LAJMI I FUNDIT:

Eksperti i Ballkanit: Strategjia e Kurtit në veri, më e suksesshme se që kishim menduar

Eksperti i Ballkanit: Strategjia e Kurtit në veri, më e suksesshme se që kishim menduar

Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës mbetet i pazgjidhur edhe 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e ish-krahinës dhe mban autoritete dhe institucione paralele në rajon.

E kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e pranon këtë dhe me vendosmëri po e shtyn prezencën e Serbisë: importi i dinarëve serb u bllokua, postat serbe duhej të ndërprisnin funksionimin. Në fund të gushtit, pesë administrata komunale serbe u mbyllën.

Këto veprime kanë shkaktuar tensione të mëdha, sidomos në mesin e partnerëve perëndimorë, të cilët frikësohen nga një përshkallëzim i konfliktit dhe po kërkojnë rifillimin e dialogut.


Eksperti i Ballkanit, Marko Prelec, në një intervistë për “Neue Zurcher” shpjegon se pse pritet që Kurti të vazhdojë me këtë kurs konfrontues, pavarësisht thirrjeve për negociata.

Prelec thotë se Kurti nuk ka besim në dialogun me Serbinë, duke menduar se ky proces nuk do të sjellë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.

“Kurti nuk ka besim se dialogu do të sjellë rezultatin e dëshiruar: njohjen përfundimtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Për këtë arsye, ai po krijon fakte në terren duke forcuar sovranitetin shtetëror në veri sa herë që ka mundësi”, ka deklaruar Prelec.

Prelec thekson se strategjia e Kurtit në veri ka qenë më e suksesshme sesa shumica e analistëve e kishin parashikuar.

“Strategjia është më e suksesshme nga sa prisnin shumica prej nesh. Gjithashtu sepse nuk mund të imagjinohej se një shef i qeverisë në Prishtinë do të ishte i gatshëm të injoronte partnerët e
tij perëndimorë në një mënyrë të tillë.,” thotë ai.

Ndërkohë, perëndimi është në një dilemë se si të ushtrojë ndikim mbi Prishtinën, ndërsa Kurti gëzon mbështetje të gjerë në Kosovë, veçanërisht pas sulmit të fundit në Banjskë.

Prelec shton: “Kursi i Kurtit është popullor në vend dhe ka legjitimitet demokratik. Që pas sulmit në Banjskë, kjo është bërë edhe më e qartë.”

Eksperti i Ballkanit gjithashtu nënvizon se presioni diplomatik mbetet kryesisht mbi Prishtinën, ndërsa Beogradi vazhdon të përdorë taktika të zgjuara për të ruajtur mbështetjen e perëndimit.

Në të ardhmen, Prelec parashikon që Kurti do të synojë të kufizojë më tej ndikimin serb duke përfshirë sektorë të tjerë si arsimi dhe shëndetësia.

“Kjo nuk do të thotë se shkollat serbe do të mbyllen brenda natës. Kosova nuk ka mësues për të dhënë mësim në gjuhën serbe. Por si hap i parë, mund të kërkohet një lidhje më e ngushtë me Prishtinën, për shembull duke kërkuar që pagat e mësuesve të paguhen vetëm në euro,” thotë ai.

Përfundimisht, Prelec paralajmëron se pavarësisht mungesës së përshkallëzimit të menjëhershëm, faktorët ndërkombëtarë si lufta në Ukrainë dhe zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund të ndryshojnë dinamikën e konfliktit në të ardhmen.

“Perëndimi bën një gabim kur nënvlerëson rëndësinë e konflikteve të tilla të pazgjidhura. Ekziston një tendencë për t’i parë politikanët në Ballkan si ndërmjetës të korruptuar dhe cinikë të pushtetit që shfrytëzojnë çështjet nacionaliste vetëm për përfitimin e tyre. Ndonëse kjo nuk është krejtësisht e gabuar, kjo nuk do të thotë se këta politikanë nuk e nënkuptojnë atë që thonë. Vuçiq nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës”, thotë Prelec. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zv.ministri Vokrri: E ftova Arsenijeviqin për kafe në jug, për t’i treguar që jemi shoqëri demokratike

Zv.ministri Vokrri: E ftova Arsenijeviqin për kafe në jug, për t’i treguar që jemi shoqëri demokratike

Lajme
Bastiset Banka Popullore e Serbisë dhe Drejtoria e Thesarit në Leposaviq

Bastiset Banka Popullore e Serbisë dhe Drejtoria e Thesarit në Leposaviq

Lajme
LVV në Podujevë: Asamblisti i LDK-së tentoi ta sulmojë fizikisht kryetarin Bulliqi

LVV në Podujevë: Asamblisti i LDK-së tentoi ta sulmojë fizikisht kryetarin Bulliqi

Lajme
Eksperti i Ballkanit: Strategjia e Kurtit në veri, më e suksesshme se që kishim menduar

Eksperti i Ballkanit: Strategjia e Kurtit në veri, më e suksesshme se që kishim menduar

Lajme
SHBA mirëpret ngritjen e aktakuzës: Të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë, duhet të mbajnë përgjegjësi

SHBA mirëpret ngritjen e aktakuzës: Të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë, duhet të mbajnë përgjegjësi

Lajme
Dogana sekuestron dy automjete luksoze në vlerë 400 mijë euro

Dogana sekuestron dy automjete luksoze në vlerë 400 mijë euro

Kronika e Zezë
Kalo në kategori