LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi miratoi raportin financiar 2010

Kuvendi miratoi raportin financiar 2010

Opozita ka kritikuar fort Qeverinë e Kosovës për shpenzime e mëdha gjatë shqyrtimit të raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, duke vlerësuar se Qeveria Thaçi, jo vetëm që nuk u është përmbajtur premtimeve për uljen e shpenzimeve në sektorë të ndryshëm, por ka vazhduar duke i rritur ato.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paraqitur shkurtazi raportin dhe është larguar nga salla, përderisa as kryeministri dhe shumica e ministrave nuk ishin të pranishëm. Kjo ka shtyrë LDK-në si partia më e madhe opozitare ta braktisë seancën gjatë shqyrtimit të kësaj pike. “Të hyrat e përgjithshme gjatë vitit 2010 duke mos përfshirë grantet e donatorëve, kanë qenë 1 miliard e 178 milionë e 589 mijë euro, që paraqesin 95.8 për qind të planit të përgjithshëm vjetor”.

Ministri i Financave ka treguar se të hyrat e mbledhura në kufij arrin 59 për qind të të hyrave të përgjithshme, dhe kapin shifrën prej 700 milionë e 657 mijë euro, ose 99.8 për qind të planit vjetor.

“Krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje prej 10.3 për qind. Të hyrat e ngjashme të mbledhura nga ATK-ja, arrijnë në 16 për qind të të hyrave të përgjithshme dhe janë në vlerë prej 221 milionë e 234 mijë euro, ose 2 për qind më tepër se plani vjetor, kurse krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje prej 7.2 për qind”, tha Hamza.


Komisioni për buxhet dhe financa i ka dhënë mbështetje këtij raporti, sikurse edhe partnerët e koalicionit, ndërkohë LDK dhe AAK nuk e kanë votuar këtë raport. /Telegrafi/