LAJMI I FUNDIT:

FMN-ja ngrin fondet për Kosovën

FMN-ja ngrin fondet për Kosovën

FMN-ja nuk do t’ia alokojë Kosovës 136 milionë eurot e premtuara, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit civilë. Qëndrimi i institucionit më të lartë financiar në botë publikohet sot. Megjithëkëtë, milionat e premtuara mund t’i jepen Prishtinës vitin e ardhshëm, nëse ekipi monitorues i FMN-së vëren performacë të mirë financiare gjatë këtij viti, shkruan Express.

Qeveria e Kosovës nuk do të përfitojë asnjë cent gjatë këtij viti, nga kreditë dhe donacionet e premtuara nga institucionet financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngrirë fondet prej mbi 135 milionë euro, që është dashur t’i dalin në konto ketë vit Qeverisë se Kosovës.
Lajmin për këtë, shkruan gazeta, e kanë konfirmuar burime të sigurta brenda Qeverisë se Kosovës. “Kjo i bie që gjatë këtij viti nuk do të ketë pare. Do të ngrihen 136 milionë euro.

Sot FMN-ja, përmes një njoftimi, bën publik këtë vendim”, ka thënë i njëjti burim, të martën.
Marrëveshja “Stand-by”, me këtë institucion financiar, sipas rregullave të FMN-së, ngrihet në ato raste kur shtetet nuk e respektojnë programin me ketë institucion. Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe me Kosovën, e cila ‘devijoi’ nga marrëveshja, pas vendimit të Qeverisë se Kosovës për rritje pagash.

Sipas burimit, gjatë kësaj kohe, FMN-ja do ta monitorojë ecurinë buxhetore, për të shikuar kah fundi i vitit se a plotësohen kushtet për zhbllokimin e programit.
Për këtë punë, një delegacion i Fondit qëndroi në Kosovë rreth dy javë, dhe tek të mërkurën pritet që të dilet me qëndrim zyrtar.


Selim Thaçi, nga Ministria e Financave, nuk e ka konfirmuar ketë, por ka thënë se bashkëpunimi me FMN-në do të vazhdojë. “Nuk kemi dalë nga programi i FMN-së. Do të vazhdojmë bashkëpunimin”, theksoi ai, duke mos pranuar të flasë për detajet. /Telegrafi/