LAJMI I FUNDIT:

KE-ja pesë milionë euro për uljen e papunësisë

KE-ja pesë milionë euro për uljen e papunësisë

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (KE), filloi Programin “Beautiful Kosovo”, projekt ky me vlerë mbi pesë milionë euro që ka si synim adresimin e varfërisë dhe papunësisë afatgjatë përmes masave aktive në tregun e punës për promovimin e mundësive për vende pune të lidhura me skemat për rigjenerim publik.

Shkalla e lartë e papunësisë dhe varfëria e përhapur në Kosovë demonstrojnë domosdoshmërinë për veprime të menjëhershme për adresimin e këtyre sfidave.

Aktivitetet e dizajnuara të programit do të kontribuojnë në përmirësimin e gjithëmbarshëm të gjendjes ekonomike dhe sociale në Kosovë përmes gjenerimit të mundësive për punësim në kuadër të Kompanive Lokale Publike dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të identifikuara. Projektet gjithashtu përmes arsimit dhe trajnimit profesional do të rrisin aftësitë e punës për të papunët afatgjatë, duke i dhënë përqendrim të veçantë grupeve të cenueshme, dhe do të përmirësojë infrastrukturën urbane dhe sociale përmes implementimit të projekteve për punë publike, si gjelbërim të hapësirave publike dhe punë të tjera.

Të enjten komunat janë ftuar nga KE-ja për Propozime për pjesëmarrje në program. Pritet që secila komunë në Kosovës të prezantojë së paku tri projekte të punëve publike për implementimin në territorin e tyre. Propozimet e komunave do të konkurrojnë për t’u përzgjedhur për pjesëmarrje në programin “Beautiful Kosovo”.


Shefi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Björnsson, tha se ky projekt është një mundësi e mirë për të gjitha komunat e Kosovës. “Komunat gjatë propozimit të projekteve duhet të kenë parasysh qasjen e dyfishtë. Në njërën anë, numrin e vendeve afatshkurtra të punës që mund të krijohen me projektet e propozuara dhe në anën tjetër përmirësimin e mjedisit të komunës, pasi që propozimet priten të rrisin kapacitetin për zhvillimin e turizmit në mënyrë që të krijohen vende pune afatgjata të qëndrueshme."

Ky Program i financuar nga BE-ja menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (ONM) në partneritet me Këshillin Danez për Refugjatë dhe do të implementohet për një periudhë 30 mujore. /Telegrafi/