LAJMI I FUNDIT:

MZHE i demanton Sindikalistët e PTK-së

MZHE i demanton Sindikalistët e PTK-së

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka thënë se procesi i privatizimit të PTK-së është proces i hapur dhe transparent sipas standardeve me të larta ndërkombëtare. Ky proces udhëhiqet nga Komiteti i Privatizimit sipas vendimit të Kuvendit te Kosovës, prandaj është plotësisht legjitim dhe siguron ruajtjen maksimale të interesave të qytetarëve të Kosovës ne radhe të parë dhe pastaj edhe të punonjësve të PTK.

“Ne e kuptojmë rolin dhe rëndësinë e sindikatave, prandaj deri më tani me iniciative tonën i kemi takuar disa herë dhe kemi marr nga ta listën me kërkesa të cilat do trajtohen në Komitetin e Privatizimit dhe do mbrohen maksimalisht nga ana e Qeverisë në procesin e privatizimit. Ky është përkushtim i Kuvendit dhe i Qeverise së Kosovës.

“Deklarimet e djeshme të sindikatave së MZHE ka hezituar për takime nuk janë korrekte sepse ne jemi takuar disa herë dhe atë kryesisht me iniciativën tonë. Asnjëherë nuk kemi pas asnjë kërkesë zyrtare apo edhe jozyrtare për takim te cilën e kemi refuzuar. Njëkohësisht deklarimi i zotit Gjergji se ka informata se në MZHE është diskutuar për minimizim të pagave është një spekulim i pa bazë, sepse asnjëherë ne asnjë rrethane as nuk është diskutuar dhe as do diskutohet çështja e pagave në MZHE, pasi që ajo nuk është kompetencë e jona”.

MZHE i bënë ftese publike sindikatave qe nëse kanë ndonjë informacion të tillë të informojnë ministrinë se kush dhe kur u ka dhënë informacione të tilla. Kjo ftesë vlen edhe për të gjitha deklarimet e sindikatës sepse informacionet e rrejshme dhe tendencioze mund ta dëmtojnë procesin e privatizimit.


“Institucionet e Kosovës janë të interesuara te maksimizojnë benefitet nga asetet publike për qytetaret e Kosovës sepse ato janë pronë e qytetarëve e jo e punonjësve të tyre. Qeveria maksimalisht ka qenë dhe është e përkushtuar për te mbrojtur edhe interesin e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve, prandaj edhe angazhimet e saja janë në atë drejtim.
MZHE fton sindikatat për bashkëpunim, sepse transaksioni i suksesshëm i PTK është obligim edhe i tyre. I ftojmë për korrektësi ndaj punonjësve, ndaj qytetareve dhe ndaj institucioneve”, thuhet në reagimin MZHE-së. /Telegrafi/