LAJMI I FUNDIT:

ATK, amniston keqpërdoruesit

ATK, amniston keqpërdoruesit

Mbi 170 biznese joaktive, që nuk paguajnë fare tatime, kanë përfituar tenderë dhe para në vlerë mbi katër milionë euro nga buxheti i Kosovës, vetëm gjatë vitit 2010. Nga ana tjetër, të njëjtat biznese i kanë borxh Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) miliona euro. Sipas Auditorit, ATK-ja pavarësisht kësaj, vazhdon t’i mbajë ato në evidencë.

Administrata Tatimore e Kosovës po i mban në evidencë bizneset joaktive, që nuk paguajnë fare tatime, duke iu mundësuar kështu të njëjtave të përfitojnë tenderë nga Qeveria e Kosovës. Sipas Auditorit Gjeneral për ATK-në, bëhet fjalë për 171 biznese të këtij lloji.

Nga kjo, buxheti i Kosovës vetëm për vitin 2010 është dëmtuar më shumë se 4 milionë euro. “Nga evidenca e bizneseve të kategorizuara si joaktive, ne kemi identifikuar se 171 biznese nga 37034 kanë realizuar të hyra nga buxheti i Kosovës për vitin 2010 në shumë 4,281,963 euro”, thuhet në raportin e Auditorit për ATK-në. Këto ishin realizuar nga marrëdhëniet kontraktuese që tatimpaguesit joaktivë kishin me operatorë të ndryshëm, shkruan Express.

Për me tepër, Auditori konstaton se në shumën prej 4.2 milionë eurove, sa kanë përfituar këto biznese, nuk janë të përfshira të hyrat e tjera që kanë mundur të realizojnë këto biznese nga aktivitetet private. “Ka biznese që nuk kanë paguar dhe as deklaruar asnjëherë tatime, ndërsa në anën tjetër, kanë realizuar të hyra përmes Thesarit”, konstaton Auditori.


Gjatë testimit të listës së bizneseve që kanë realizuar të hyra nga buxheti i Kosovës, ZAGJ-i ka vërejtur se 304 prej këtyre bizneseve kanë borxhe në ATK. Për me tepër, këto biznese nuk janë në ndonjë marrëveshje për pagimin e borxheve dhe as në listën e marrëveshjeve për faljen e tyre. /Telegrafi/