LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet anulimi i tenderit të rrugëve

Kërkohet anulimi i tenderit të rrugëve

Ekspertë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i kanë rekomanduar të martën Ministrisë së Infrastrukturës që të bëjë anulimin e tenderit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, tender i cili buxhetit të Kosovës i kushton mbi 10 milionë euro.

Në dokumentin e përpiluar nga ekspertët, të cilin e ka siguruar “Zëri”, bëhet me dije se bazuar në katër ankesat e dorëzuara pas shpalljes së tenderit është vërtetuar se MI-ja gjatë dhënies së tenderit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik dhe atë nenin 7, si dhe nenet 27 e 28.

“Ekspertët shqyrtues mendojnë që autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Republikës së Kosovës 2011-2012”, me numër të prokurimit MI/11/001/111 të bëjë anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe nëse shpreh interesim të fillojë procedurë e re e prokurimit-ritenderim”, thuhet në dokumentin të cilin e ka siguruar gazeta, e të cilin e kanë nënshkruar ekspertët të OSHP-së, Azem Duraku dhe Sabrije Bullatovci.

Shkeljet e raportuara nga gazeta më 12 maj tashmë janë evidentuar edhe nga ekspertët e OSHP-së, të cilët kanë kërkuar ritenderim duke përmendur një nga shkeljet që janë bërë në tenderin, i cili ishte shpallur më 8 mars e mbyllur më 15 prill, ndërsa më 18 të të njëjtit muaj ishte bërë hapja e ofertave. Shpallja e tenderit kishte rezultuar me nëntë kompani fituese, ndërsa 33 kishin aplikuar gjithsej.


Katër nga kompanitë jofituese që kanë pretenduar se janë bërë shkelje gjatë dhënies së tenderit, kishin parashtruar ankesat pranë OSHP-së. Në afatin dhjetëditor, ankesat e tyre i kishin paraqitur kompania “Magjistralja”, kompanitë “EuroKos & Drenica”, kompanitë “Shkoza & Marsi” si dhe kompania “Bejta Commerce”.

Bazuar në ankesat e kompanive, ekspertët, gjithnjë sipas dokumentit, kanë konstatuar se nuk janë respektuar procedurat e prokurimit për ushtrimin e këtij aktiviteti të prokurimit konform Ligjit të Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës.

Ekspertët kanë konstatuar se gjatë vënies së kritereve janë eliminuar dhe diskriminuar shumë operatorë ekonomikë.

“Kriteret e përzgjedhjes të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues duhet të ofrojnë qasje të barabartë për tenderuesit dhe nuk duhet të ketë efektin e krijimit të pengesave për hapjen e konkurrencës së prokurimit publik”, thuhet në raportin e ekspertëve. /Zëri/Telegrafi/