LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Kosova e 37-ta në botë për barazi gjinore në biznes dhe ligj

Banka Botërore: Kosova e 37-ta në botë për barazi gjinore në biznes dhe ligj

Kosova është e 37-ta në botë për sa i përket infrastrukturës ligjore që mundëson barazinë gjinore në biznes, thekson Banka Botërore në raportin “Gratë, Biznesi dhe Ligji” për vitin 2023.

Për sa i përket përqindjes bazuar në barazinë mes burrave dhe grave, Kosova për këtë vit ka marr 91.9 pikë.

“Në nivel botëror, mesatarisht, gratë gëzojnë vetëm 77 për qind të të drejtave ligjore që bëjnë burrat dhe gati 2.4 miliardë gra në moshë pune në mbarë botën jetojnë në ekonomi që nuk u japin atyre të njëjtat të drejta si burrat. Megjithëse janë bërë arritje të mëdha në dekadat e fundit”, thekson Banka Botërore, shkruan Telegrafi.


Në raport thuhet se do të duhen të paktën 50 vjet për t’iu qasur barazisë ligjore gjinore kudo në botë.

“Reformimi në mënyra që inkurajojnë gratë të kontribuojnë në ekonomi si ndërmarrëse do të barazojnë kushtet e lojës dhe do ta bëjnë ekonominë më dinamike dhe më elastike. Sipas ritmit aktual, do të duheshin të paktën 50 vjet për t’iu qasur barazisë ligjore gjinore kudo në botë. Në shumë vende, një grua që hyn në fuqinë punëtore sot do të dalë në pension përpara se të fitojë të njëjtat të drejta si burrat”, shton raporti.

Lëvizshmëria, vendi i punës, pagat, martesat, prindërimi, ndërmarrësia, asetet si dhe pensionet janë tetë komponentët në të cilën bazohet raporti.

Vendi ynë plotëson 100 për qind të kritereve përpos te pensionet që është 75 pikë dhe prindërimi i vlerësuar me 60 pikë.

Në këtë periudhë, vetëm 34 reforma ligjore të lidhura me gjininë u regjistruan në 18 vende – numri më i ulët që nga viti 2001. Rezultati mesatar botëror i këtij indeksi u rrit vetëm gjysmë pikë krahasuar nga viti në vit. Shumica e reformave u fokusuan për rritjen e nevojës së pushimit për prindërit, heqjen e kufizimeve në punën e grave dhe detyrimin e pagave të barabarta.

Përqindjen më të lartë të barazisë gjinore në vlerën e 100 pikëve e kanë shtetet si Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Irlanda, Letonia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia. Derisa më se keqi qëndrojnë Sudani, Jemeni dhe Gaza. /Telegrafi/