LAJMI I FUNDIT:

Mishtarët ankohen te Mimoza

Mishtarët ankohen te Mimoza

Importuesit dhe Prodhuesit e Produkteve me prejardhje shtazore kërkuan që procedurat e ankimimit të ngritura nga bizneset të rregullohen dhe të mos stërzgjaten pasi kjo gjë po ndikon drejtpërdrejt në uljen e efikasitetit në punë, si dhe besimin ndaj institucioneve të Kosovës, ata këtë kërkesë ia shtruan gjatë një takimi të enjten, zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila, tha se është duke u hartuar një plan ekonomik, që do të ketë rezultate konkrete për shkurtimin e këtyre procedurave, pasi ky është synimi i digasterit që ajo drejton.

Në takim po ashtu u diskutua edhe çështja e komisionit për masa antidamping, se kur u formua dhe çfarë aktivitete do të kryejë. Komisioni në fjalë përbëhet nga përfaqësues të gjashtë ministrive dhe doganave të Kosovës. Qëllimi i tij është ofrimi i kushteve sa më të mira të bizneseve dhe parasheh mbrojtjen e prodhuesve vendorë.


Komisioni ka krijuar gjithashtu edhe një pyetësor, që i adresohet importuesve dhe prodhuesve në vend. Ky komision vepron në bazë të këresave të parashtruara nga ana e bizneseve.

Në këtë takim u parashtrua një kërkesë nga ana e MTI-së, që të bashkëpunohet me autoritetin doganor dhe ministritë e tjera në mënyrë që bizneset të jenë të informuar se çfarë dokumentesh janë të nevojshme dhe të mjaftueshme për t’i prezantuar pranë autoriteteve doganore që vlerat e importit të mos ndryshohen. /Telegrafi/