejuar me Bellin fill mbas vdekjes së Tojbit, e përballoi duke u marrë me shkrime. Martesa e Vanesës (dhe, mbase, mungesa e Tojbit) ndihmoi që debatet e mbledhjeve kryesuese të atij që do të njihej si grupi Blumsbëri të shndërroheshin në biseda të gjalla e me raste të pahijshme, të cilat e frymëzuan Virxhinian ta përdorte hapur mendjemprehtësinë e saj, paçka se në fshehtësi po shkru­ante Reminiscences-et e saj therëse – rreth fëmijërisë së vet dhe së ëmës që pati humbur – të cilat u botuan më 1908. Po atë verë, kur njohu artin italian, ajo iu kushtua punës për krijimin e një gjuhe “diçka e plotë që përbëhej nga copëza drithëruese”, për ta kapur “mendjen që fluturon”.

Proza artistike e hershme

Më 1908 Virxhinia Stivën vendosi ta “reformonte” romanin duke krijuar një formë tërësore, e cila përfshinte të gjitha anët e jetës që për romanin viktorian “s’kishin pasur vlerë”. Edhe pse ndërkohë vazhdonte të shkruante recensione pa emër për Times Literary Supplement dhe për gazeta të tjera, ajo ekspe­rimentonte me romanin e lartpërmendur, të cilin e quante Melymbrosia. Në nëntor të 1910-s, Roxhër Fraji[5], një mik i ri i Bellëve, hapi ekspozitën Manet and the Post-Impressionists, e cila e njohu borgjezinë londineze me artin radikal evropian. Virxhinia u tërbua menjëherë për vëmen­djen që tërhiqte dhe ngjallte pikturimi për shkak të mundësisë së huazimit nga shijet e piktorëve si Pol Sezani[6] dhe Pablo Pikaso[7]. Meqë Klajv Belli u tregua jobesnik, Vanesa krijoi një lidhje me Frajin, i cili nisi një debat të përjetshëm me Virxhinian rreth arteve pamore dhe gojore. Leonard Uollfi u kthye nga Lindja në vjeshtën e vitit 1911. Mbasi u dorëhoq nga shërbimi kolonial, Leonardi dhe Virxhinia u martuan në gusht të 1912-s. Ajo vazhdoi të punonte në romanin e vet të parë, ndërsa ai shkroi romanin antikolonialist The Village in the Jungle (1913) dhe The Wise Virgins (1914), parashtrim i Blumsbërit. Më pas ai u shndërrua në shkrimtar politik dhe avokat i paqes e i drejtësisë.

Edhe pse nga vitet 1910-1915 shëndeti mendor i Virxhinias qe në rrezik, prapëseprapë, më 1913, ajo e ripunoi plotësisht Melymbrosia-n duke e titulluar The Voyage Out. Shumë prej personazheve të romanit të saj i mori nga prototipat e jetës së vërtetë: Litën Streiçi, Lezli Stivëni, gjysmëvëllai i saj Xhorxh Dakuithi, Klajvi e Vanesa Belli dhe ajo vetë. Rejçëll Vinrejsi, personazhi kryesor i romanit, është një grua e re në moshë, që ka kaluar fëmijëri të qetë, e cila, gjatë një ekskursioni në Amerikën e Jugut, njihet me lirinë dhe seksualizmin (edhe pse që në nisje të romanit asaj i duhet të vdesë para se të mar­tohet). Uollfi fillimisht e bëri Terënsin mëtuesin që kërkonte dorën e Rejçëllit, njësoj si Klajvi; gjatë ripunimit të librit, ai bëhet më i ndjeshëm, njëlloj si karakteri i Leonardit. Mbas një ekskursioni në Amazonë, Rejçlli merr një sëmundje të llah­tarshme që e plandos në dalldi dhe më pas në vdekje. Si shkaqe të mundshme të kësaj gjëme, personazhet e Uollfit s’lënë gjë pa këshilluar, që nga perimet e lara jo mirë, te sëmundjet që mbart xhungla e deri te dashaligësia e qiellit, por libri s’jep kurrfarë sqarimi. Në kundërshtim me sigurinë që ekzistonte në periudhën viktoriane, këtij mospërcaktimi i bëhet jehonë në përshkrimet që shtrembërojnë perceptimin: ndërsa tregimi shpesh i përshkruan njerëzit, ndërtesat dhe objektet si trajta pa tipare, Rejçlli, nëpër ëndrra dhe paskëtaj në dalldi, rrugëton nëpër botën surrealiste. Udhëtimi i Rejçllit në të panjohurën shënoi udhëtimin e Uollfit përtej rregullave të realizmit.

Shqetësimet maniako-depresive të Uollfit (se ajo ishte e dështuar jo vetëm si shkrimtare, por edhe si grua, se përbuzej nga Vanesa dhe se Leonardi s’e donte) në shtator të 1913-s e nxitën të bënte një përpjekje që ta vriste veten. Botimi i The Voyage Out u shty deri në të hyrë të 1915-s; më pas, në prill të po atij viti, ajo ra në dëshpërim, që e bënte shpesh të binte në përçartje. Po atë vit ajo ia doli t’i mposhtte “përfytyrimet e ndyra” që i kërcënonin shëndetin normal mendor. Gjatë pjesës së mbetur të jetës arriti t’i mbante pak a shumë larg djajtë e manisë dhe të depresionit.

Më 1917 Uollfët blenë një shtypshkronjë të vogël duke themeluar kështu shtypshkronjën “Hogarth”, sipas emërtimit të shtëpisë “Hogarth”, shtëpia që kishin në rrethinat e Londrës. Vetë Uollfët (ajo qe radhitëse, ndërsa ai merrej me shtypin) në verë të vitit 1917 shtypën Two Stories. Botimi për­bëhej nga vepra Three hebrews e Leonardit dhe nga The Mark on the Wall (më tepër përsiatje) e Virxhinias.

Virxhinia, qysh nga 1910-a (ndonjëherë bashkë me Vanesën) mbante një shtëpi fshati në Sasiks, ndërsa më 1916-n Vanesa ndërtoi një shtëpi bujku në Sasiks, që e quajti “Çarlston”. Ajo i dha fund lidhjes me Frajin për t’u njohur më pas me piktorin Dankën Grant[8], i cili u shpërngul në “Çarlston” tok me Vanesën dhe fëmijët e saj, Xhulian dhe Kuentin Bellin; në fund të 1918-s, Vanesës dhe Grantit u lindi një vajzë, Anxhelika. S’vonoi shumë dhe “Çarlstoni” do të shndërrohej në një strehë joortodokse të stolisur me teprime të mëdha nga piktorë dhe shkrimtarë, sidomos të Klajv Bellit, që vazhdoi të ruante marrëdhënie miqësore me Vanesën dhe Frajin, adhuruesin e përjetshëm të Vanesës.

Që më 1897 Virxhinia mbante herë pas here ditar. Më 1919 ajo përfytyronte “hijen e ndonjë trajte që mund të arrinte ditari”, organizuar jo nga një regjistrim mekanik ngjarjesh, por nga ndërveprimi midis objektit dhe qëllimit. Ditari i saj, siç do të shkruante ajo më 1924, do t’i zbulonte njerëzit si “cifla dhe mozaikë” dhe jo siç pohonin ata, si “tërësi të patëmetë, njëcopësh, të qëndrueshëm”. Më vonë, terma të tillë frymëzuan dallimet kritike mbi anatominë dhe kulturën midis femrës dhe mashkullit, ku femra qe një mënyrë e larmishme, por gjithëpërfshirëse e përjetimit të botës, kurse mashkulli një mënyrë njëcopëshe apo e njëtrajtshme. Kritikët që i përdorin dallimet e mësipërme i japin Uollfit meritën për zhvillimin e formës së ditarit thellësisht femëror, ngaqë në të perceptohet, me ndershmëri dhe humor, vetë mozaiku i saj vazhdimisht i ndryshueshëm.

Duke vërtetuar se mund ta nënshtronte formën tradicionale të romanit para se ta shkelte, romanin e saj të ardhshëm e ngastroi në dy trekëndësha romantikë, ku të dy kishin Katrinën si personazh kryesor. Night and Day (1919) është gjegjësja e The Wise Virgins e Leonardit, ku ai krijoi një personazh të ngjashëm me veten i cili humb personazhin e dashur, ngjashëm si Virxhinia, dhe që përfundoi në martesë konvencionale. Te Night and Day, Ralfi, që paraqet askënd tjetër veç Leonardit, mëson ta vlerësojë Katrinën për atë që është, jo si një qenie që qëndron më lart. Ndërsa Katrina arrin t’i mposhtë (siç bëri edhe Virxhinia) paragjykimet familjare dhe ato shtresore për t’u martuar me Ralfin zemërmirë e të zgjuar. Ky roman përqendrohet pikërisht te hollësitë që Uollfi i pati hequr nga The Voyage Out: dialog i besueshëm, përshkri­me realiste të mjedisit të fillimshekullit 20, hulumtime të çështjeve, si shtresa shoqërore, politika dhe e drejta për të votuar. Më 1918 Uollfi shkruante përafërsisht nga një recension në javë për Times Literary Supplement. Eseja e saj Modern Novels (1919, ripunuar më 1925 si Modern Fiction) sulmonte “materialistët” që shkruanin për përvojat sipër­faqësore në vend se të shkruanin për ato shpirtërore apo “të përndritura”. Me ilustrimet e Vanesa Bellit, Uollfët shtypën vetë me dorë Kew Gardens[9] (1919) të Virxhinias, një tregim i organizuar si model i pikturave pasimpresionistike. Me kriji­min e “Hogarth Press”, si shtëpi e madhe botuese, Uollfët pak nga pak i shtypnin më vetë botimet e tyre.

Më 1919 ata blenë një vilë të vogël në fshatin Rodmell, të quajtur Shtëpia e Murgut, nga e cila shiheshin si në pëllëmbë të dorës kodrinat me bar të Sasiksit dhe livadhet ku lumi Yz[10] derdhet në kanalin e La Manshit. Prej andej Virxhinia mund të shkonte me këmbë apo me biçikletë për ta vizituar Vanesën, fëmijët e saj dhe mysafirët në “Çarlstonin” bohemë dhe më pas të tërhiqej për të shkruar në Shtëpinë e Murgut. Ajo përfytyronte një libër të ri ku do t’i përfshinte teoritë e modern novels (romaneve moderne) dhe arritjet e tregimeve të saj të shkurtra në trajtën e romanit. Në fillim të 1920-s, një grup miqsh, që kishin dalë nga grupimi i hershëm “Blumsbëri”, krijuan Memoir Club; ata takoheshin për të lexuar pjesë të pahijshme nga autobiografitë e tyre. Paraqitja e saj e dytë qe parashtresë e dyfytyrësisë viktoriane, sidomos e Xhorxh Dakuithit, i cili ledhatimet e padëshiruara dhe të papërshtatshme i maskonte si dashuri për nder të nënës së tyre.

Më 1921 proza e shkurtër tregimtare e Uollfit u përmblodh në Monday or Tuesday. Ndërkohë, radhimi i shkronjave i mprehu ndjesinë e radhitjes pamore, ndaj ajo filloi të shkru­ante një roman në blloqe, që do të rrethoheshin nga hapësira të bardha. Në Re-Reading Novels (1922), Uollfi arsyetonte se romani më shumë sesa formë ishte “emocioni që ndien”. Një emocion të tillë ajo e arriti te Jacob’s Room (1922) duke e shndërruar pikëllimin vetjak për vdekjen e Tojbi Stivënit në “model shpirtëror”. Ndonëse Xhejkëbin e trajton nga fëmi­jëria e deri në vdekjen e tij të hershme, ajo lë jashtë fabulën, konfliktin, madje edhe personazhin. Zbrazëtia e dhomës së Xhejkëbit dhe sendet e tij të papërfillshme që s’kishin lidhje me njëra-tjetrën në thjeshtësinë e tyre, përçojnë zbrazëtinë e thellë të humbjes. Paçka se Jacob’s Room është roman kundër luftës, Uollfi druante se mos ajo kishte guxuar të shkonte mjaft larg me pasqyrimin e tij. Ajo qe betuar ta “përkrahte”, siç i shkruante Klajv Bellit, shartimin e teknikave të tilla eksperimentale në personazhe më me peshë.

Periudha madhore

Në fillim të 1924-s Uollfët e zhvendosën prapë banesën e tyre qytetëse nga rrethinat drejt Blumsbërit, ku qenë më pak të veçuar nga shoqëria londineze. S’kaloi shumë dhe aristokratja Vita-Sekvill-Uesti[11] nisi t’i vardisej Virxhinias, marrëdhënie që do të shpinte në një lidhje lesbike. Meqë pati shkruar tashmë një tregim për zonjën Dallouej, Uollfi mendoi për marifetin e dallimit që do ta bashkonte një grua jashtëzakonisht e ndje­shme me një viktimë që vuan tronditje psikike nga lufta, sikurse zoti Smith, të tillë që “gjendja e shëndoshë mendore dhe mendja e prishur” të ekzistonin “krah për krah me njëra-tjetrën”. Pikësynimi i saj ishte që ajo t’i fuste në “tunel” të dyja personazhet, derisa pohimet e Klarisa Dallouejit të përputheshin me mohimet e Septimës Smithit.

Më 1924 Uollfi mbajti një ligjëratë në Kembrixh: Character in Fiction, të cilën e ripunoi po atë vit dhe e botoi në shtëpinë botuese “Hogarth Press” në trajtën e pamfletit të titulluar Mr. Benett and Mrs. Brown. Në të ajo kremtonte shkatërrimin e vlerave patriarkale që ndodhën “në (apo afërsisht) dhjetorin e 1910-s” – gjatë ekspozitës së Fry Manet and the Post-Impressionists – dhe sulmonte romancierët “materialistë” që ua hiqnin thelbin personazheve.

Te Zonja Dallouej (1925), mjekët pandehin se e kuptojnë personalitetin e pacientit, por u shpëton thelbi i tij. Ky roman është modeluar sipas stilit të pikturës pasimpresioniste, por është edhe një pasqyrim aq i saktë sa lexuesi s’e ka të vështirë t’i ndjekë lëvizjet e Klarisës dhe të Septimësit nëpër rrugët e Londrës në një ditë të vetme qershori të 1923-shit. Në mbarim të ditës, Klarisa organizon një pritje të madhe, ndërsa Septimësi vret veten. Jetët e tyre bashkohen kur doktori që merret me trajtimin (apo, më saktë, me keqtrajtimin) e Septimësit vjen në pritjen e shtruar nga Klarisa për ta dhënë lajmin e vdekjes. Personazhet kryesore janë të lidhura nga motivet dhe, në fund, nga Klarisa që e kupton me intuitë se përse Septima e flaku tutje jetën e vet.

Uollfi dëshironte ta përforconte arritjen që shënoi me Zonjën Dallouej duke shkrirë formën romanore me elegjinë. Si elegji, Udha drejt farit, botuar më 5 maj 1927, në përvjetorin e 32-të të vdekjes së Xhulia Stivënit, përkujton verat fëmijërore të kaluara në shtëpinë “Talland”. Si roman ai theu vazhdimë­sinë rrëfimtare në një ndërtim trepjesësh. Pjesa e parë, “Dritarja”, fillon teksa zonja Ramzi dhe Xhejmsi, djali i saj më i vogël – si Xhulia dhe Adrian Stivëni – rrinte ulur te një dritare e tipit frëng e kasolles në kopsht, ndërkohë që një mysafire e quajtur Lili Briskou i pikturon, ndërsa Xhejmsi lutet që të shkojnë te fari që ndodhet aty pranë. Zoti Ramzi, njëlloj si Lezli Stivëni, poezinë e shikon si didaktizëm, bisedën si pikët që fitohen në lojë, ndërsa jetën si llogari arritjesh. Ai përdor logjikën që t’i shuajë shpresat për të ndërmarrë një udhëtim për te fari, mirëpo duhet që e shoqja t’i shprehë keqardhje. Ajo është më e mësuar me emocionet sesa me arsyen. Në atmosferën e skenës së darkimit, ajo frymëzon një harmoni dhe vetëpërmbajtje të tillë sa ndien “përjetësinë”. Pjesa e dytë e romanit “Koha rrjedh”, që përbën edhe gjysmën e tij, përqendrohet tek orët e lira gjatë një zbrazëtie 10-vjeçare dhe në pastrimin e shtëpisë që kryhet në çastet e fundit në pritje të kthimit të Ramzive. Uollfi përshkruan zhvillimin e barojave, dheut, pluhurit dhe të shkulmave të erës, mirëpo me anë të tyre ajo thjesht njofton ngjarje të mëdha, si vdekja e zonjës Ramzi bashkë me atë të një djali dhe të një vajze. Në pjesën e tretë të romanit, “Udhëtimi drejt farit”, zotin Ramzi, fëmijët e tij më të vegjël (Xhejmzi dhe Kami), Lili Briskou dhe të tjerët Uollfi i kthen nga “Dritarja” në shtëpi. Lili përfundon tablonë teksa zoti Ramzi dhe fëmijët e tij tashmë në moshën e adoleshencës shkojnë te fari dhe ia dalin të përshtaten për një çast. Udha drejt farit ngërthen në vetvete çështjet rreth krijimtarisë, natyrës dhe funksionit të artit. Lili mbron me forcë artin emocional dhe jo artin që s’është përfaqësues. Piktura e saj (ku nëna dhe fëmija katandisen në dy përvijime që i lidh një vijë midis tyre) përkujton ndërtimin abstrakt të romanit thellësisht elegjiak të Uollfit.

Në dy esetë The Art of Fiction dhe The New Biography (1927) ajo do të shkruante se shkrimtarët e letërsisë artistike duhet të merren më pak me nocionet naive të realitetit dhe më shumë me gjuhën dhe qëllimin. Sado të kufizuar nga faktet që mund të jenë, shkruante ajo, biografët duhet të futin në një zgjedhë të vërtetën me përfytyrimin, “fortësinë që është e fortë si graniti” me “paprekshmërinë ngjashëm ylberit”. Meqë marrë­dhënia e Uollfit me Sakvill-Uestin më 1927 qe ftohur, e para kërkoi ta mbronte të dytën me anë të një “biografie”, që në përmbajtje kishte historinë e familjes Sakvill. Dyzimet bio­grafike, historike e ato vetjake Uollfi i zgjidhi me historinë e Orlandos, që jeton në gjithë periudhën elizabetiane përgjatë tërë shekullit 18; paskëtaj ai shndërrohet në femër, përjeton shtrëngesat ligështuese gjinore dhe rron në shekullin 20. Orlandoja nis të shkruajë poezi gjatë Rilindjes, duke përdorur si modele historinë dhe mitologjinë dhe mbas shekujve që pasojnë, i kthehet poezisë The Oak Tree, duke e ripunuar sipas rregullave poetike të ndryshueshme. Uollfi shkruan duke shkër­­byer në mënyrë melodramatike stilet biografike që ndry­shojnë gjatë së njëjtës periudhë kohore. Kështu, Orlando: A Biography (1928) shpërfaq artificializmin si të gjinisë edhe të normave të zhanrit. Pavarësisht se është i çuditshëm, Orlando mbron afrimin e romanit me biografinë.

Xhon Meinard Kinzi më 1921 i tha Uollfit se biografia e saj “mbi Xhorxhin”, paraqitur po atë vit apo një vit më herët në Klubin e Kujtimeve, përfaqësonte shkrimin e saj më të mirë. Më pas ajo sa vinte e inatosej gjithnjë e më tepër me begeninë mashkullore ndaj dhuntive femërore. Në veprën tjetër të saj, A Room of One’s Own (1929), Uollfi fajësonte mungesën e femrës në historinë botërore jo për shkak se s’kishte mend dhe dhunti por, përkundrazi, për shkak të varfërisë së saj. Për fjalimin Professions for Women që mbajti më 1931, Uollfi studioi histo­rinë e punësimit dhe të arsimimit të femrës dhe argumentoi se mundësitë e pabarabarta për femrat ndikonin për keq në mbarë shoqërinë. Ajo i nxiste femrat që të shkatërronin “engjëllin që kishin në shtëpi”, duke e hedhur kështu fjalën për poezinë me të njëjtin titull të Kovëntri Patmore[12], himni mishërues viktorian kushtuar femrave që flijojnë veten për hir të meshkujve.

Mbasi lavdëroi ekspozitën me piktura të Vanesa Bellit më 1930, Uollfi planifikoi një roman mistik, jo vetëm pa emra, por edhe abstrakt. Në The Waves (1931), intervalet poetike përshkruajnë detin dhe qiellin nga agimi gjer në muzg. Midis intervaleve, zërat e gjashtë personazheve me emër shfaqen në pjesët që pasqyrojnë fëmijërinë e tyre deri në moshën e pleqërisë. Në gjysmë të pjesës, kur gjashtë miqtë takohen në një darkë lamtumire të shtruar për nder të një miku tjetër që do të niset për në Indi, lulja e vetme që ndodhet në mes të tryezës shndërrohet në “një lule shtatëfaqëshe… një lule e plotë ku çdo sy i jep dhuratën e vet”. The Waves ofron një pamje gjashtëfaqëshe që sqaron se si çdo individ i përjeton ngjarjet – përfshirë këtu edhe vdekjen e mikut të tyre – në mënyrë të pakundshoqe. Bernardi, shkrimtari i grupit, tregon pjesën përfundimtare, duke sfiduar vdekjen dhe botën “që s’e ka shoqen”. Sado të ndryshme që janë (dhe prototipat e tyre mund të njëjtësohen në grupin “Blumsbëri”, personazhet njësohen, ashtu si deti dhe qielli bëhen të padallueshëm tek intervalet. Kjo njënjëshmëri me tërë krijimin ishte përvoja parake që Uollfi pati si fëmijë në Kornuëll. Në këtë roman, ndër më eksperimentalët e saj, ajo arriti barasvlerësin e tij poetik. Nëpërmjet Udha drejt farit dhe The Waves (Valët), Uollfi, tok me Xhejms Xhojsin[13] e Uilliam Folknërin[14], u bë një nga tri eksperimentueset e mëdha moderniste të gjuhës angleze që shkroi sipas stilit të “përroit psikik”.

Krijimtaria e mëvonshme

Qysh në hershmëri të jetës së saj, Uollfi i përftoi përvojat në antagonizëm të plotë njëra me tjetrën, edhe pse i qante zemra për një gjendje të tërësishme përtej përndarjeve dyjare. “Martesa e përhershme e granitit me ylberin”, siç do ta përshkruante Uollfi në esenë The New Biography, tipizonte afrimin e saj gjatë viteve 1930 ndaj veprave individuale dhe ndaj një drejtpeshimi midis veprave të shkruara me fakte dhe me imagjinatë. Që para se të përfundonte The Waves, ajo nisi të krijonte një album me fotografi dhe artikuj të prerë nga revistat dhe gazetat që ilustronin tmerret e luftës, kërcënimin e fashizmit dhe shtypjen e grave. Diskriminimi kundër grave që Uollfi kishte shtjelluar në A Room of One’s Own dhe Professions for Women e frymëzoi të planifikonte një libër që do ta ndiqte historinë e një familjeje të sajuar, të quajtur Pargiter, në të cilin shpjegonte kushtet ekonomike që do të ndikonin tek anëtarët e familjes për një periudhë kohe. Te The Pargiters: A Novel-Essay ajo do t’i ndërkëmbente pjesët e trilluara me ato me fakte. Për tregimin historik të trilluar, ajo u mbështet te përvojat e miqve dhe të familjes nga epoka viktoriane e viteve 1930. Për esetë, kërkoi një hark kohor prej 50 vjetësh. Megjithatë, puna për të lëvizur nga trillimi te fakti qe e frikshme.

Uollfi bëri pushim nga The Pargiters që të shkruante një biografi të rreme për Flush-in, qenin e poetes Elizabet Barrët Brauning. Paçka se Litën Streiçi kishte vdekur kohët e fundit, Uollfi e kaloi në heshtje shakanë e lehtë të metodës së tij biografike; megjithatë, Flush (1933) ngelet jo vetëm satirë biografike, por edhe eksplorim gazmor, në rastin e një qeni. Më 1935 Uollfi përfundoi Freshwater, një dramë absurde mbështetur mbi jetën e tetos së saj, Xhulia Margaret Kamëron. Duke nxjerrë në pah edhe figura të tjera të shquara, si poetin Alfred lord Tenizën[15] dhe piktorin Xhorxh Fredrik Uots[16], kjo pjesë teatrale turbulluese satirizon nocionet e virtytshme të artit viktorian.

Ndërkohë, Uollfi druante se mos s’do ta përfundonte asnjëherë The Pargiters. Kalimi herë në një lloj proze e herë në një lloj tjetër proze po bëhej mjaft i mundimshëm, ndërsa libri po bëhej tepër i gjatë. Kësaj mëdyshjeje ajo i dha zgjidhje duke hequr pjesët që përmbanin ese dhe duke mbajtur rrëfimin për familjen, ndërsa librin e rititulloi The Years. Nëpërmjet tij ajo tregoi 50 vjet histori familjare përmes sis­temit klasor dhe atij patriarkal, ngritjen e feminizmit dhe kanosjen e një lufte tjetër. E dëshpëruar për ta përfunduar, Uollfi e lehtësoi librin me jehona poetike gjestesh, sendesh, ngjyrash, tingujsh, duke hequr pjesët e panevojshme, duke prerë përhitjet e Eleanor Pargiter-it dhe referimet e qarta për trupin e grave. Romani ilustron dëmin ndaj femrës dhe shoqërisë përgjatë viteve me anë të dhunës, paditurisë dhe diskriminimit seksual. Për shkak (apo mbase) të zbukurimit që Uollfi i bëri radikalizmit në libër, The Years (1937) pati shitje të mëdha.

Kur Fraji vdiq më 1934, Virxhinia u brengos; Vanesa u dërrmua shpirtërisht. Më pas, në korrik të 1937-s, djali i madh i Vanesës, Xhulian Belli, mbeti i vrarë në luftën vëllavrasëse spanjolle derisa ngiste një autoambulancë të ushtrisë repub­likane. Vanesa u brengos aq shumë sa për njëfarë kohe Virxhinias iu desh të linte mënjanë të shkruarin në përpjekje për ta ngushëlluar të motrën shpirtplasur. Në heshtje një vajtim për vdekjen e Xhulianit, ndërsa botërisht një fjalim demaskues ndaj luftës, Three Guineas (1938) parashtron përgjigjet se si mund të parandalohet lufta. Uollfi lidhi sim­bolet mashkullore të pushtetit me militarizmin dhe mizo­gjininë[17], argument ky që mbështetet nga shënimet e nxjerra nga artikujt dhe fotografitë e prera nga revistat dhe gazetat që shkruanin për agresionin, fashizmin dhe luftën.

Ende e pikëlluar nga vdekja e Roxhër Frajit dhe e Xhulian Bellit, ajo vendosi t’i provonte teoritë e saj mbi biografinë romanore eksperimentale kushtuar jetës së Frajit. Sikurse e pranonte edhe te The Art of Biography (1939), dëshmitë kokë­forta gati sa s’e çuan në dëshpërim mbi mundësinë e shkrimit të një biografie të përfytyruar. Për arsye të stërmundimit për ta përfunduar biografinë e Frajit, Uollfi shkroi një dramë në vargje për historinë e letërsisë angleze. Romani tjetër i saj, Pointz Hall (më vonë i rititulluar Between the Acts), do ta për­fshinte dramën si paradë me kostume historike të mbajtur nga fshatarët, ndërsa gjindes do t’i përcillte kumte të ndryshme. Duke bërë edhe një pushim tjetër me biografinë e Frajit, Uollfi iu rikthye fëmijërisë së saj me A Sketch of the Past, një shënim autobiografik rreth ndjenjave të saj të përziera ndaj prindërve dhe të shkuarës së vet, sikurse edhe ndaj vetë të shkruarit. (Në këtë shkrim del për herë të parë në sipërfaqe kujtimi i adoleshentit Xherald Dakuith, gjysmëvëllait të saj, i cili e prek në mënyrë të papërshtatshme kur ajo ishte mbase katër a pesë vjeçe.) Uollfi e përfundoi biografinë e saj nëpër­mjet huazimit që bëri nga letërkëmbimi i Frajit me Vanesën. Megjithëse e bindur se Roger Fry (1940) qe më shumë granit se ylber, Virxhinia ia bënte qejfin vetes, ngaqë së paku Vanesës i dha “Roxherin e saj”.

Qetësuesi kryesor i Uollfit kundër Adolf Hitlerit[18], Luftës II Botërore dhe dëshpërimit të saj ishte shkrimi. Gjatë bombar­dimit të Londrës (1940-1941) ajo punoi autobiografinë e saj dhe romanin Between the Acts. Në të lufta kërcënon artin dhe njerëzimin; në ndërveprimin midis shfaqjes teatrale historike – të zhvilluar në një ditë qershori të 1939-s – dhe shikuesve, Uollfi shtron pyetjet rreth perceptimit dhe kundërveprimit. Pavarësisht prej vërtetimit që Between the Acts i bënte vlerës së artit, Uollfi shqetësohej se ky roman qe “tepër i dobët” dhe se të gjitha shkrimet qenë të parëndësishme, ndërkohë që Anglia dukej se ishte në prag të pushtimit, kurse qytetërimi gati të shkiste në humnerë. Teksa përballej me tmerre të tilla, Uollfi e brengosur pa se nuk shkruante dot më. Djajtë e vetëdyshimit, që ajo për një kohë të gjatë i kishte mbajtur larg, iu rikthyen për ta përndjekur. Më 28 mars 1941, ngaqë druante se tani i mungonte vendosmëria për t’i mposhtur ata, ajo shkoi prapa Shtëpisë së Murgut, zbriti te lumi Yz, mbushi xhepat me gurë dhe u mbyt. Between the Acts u botua po atë vit, pas vdekjes së saj.

Vlerësimi

Eksperimentimet e Uollfit me këndvështrimin vërtetojnë se, siç mendon Bernardi në The Waves, “ne s’jemi të veçantë”. Duke mos qenë as të veçantë e as të përcaktuar, përkapja është e paqëndrueshme në romanet e saj, njëlloj si bota që ajo pasqyron. Ndërsa Xhojsi dhe Folknëri i ndajnë monologët e brendshëm të personazheve nga njëri-tjetri, rrëfimi i Uollfit lëviz midis monologëve të brendshëm dhe të jashtëm dhe mes personazheve pa kufij ndarës të përcaktuar qartas. Mandej, ajo shmang mbylljen në vetvete të shumë prej bashkëkohësve të saj dhe parakupton një shoqëri të vrazhdë, pa dhënë hollësi të qarta që disa prej kohanikëve të saj ndiheshin të detyruar t’i pasqyronin. Format e saj jodrejtvizore e ftojnë lexuesin jo për zgjidhje të thjeshta, por për një zbërthim estetik të “copave drithëruese”, sikurse shkroi ajo më 1908. Edhe pse stili i pjesëzuar i Uollfit është dukshëm modernist, paqartësia e saj i paraprin vetëdijes pasmoderne të zhdukjes së caqeve dhe të gjinive të ndryshme.

Shumë nga esetë e Uollfit mbi artin e të shkruarit dhe mbi leximin sot ruajnë thirrjen e saj ndaj gamës, sipas fjalëve të Samjuell Xhonsënit[19], të lexuesit të “zakonshëm” (të përgjithshëm). Përmbledhja e eseve të Uollfit The Common Reader (1925) u pasua nga The Common Reader: Second Series (1932; botuar edhe me titullin The Second Common Reader). Gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës ajo vazhdoi të shkruante ese mbi leximin dhe të shkruarit, mbi femrat dhe historinë e mbi shtresat shoqërore dhe historinë. Shumë prej tyre mbas vdekjes së saj u mblodhën në vëllime të tëra dhe u botuan nga Leonard Uollfi.

Virxhinia Uollfi ka shkruar shumë më tepër letërsi artistike se Xhojsi dhe letërsi joletrare se Xhojsi apo Folknëri të marrë së bashku. Gjashtë vëllime me ditarë (duke përfshirë revistat e saj të hershme), gjashtë vëllime me letra dhe vëllime të panumërta me esetë e mbledhura tregojnë për përfshirjen e saj të thellë në çështjet e mëdha të shekullit 20. Paçka se mjaft prej eseve të saj filluan si vështrime kritike, të shkruara pa emër dhe me afate kohore për të fituar të holla, e mund të përfshijnë forma imagjinare dhe spekulime të çuditshme, ato përbëjnë hulumtime serioze mbi shkrimin dhe këndimin, mbi romanin dhe artet, perceptimin dhe thelbin, luftën dhe paqen, shtresat shoqërore dhe politikën, privilegjet e diskriminimin dhe nevojën për reformimin e shoqërisë.

Gjuha e sikletshme e Uollfit, vlerësimet e saj parashikuese sa iu përket çështjeve të mëdha historike, politike, femërore dhe artistike tok me eksperimentimet e saj revizioniste me for­mën romanore gjatë një karriere jashtëzakonisht prodhimtare, ndryshuan rrjedhën e letrave moderniste dhe pasmoderniste. /Revista “Akademia”/

_________________

[1] Teknikë rrëfimtare në letërsinë jodramatike që ka për qëllim ta sjellë përroin e përshtypjeve – pamore, dëgjimore, fizike, shoqëruese dhe të nënvetëdijes – që ushtrojnë trysni në ndërgjegjen e individit dhe përftojnë një pjesë të vetëdijes dhe të mendimeve të tij të arsyeshme. Kjo teknikë u përdor për herë të parë nga psikologu William James në The Principles of Psychology (1890), ndërsa romani psikologjik zhvillohej në shekullin e 20-të, disa shkrimtarë u përpoqën që ta kapnin “përroin e ndërgjegjes” së personazheve të tyre, duke përfshirë copëza mendi­mesh, ndërtime jogramatikore dhe shtjellime fjalësh të lira në nivelin e para­ligjërimit. Në këtë lloj romani u përdorën teknikat e monologut të brendshëm.

[2] Arthur Clive Heward Bell (1881-1964), kritik anglez arti, i cili ndihmoi në popullarizimin e artit të pasimpresionistëve në Britaninë e Madhe.

[3] Giles Lytton Strachey (1880-1932), biograf dhe kritik anglez që çeli një epokë të re të shkrimit biografik nga fundi i Luftës së Parë Botërore.

[4] John Maiynard Keynes (1883-1946), ekonomist, gazetar dhe financier anglez, i njohur më së shumti për teoritë e tij ekonomike mbi shkaqet e papunësisë së zgjatur.

[5] Roger Eliot Fry (1866-1934), piktor dhe kritik britanik arti që njihet si mbrojtës i lëvizjes që ai e quajti post-impressionism.

[6] Paul Cézanne (1839-1906), piktor francez, një nga më të mëdhenjtë e pasimpresionizmit, veprat dhe idetë e të cilit kanë ushtruar ndikim në zhvillimin estetik të piktorëve dhe të rrymave artistike të shekullit të 20-të, sidomos sa i përket kubizmit.

[7] Pablo Picasso (1881-1973), skulptor, qeramist dhe piktor skenik spanjoll i çatdhesuar; një nga piktorët me ndikimin më të madh në shekullin e 20-të dhe krijues (bashkë me Georges Braque) i kubizmit.

[8] Duncan James Corrowr Grant (1885-1978), piktor britanik novator dhe modelist. Ai ka qenë një nga të parët piktor anglez që përvetësoi ndikimin e Pol Sezanit dhe të Fovit.

[9] Emërtim jozyrtar për kopshtet botanike mbretërore, Kju, në perëndim të Londrës, Angli. Ato përmbajnë koleksionin më të madh të bimëve në botë.

[10] Lumë 48 kilometra i gjatë që ndodhet në juglindje të Anglisë. Buron nga Sasiksi dhe derdhet në kanalin e La Manshit.

[11] Vita Sackville-West (1892-1962), shkrimtare britanike.

[12] Patmore, Coventry (Kersey Dighton) (1823-1896), poet dhe eseist anglez, poezia e tij më e arrirë, The Unknown Eros and Other Odes, përmban ode mistike të dashurisë hyjnore dhe të dashurisë martesore, të cilat ai i shihte si pasqyrim të dashurisë së Krishtit për shpirtin.

[13] James Augustine Aloysius Joyce (1882-1941), romancier irlandez. Teknikat e tij të reja, si tek Uliksi (1922) dhe te Zgjimi i Fineganëve (1939), e kanë bërë një nga shkrimtarët modernë më me ndikim.

[14] William Cuthbert Faulkner (1897-1962), shkrimtar amerikan. Ai mbahet si një nga romancierët më të mëdhenj amerikanë për veprat që shkroi sipas rrymës “përroi psikik” mbi jetën në jug të Shteteve të Bashkuara. Më 1949 fitoi Çmimin Nobel në Letërsi.

[15] Lord Tennyson Alfred (1809-1892), poet anglez i cili shpesh mbahet si përfaqësuesi kryesor i epokës viktoriane në letërsi.

[16] George Frederic Watts (1817-1904), piktor dhe skulptor anglez që mishëroi tema të mëdha alegorike.

[17] Në anglisht shkruhet misogyny dhe do të thotë të kesh urrejtje ndaj gjinisë femërore si grup seksual.

[18] Adolf Hitler (1889–1945[?]), udhëheqës gjerman i lindur në Austri. Ai ishte bashkëthemelues i Partisë Naziste në Gjermani (1919) dhe u bë kancelar më 1933. Pushtimi që i bëri Polonisë më 1939 çoi në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Ai zbatoi politika kundërsemite që shpunë drejt Holokaustit.

[19] Samuel Johnson (1709-1784), leksikograf, poet dhe kritik anglez. Ai mbahet mend sidomos për Dictionary of the English Language.