LAJMI I FUNDIT:

Gjermani, ndalohet konsumimi i trangujve

Gjermani, ndalohet konsumimi i trangujve

Gjermaneve u është kërkuar të mos konsumojnë më trangujt deri sa analizat shkencore të identifikojnë burimin e shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse nga Escherichia Coli që ka marrë 10 jetë njerëzish nëpër Evropë.

Tranguj organike të importuar nga Spanja besohet të jenë shkaku i sëmundjes, megjithatë testime të mëtejshme po kryhen për përcaktimin e saktë të origjinës së bakterit vrasës. Perimet e prekura prej tij kanë lënë qindra vetë me probleme të veshkave në Suedi, Danimarkë, Holandë dhe Britani.

Të dielën, edhe autoritetet çeke e ato austriake tërhoqën nga tregu sasi kastravecësh të kultivuar në Spanjë. Tranguj të infektuar nga Escherichia Coli jane eksportuar edhe në Hungari dhe Luksemburg. Dy sera në Spanje të identifikuara si burim i sëmundjes janë mbyllur, ndërsa po hetohet për të parë nëse ka edhe vatra të tjera, transmeton Tch. Epidemia, të cilën qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve e cilëson si një nga më të mëdhatë të raportuara ndonjëherë në Gjermani, ka goditur me rende zonën e Hamburgut.

Ajo që çuditi ekspertët ishte fakti që sëmundjet e shkaktuara nga Escherichia Coli zakonisht prekin fëmijët sidomos ata nën moshën 5 vjeç, por në rastin e Gjermanisë, 90 për qind e të infektuarve janë të rritur, dhe dy të tretat e tyre gra.


Sëmundja nuk është ngjitëse, por mund ta kalohet nga një njeri tek tjetri, nëse personi i prekur përgatit ushqim për të tjerët. Sipas autoriteteve gjermane, burimi i epidemisë që shkakton bllokim të veshkave, diarre hemorragjike dhe dëmtim të sistemit nervor është ende aktiv, çka do të thotë se epidemia mund të vazhdojë të përhapet. /Telegrafi/