LAJMI I FUNDIT:

PTK, një milion euro për katër televizione

PTK, një milion euro për katër televizione

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka arritur që nëpërmjet tenderëve njëburimor t’i blejë hapësirat reklamuese në katër televizione vendore, edhe pse kjo i ishte refuzuar fillimisht nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP).

PTK-ja e ka arritur këtë qellim që do t’i kushtojë mbi një milion euro falë një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ka dalë mbi vendimin e APP-së.

“Blerja e hapësirave mediale për TV” me numër të prokurimit: PTK 11 081 115, i garanton Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Koha Vizionit (KTV), Radiotelevizionit 21 (RTV 21) dhe Klan Kosovës, se do të marrin reklama gjatë tërë vitit.

Për më shumë, katër televizionet do të përfitojnë 100 për qind më shumë para nga PTK-ja, raportoi Ekonomisti.


Sipas kontratës së re, edhe pse nuk është bërë publike, me vendim të datës 18 mars të këtij viti të OSHP-së, PTK-ja pret të shpenzojë më shumë se 980 mijë euro, edhe pse në vitin 2010 për po këtë punë kishte shpenzuar 419 mijë euro.

Edhe në vitin 2011, ashtu si një vit më parë, APP-ja kishte qenë kundër që PTK-ja të nënshkruajë kontratë, që nuk do të bëhej publike me katër televizionet, por edhe atëherë i pati dalë në “rrugë” OSHP-ja, duke vendosur kundër kësaj agjencie, e në favor të PTK-së.

Tash, kur PTK-ja veç e mori bekimin e OSHP-së që të blejë hapësirën mediale të katër televizioneve të Kosovës, OSHP-ja thotë se vendimi i APP-së, që ishte kundër, nuk është i bazuar, por nuk përmend citate nga ky vendim, si fakt, pos që përmenden pretendimet e PTK-së se ky tender është specifik.

Megjithatë, PTK-së edhe pse iu lejua që të zhvillojë tender njëburimor me katër televizionet, OSHP-ja i ka tërhequr vërejtjen PTK-së që të jetë aktive në caktimin e kushteve të kontratës me mediat në fjalë. /Telegrafi/