LAJMI I FUNDIT:

Me pyje synojnë uljen e papunësisë

Me pyje synojnë uljen e papunësisë

Filloi projekti “Mbështetje Zbatimit të Politikave dhe Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë”. Ky projekt, është i fokusuar në zbatimin e strategjisë së miratuar për zhvillimin e pylltarisë në Kosovë 2010 – 2020. Po ashtu projekti ka edhe qëllim rritjen e personave të cilët punësohen në ketë fushë.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se projekti i financuar nga Qeveria e Finlandës do ta ndihmojë zbatimin e aktiviteteve në kuadër të shtyllës së parë dhe asaj të tretë të strategjisë së pylltarisë dhe do të ndikoj fuqishëm edhe në pjesën tjetër të aktiviteteve që lidhen me realizimin e caqeve finale që dalin nga kjo strategji. “Ne jemi duke punuar në zbatimin e strategjisë së pylltarisë dhe në një varg aktivitetesh që lidhen me reformën ligjore dhe institucionale për këtë sektor. Një element shumë i rëndësishëm i natyrës ligjore që lidhet drejtpërdrejtë me këtë strategji është edhe ligji i ri për pyjet, i cili është në agjendën tonë”, tha ministri Stavileci.

Ismo Kolehmainen, Zëvendësdrejtor i Njësisë për Zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor, i cili ishte edhe përfaqësues i Qeverisë së Finlandës tha se qëllimi kryesor i programit është zvogëlimi i varfërisë në pajtueshmëri me objektivat e strategjisë për zhvillimin e pylltarisë në Kosovë. “Finlanda do të kontribuojë në këtë projekt me një shumë prej tre milionë euro, sepse shfrytëzimi i qëndrueshëm i pyjeve është një prej faktorëve kyç në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës”, tha Kolehmainen.

Kohëzgjatja e projektit është tri vjeçare dhe agjencioni ekzekutues i projektit është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). /Telegrafi/