LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet mjeku i Akademisë së Sigurisë në Tiranë, kërkonte 20 euro për një raport

Arrestohet mjeku i Akademisë së Sigurisë në Tiranë, kërkonte 20 euro për një raport

Një mjek i angazhuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, A. X., është vënë në pranga të enjten pasdite, pasi Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për të.

Vendimi numer 2943, i datës 13.12.2023, erdhi si rezultat i një hetimi intensiv dhe të gjatë nga Drejtoria e Hetimit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë pranë të njëjtës gjykatë.


Hetimi zbuloi një skemë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga mjeku, i cili dyshohet se kishte krijuar dhe shpërndarë dokumente të rreme shëndetësore për kursantët dhe studentët kundrejt pagesave të paligjshme.

Sipas hetimeve paraprake, të paktën 45 raste të tilla u vërtetuan, me tarifa që ndryshonin nga 1000 në 2000 lekë.

Mjeku gjithashtu dyshohet për falsifikimin e raporteve mjeksore, duke i lëshuar ato pa qenë studentët fizikisht të pranishëm për kontroll.

Ky akt, që cenon thelbin e profesionit dhe të vetë institucionit edukativ që duhet të prodhojë zbatues të ligjit, ka nxitur zemërim të madh dhe shqetësim në radhët e autoriteteve dhe publikut. Akademia e Sigurisë është thelbësore në formimin e oficerëve të rinj të policisë, dhe ngjarjet e tilla hedhin hije mbi integritetin e procesit të edukimit dhe përgatitjes së tyre profesionale.

Prokuroria vijon me hetimet për të sqaruar plotësisht të gjitha detajet dhe për të përcaktuar pasojat e kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale, me theks të veçantë në pasojën dhe rrezikshmërinë e veprimeve në fjalë./Tv Klan