LAJMI I FUNDIT:

Prishtina borxhliu më i madh, Gjakova më i vogli

Prishtina borxhliu më i madh, Gjakova më i vogli

Borxhi i tërësishëm ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është mbi 350 milionë euro, në këtë borxh rajoni i Prishtinës është ai që prin me borxhin më të madh me mbi 94 milionë euro, Ferizaj i dyti me 57 milionë, ndërsa rajoni i Prizrenit është i treti për nga borxhet me mbi 53 milionë euro.

Nuk janë borxhe të vogla edhe nga rajonet e tjera, ku Mitrovica ka borxh mbi 42 milionë euro, Gjilani 41 milionë, mbi 40 milionë i ka komuna e Pejës, në vend të fundit është rajoni i Gjakovës me borxhin prej 35 milionë euro.

Në rajon të Prizrenit gravitojnë edhe komunat e Therandës, Sharrit dhe Malishevës që reflektojnë me atë borxh në KEK. Sipas të dhënave të drejtorit të KEK-ut për këtë regjion Vehbi Sofiu, nga ky borxh, shuma më e madhe iu takon konsumatorëve nga kategoria e amvisërisë, që kap vlerën prej 46 milionë euro, rreth 7 milionë euro llogaritet borxhi nga konsumatorët komercialë, kurse institucionet publike llogaritet të kenë borxh rreth 500 mijë euro, shkruan Zëri..

“Në të shumtën e rasteve borxhet nga kjo kategori, ku bëjnë pjesë shkollat, kuvendet e komunave dhe ndriçimi publik, shkaku i mospagesave është tek vonesat që janë bërë për miratimin e buxhetit në nivel vendi”, ka thënë”, ka thënë Sofiu.


Sipas tij, aplikimi i masës së shkyçjes bëhet për të gjithë njësoj, pa përjashtime. “Kjo masë individualisht mund të aplikohet edhe për borxhliun që ka të papaguar vetëm 1 euro dhe tek ne kjo aplikohet me sistemin kompjuterik, përkatësisht programit elektronik “GISWEB”, ka theksuar i pari i këtij rajoni në KEK, Vehbi Sofiu.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, Viktor Buzhala, borxhi total në Kosovë është rreth 350 milionë euro, ndërsa prej tyre afro 50 milionë euro janë të sektorit komercial e 300 milionë euro të sektorit të amvisërisë.

“Pra, amvisëria ka shumë më shumë borxhe, ku sektori i amvisërisë merr pjesë me 60 për qind të konsumit dhe ka 85 për qind të borxheve”, ka thënë Buzhala. /Telegrafi/