Autori i librit Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit, mund të jetë një shkrimtar i shkëlqyer i tregimeve, por dogma e tij apokaliptike rreth inteligjencës artificiale [AI] nuk është e besueshme. Shkrimi i mëposhtëm është një kritikë për librin e ri të autorit izraelit Yuval Noah Harari: Neksus: Një histori e shkurtër e rrjeteve të informacionit – nga epoka e gurit deri në inteligjencën artificiale [Nexus: A Brief History of Information Networks from the Stone Age to AI].
Nga: Steven Poole, autor, gazetar dhe teoricien i videolojërave / The Guardian (titulli në anglisht: Nexus by Yuval Noah Harari review – end of days?)
Përktheu: Agron Shala
Ashtu siç i ka hije autorit vepra e parë e të cilit, Sapiens, ishte një histori e gjithë racës njerëzore, Yuval Noah Harari është mjeshtër i përgjithësimeve pompoze. “Jeta njerëzore”, shkruan ai, “është një veprim balancues midis përpjekjes për të përmirësuar veten dhe pranimit të asaj që ishim”. Po a? A është kjo e tëra? Diku tjetër, dikush mund të habitet kur lexon: “Romakët e lashtë kishin një kuptim të qartë të asaj se çfarë nënkuptonte demokracia”. Pa dyshim, romakët do të ishin të lumtur po të dëgjonin se dy mijë vjet më vonë, Yuval Noah Harari atyre do t’ua dhuronte një yll të artë për njohjen që ata kishin për konceptet përjetësisht të qëndrueshme politike.
Në librin e tij të vitit 2018, 21 leksione për shekullin e 21-të, Harari shkroi: “Liberalët nuk e kuptojnë se si historia devijoi nga kursi i paracaktuar dhe atyre u mungon një prizëm alternativ përmes të cilit mund të interpretojnë realitetin. Çorientimi i nxit ata të mendojnë sipas koncepteve apokaliptike”. Duket se, në vitet që pasuan, vetë Harari u shndërrua në liberal, sepse ky libër ka të bëjë me skenarin apokaliptik se si “rrjeti kompjuterik” – gjithçka nga kapitalizmi i mbikëqyrjes dixhitale e deri te algoritmet e përmbajtjes në rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale [AI] - mund të shkatërrojë qytetërimin dhe të sjellë “Fundin e historisë njerëzore”. Dëgjoje këtë, Fukuyama.
Lexo po ashtu: Inteligjenca artificiale ka hakuar sistemin operativ të qytetërimit njerëzor
Ashtu si Malcolm Gladwell, Harari ka një nevojë të zjarrtë të shihet se si po e përmbys mendimin që pranohet nga shumica. Shumë njerëz mendojnë, për shembull, se shtypshkronja dha një kontribut vendimtar në shfaqjen e shkencës moderne. Jo, këmbëngul Harari: në fund të fundit, shtypi mundësoi njëlloj shpërndarjen e lajmeve të rreme, siç ishin librat për shtrigat, dhe kështu Gutenbergu është pjesërisht fajtor për torturat e tmerrshme dhe vrasjen e atyre që akuzoheshin për magji në të gjithë Evropën. Sado naive që mund të tingëllojë, kjo gjithashtu anashkalon aspektin kryesor: për shkak se metoda shkencore është në proces zhvillimi, shkenca moderne mund të krijohej vetëm pasi rezultatet e eksperimentuesve të mëparshëm ishin gjerësisht të qasshme për ata që i hulumtonin ato. Shkencëtarët e hershëm modernë mund të qëndronin mbi supet e gjigantëve vetëm nëpërmjet shkallëve të shtypshkronjës.
Por, ndoshta kam rënë pre e asaj që Harari e quan “pikëpamja naive e informacionit”, e cila në mënyrë delikate ndryshon në të gjithë librin, siç e kërkojnë rrethanat retorike, derisa të bëhet përbindësh i sojit të ekzagjeruar të Frankeshtajnit. Pikëpamja naive e informacionit përfshin idenë se “[informacioni] në thelb është gjë e mirë, dhe sa më shumë informata të kemi, aq më mirë”, gjë që shumë njerëz e besojnë dhe për të cilën është e vështirë të debatosh, por është gjithashtu supozimi se informacioni i mjaftueshëm të çon në mënyrë të pashmangshme drejt mençurisë politike dhe se rrjedha e lirë e informacionit në mënyrë të pashmangshme shpie tek e vërteta, qëndrime këto që pothuajse askush nuk i beson. “Dihet se e=mc2 zakonisht nuk i zgjidh mosmarrëveshjet politike” të askujt, thotë Harari.
E dimë këtë tashmë nga historia e qeverive diktatoriale dhe totalitare dhe nga përpjekjet e tyre për mbledhjen dhe kontrollin e informacionit, një histori nga e cila Harari nxjerr dhjetëra anekdota rrëqethëse për të bindur lexuesin për falsitetin e një pikëpamjeje të dukshme qesharake.
Atëherë, çfarë mund të na shqetësojë nga ajo që bëjnë kompjuterët modernë? Harari beson shumë në aftësitë e asaj që tani tregtohet si “AI”. Askush nuk ka parë ende një çetbot duke krijuar ide të reja, siç Harari mendon se munden, e lëre më të bëjnë art që nuk është thjesht një kombinim probabilistik i modeleve në të dhënat e tij të trajnimit. (“Kompjuterët mund të bëjnë risi kulturore”, shkruan ai në shumë pasazhe, ku unë shkarravisja “citimi i nevojshëm”.) Ndërkohë, në një moment në të ardhmen, ata që Harari i quan “mbizotëruesit tanë të rinj të AI-së”, me sa duket do të shndërrohen në një fuqi të frikshme hyjnore. Në topin e tij të kristaltë, mbizotëruesi i AI-së mund të vendosë të krijojë një virus të ri pandemik, ose një lloj të ri të parave, ndërkohë që do të vërshojë rrjetet e informacionit në botë me lajme të rreme ose nxitjet për trazira.
Ndërkohë, sulmi i parashikuar në këtë libër i “Perdes së Silicit” [Barriera ligjore për transferimin dhe shitjen e teknologjisë dhe pajisjeve të avancuara kompjuterike midis Kinës dhe Perëndimit], nuk është problem i AI-së në vetvete, por i gjeopolitikës: shtrirja e Murit të Madh të sigurisë [Firewall] të Kinës, që pengon shumicën e qytetarëve kinezë të hyjnë në faqet si Google dhe Wikipedia, me kalimin e kohës, siç supozon Harari, mund të parandalojë sistemet kompjuterike kineze dhe amerikane nga ndërveprimi apo komunikimi me njëri-tjetrin, kështu që “mbaron ideja e një realiteti të përbashkët njerëzor”. Shqetësuese, nëse kjo është e vërtetë. Irredentizmi i dhunshëm i Vladimir Putinit në Ukrainë, siç vëren Harari, është pjesërisht i frymëzuar nga besimi i tij në versionin partizan të historisë ruse, që flet për rrezikun e mungesës së miteve të përbashkëta. Megjithatë, kjo është një veçori e pothuajse të gjitha luftërave që nga agimi i kohës, kështu që nuk jam i sigurt se mund të fajësojmë kompjuterët për këtë.
Pra, çfarë mund të bëjmë për të shpëtuar qytetërimin njerëzor dhe realitetin tonë të përbashkët? E thjeshtë, përfundon Harari: nënshtroni algoritmet dhe AI-në ndaj rregulloreve të rrepta zyrtare dhe fokusohuni në “ndërtimin e institucioneve me mekanizma të fortë vetëkorrigjues”. Pra, vazhdoni duke qenë demokraci liberale? Është një lloj i përfundimit të dobët për një libër që është kapur për tonin e fundit të një bote dhe fillimin e një tjetre.
Gjëja e bezdisshme është se Neksusi përmban gjithashtu shumë debate të shkurtra, por tërheqëse për disa tema, duke filluar nga procesi me të cilin u kanonizuan librat që përbëjnë Biblën moderne ose roli i “furnizimit me lajme” i Facebook-ut në nxitjen e masakrave në Mianmar më 2016-‘17, e deri te sistemi i njohjes së fytyrës që përdoret nga Irani për të zbuluar gratë e pambuluara.
Ka disa faqe të mira, në veçanti mbi gjendjen e vështirë të hebrenjve në Rumaninë fashiste, duke përfshirë edhe vetë gjyshin e Hararit i cili në vitin 1938 u detyrua të siguronte dokumentet që vërtetonin të drejtën për shtetësi që në shumë raste ishte shkatërruar nga autoritetet komunale. Kur Harari nuk është në tonin e orakullit dogmatik, ai mund të jetë shkrimtar i shkëlqyeshëm i tregimeve. Por, duhet të kemi parasysh se orakulli dogmatik është ajo që duan lexuesit e tij. /Telegrafi/
Lexo po ashtu: Për të ndryshuar të ardhmen tonë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si ua mësojmë fëmijëve historinë
Lexo po ashtu: Pse teknologjia e favorizon tiraninë?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme