LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet shtyjnë reciprocitetin me Serbinë

Bisedimet shtyjnë reciprocitetin me Serbinë

Aplikimi i taksës doganore për mallrat që futen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk ndodhi më datën 15 qershor, ashtu siç ishte paralajmëruar nga ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. Qeveria e Kosovës, sipas saj, po pret nga bashkësia ndërkombëtare që të ofrojë garanci se Serbia do ta pranojë marrëveshjen për tregti dhe pranimin e vulave qysh në takimin e ardhshëm të palëve në negociata që do të mbahet në fund të muajit qershor.

Nëse në këtë raund të bisedimeve nuk arrihet marrëveshja, sipas Kusari-Lilës, do të aplikohen taksa doganore brenda pak ditëve. Ajo, tha se aplikimi i taksës doganore do të aplikohet edhe para se të mbahet raundi i pestë i bisedimeve, nëse bashkësia ndërkombëtare që është e inkuadruar në këtë proces paralajmëron se Serbia nuk e ka ndërmend t’i pranojë vulat dhe marrëveshjen për tregti të lirë.

“Madje, nëse Serbia nuk i pranon vulat pas raundit të pestë, do të shkohet me bllokim total të importit ”, ka thënë Mimoza Kusari -Lila.

Sipas saj, vendimi për aplikimin e taksës doganore, por edhe bllokadës totale është i pakthyeshëm. “Është çështje ditësh fillimi i aplikimit të taksave doganore për prodhimet serbe. Nuk ka kthim mbrapa në vendimin për aplikimin e masave doganore dhe bllokadës së plotë”, ka thënë Kusari-Lila.


Ajo ka shpjeguar edhe një opsion tjetër që taksa doganore të fillojë të aplikohet para raundit të pestë të bisedimeve. “Nëse aplikojmë tash taksën doganore, por në raundin e pestë e shohim se arritja e marrëveshjes është shumë larg, atëherë do të aplikohet menjëherë bllokada totale”, është shprehur Kusari- Lila.

Ajo ka thënë të ketë marrë garanci nga Bosnjë-Hercegovina për shqyrtimin e pranimit të vulave të Kosovës, shkruan Koha Ditore.

Ndërkohë, udhëheqja e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se duhet të pritet nëse do të ketë rezultate, e tek pastaj të ndërmerret ndonjë vendim rreth aplikimit të taksave doganore për mallrat serbe. “Duke qenë se jemi në dialog për çështjet e tregtisë së lirë, atëherë ndoshta është më mirë të udhëhiqemi me një politikë strategjike, pra të shohim se a do të këtë rezultat gjatë këtij muaji. Natyrisht, në qoftë se pala serbe vazhdon të prolongojë marrëveshjen për tregtinë e lirë gjithsesi se duhet të vihen taksa doganore”, ka thënë ajo, duke shtuar se raundi i pestë i bisedimeve teknike do të mbahet në fund të këtij muaji. “Qëndrimi i ministres Kusari për aplikimin e taksave doganore është qëndrim drejt reciprocitetit, është një qëndrim i drejtë”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

Që nga vera e vitit 2008, Serbia i kishte bllokuar eksportet e Kosovës, duke mos i njohur vulat e Doganës së Republikës së Kosovës. Që atëherë, Serbia lirshëm eksportonte mallrat e veta në Kosovë. Importet vjetore nga Serbia kalojnë shifrën e 250 milionë eurove, ndërsa bllokon çdo hyrje të mallrave me dokumente të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/