LAJMI I FUNDIT:

Lajçak tregon se çfarë përshtypje i kanë lënë Kurti dhe Vuçiq gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi

Lajçak tregon se çfarë përshtypje i kanë lënë Kurti dhe Vuçiq gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi

Në vitet e fundit emri i Miroslav Lajçak është bërë pjesë integrale e skenës politike ballkanike dhe praktikisht është bërë e paimagjinueshme që proceset politike në rajon, në të cilat nevojitet një vëzhgues apo ndërmjetës, të kalojnë pa përfshirjen e diplomatit të njohur sllovak.

Angazhimet ndërkombëtare i filloi në vitin 1999 kur shërbeu si Asistent Ekzekutiv i të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, Eduard Kukan.

“Ballkani Perëndimor është shumë afër zemrës sime – kam kaluar më shumë se 20 vjet të karrierës sime duke punuar ose në rajon ose në punë që kishin lidhje me rajonin. Dëshira ime personale është që Ballkani Perëndimor të ketë sukses dhe më në fund të bëhet pjesë e BE – sepse rajoni i takon Evropës – gjeografikisht, ekonomikisht, kulturalisht. Nuk ka dyshim për këtë; BE është gjithashtu shtëpia juaj”, tha i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak në një intervistë për nova.rs.


Por, Kosova dhe Serbia për të arritur deri në atë pikë, anëtarësimin në BE, së pari duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve është qëllimi i dialogut dhe një pjesë kyçe e mandatit tim. Është gjithashtu një ndër kushtet kryesore për të dyja palët që përfundimisht t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Do të doja që të shkojmë deri në fund të rrugës dhe në përfundim të procesit të kishim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizim. Kjo nuk ishte e mundur, por gjithashtu dua të nënvizoj se kemi bërë një rrugë të gjatë”, tha ai.

Ai ka treguar se çfarë përshtypje i ka lënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas gjithë këtyre bisedimeve në Bruksel. A mund të arrijnë marrëveshje?

“Të dy liderët kanë mandate të forta për të marrë vendime të vështira politike, të cilat procesi i dialogut i kërkon në mënyrë të pashmangshme. E kam përmendur tashmë se normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar edhe për Kosovën edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, kështu që dialogu nuk ka të bëjë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve, por edhe me të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.

Qytetarët duan të jenë në BE dhe është përgjegjësi dhe obligim i liderëve që të plotësojnë kërkesat e qytetarëve. Nuk kam dyshim se të dy duan integrimin në BE. Përndryshe, cila është alternativa? Konfliktet? Dhuna? Të dy liderët kanë qartazi kuptime shumë të ndryshme për atë që do të thotë normalizim dhe është padyshim një çështje shumë e ndjeshme nga pikëpamja politike.

Megjithatë, është e qartë se në fund asnjëri prej tyre nuk do të marrë 100 për qind të asaj që dëshiron. Për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve, nevojiten kompromise dhe fleksibilitet, si dhe vizion strategjik dhe burrështetas. Kjo është ajo që BE pret të demonstrojnë liderët”, pohoi diplomati sllovak.

Derisa ka theksuar përgjegjësitë që palët i kanë për t’i përmbushur, ka thënë se për Kosovën është ta pranojë draftstatutin evropian.

“Fokusi tani duhet të jetë në përparimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte e vonesa. Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës të nis procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta pranojë draftstatutin evropian, dhe është në dorën e Serbisë të përmbushë obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar nga njohja e simboleve të Kosovës, dokumentet dhe institucionet”, deklaroi ai.

Ndryshe, Lajçak pas skadimit të mandatit si i dërguar i posaçëm i BE-së për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër. /Telegrafi/