LAJMI I FUNDIT:

Liria dhe Dukagjinit ndajnë pikët në trilerin e zhvilluar në Prizren

Liria dhe Dukagjinit ndajnë pikët në trilerin e zhvilluar në Prizren
Foto nga arkivi

Liria dhe Dukagjini kanë luajtur baras 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Vendasit ishin afër të merrnin fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve ‘agjërim’, por Dukagjini në frymën e fundit gjeti golin e barazimit duke çuar në 10 ndeshje serinë pa humbje.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, por me një nuancë më të mirë vendasit, por pa arritur t’i tundin rrjetat asnjëra skuadër.


Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur nga të dyja skuadrat, ku nuk munguan raste dhe golat, ku u shënuan nga dy gola prej secilës skuadër.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të Blerind Morinës, i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 72-të për epërsinë 0-1.

Pas këtij goli vendasit u hodhën të gjithë në sulm dhe kjo iu shpagua, pasi fillimisht shënuan me Prins Tjiueza (85’) nga goditja e dënimit për 1-1 dhe Andri Stafa (90+) për 2-1.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej me fitore dhe rikthim të çmendur nga prizrenasit, në skenë doli zëvendësuesi Granit Elezaj, i cili në minutën e tetë shtesë barazoi për rezultatin përfundimtar 2-2.

Pas këtij barazimi, Liria e sheh veten në pozitën e nëntë me 8 pikë, ndërsa Dukagjini në pozitën e gjashtë me 14 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, prizrenasit udhëtojnë te Fushë Kosova, teksa klinasit e presin Dritën. /Telegrafi/