LAJMI I FUNDIT:

Përfundon panairi EXPOKOS

Përfundon panairi EXPOKOS

CEO ka njoftuar se sot (e shtunë) përfundon edicioni i dhjetë i panairit ndërkombëtar të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës dhe industrisë së drurit EXPOKOS 2011.

Panairi EXPOKOS gjatë këtyre katër ditëve ishte në qendër të vëmendjes së të gjithë komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushave të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës dhe industrisë së përpunimit të drurit, si dhe opinionit publik.

Gjatë kësaj kohe u zhvilluan takime të rëndësishme në mes të bizneseve nga Kosova me ato nga Greqia, të organizuara nga Oda Ekonomike e Kozanit.

Po ashtu takime të rëndësishme ishin edhe ato në mes të bizneseve nga Kosova me ato Italiane në organizim të Komisionit Italian për Tregti dhe Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë me mbështetjen e ambasadorit Italian në Kosovë Giffoni i cili gjatë takimit shprehu përgëzimet e tij për suksesin e panairit EXPOKOS dhe inkurajoi investitorët Italianë për t’u involvuar më fuqishëm në tregun kosovar.


Si pjesë e aktiviteteve të panairit EXPOKOS u mbajtën po ashtu edhe prezantime interesante nga ekspertë të fushës së ndërtimit, izolimeve dhe tema tjera interesante.

Gjatë edicionit të sivjetmë panairi EXPOKOS u shqua për ekspozimin e risive të shumta teknologjike, si energjia efiçente, sistemet e izolimeve që ndikojnë në kursimin e energjisë etj.

Pjesë e EXPOKOS 2011 ishin institucione dhe asociacione të rëndësishme si: Agjencioni për Promovimin e Investimeve APIK, Odat Ekonomike nga Kroacia, Gjermania, Greqia, Agjencioni Slloven për Investime, USAID, Shoqata e Arkitektëve të Kosovës, Komisioni Italian për Tregti, etj.

Panairi pati frekuentim të lartë të vizitorëve jo vetëm nga Kosova por edhe nga vendet e rajonit dhe ato nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/