LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e këshilltarit Chollet për dialogun, vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe dorëheqjet nga ShSKUK-ja – top lajmet e javës

Deklarata e këshilltarit Chollet për dialogun, vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe dorëheqjet nga ShSKUK-ja – top lajmet e javës

Në kohën kur janë intensifikuar përpjekjet për ecjen para në dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje, këshilltari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet të martën në mbrëmje ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Për këtë çështje gjatë kësaj jave ishte për vizitë në Prishtinë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.


Ndërsa, javën që po lëmë pas, në vend janë dhënë dy dorëheqje në sektorin e shëndetësisë. Drejtori i Onkologjisë Arben Bislimi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, ndërkaq dorëheqje të enjten dha edhe Pranvera Zejnullahu-Raçi nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë

Zyrtari amerikan Derek Chollet të martën ka biseduar përmes telefonit me Kurtin, të cilit i ka kërkuar të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Chollet përmes një postimi në Twitter njoftoi se temë kryesore e bisedës ishte synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës dhe dialogu.

”Sot fola me Albin Kurtin për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Ndër temat kryesore ishte edhe partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet, transmeton Telegrafi.

Këshilltari amerikan, Derek Chollet gjatë një vizite në Prishtinë, janar 2023

“Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në kontekstin e dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, ka shkruar Chollet.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira
Lexo po ashtu Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

Ndërkaq, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend dhe kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të enjten kryeministri i vendit, Albin Kurti përsëriti se Kushtetuta dhe Pavarësia e Kosovës nuk lejojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një deklarim për media, kreu i ekzekutivit tha se ata që e kërkojnë Asociacionin duhet të tregojnë se pse nuk mjafton plani i Ahtisarit.

Lajçak pas takimit me Kurtin: Jemi dakorduar se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të mërkurën mbrëma ishte për vizitë në Kosovë, gjersa është intensifikuar dialogu Kosovë-Serbi, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje.

Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në një postim në Twitter ka shkruar se kanë biseduar për hapat e mëtejmë në dialog.

Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.

Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçak.

Ndryshe, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe është në ndër marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kurti flet për takimin me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër
Lexo po ashtu Kurti flet për takimin me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër

Por, lidhur me deklaratën e Lajçakut, është shprehur edhe Kurti. Teksa foli për takimin që zhvilloi të mërkurën mbrëma me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, ai tha se nuk do të tolerojnë që në këtë proces, Asociacioni të vihet si parakusht.

Sipas tij, asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik dhe se “10 nenet në planin evropian nuk tolerojnë që një nen nga fundi të sillet si i pari”.

Dorëheqjet në ShSKUK-ja

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar gjatë javës është ballafaquar me dy dorëheqje.

Arben Bislimi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, ndërkaq dorëheqje dha edhe Pranvera Zejnullahu-Raçi nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Dorëheqjet në ShSKUK, Haxhiu i PDK-së: Shëndetësia drejt degradimit
Lexo po ashtu Dorëheqjet në ShSKUK, Haxhiu i PDK-së: Shëndetësia drejt degradimit

Dorëheqjen e Bislimit e kishin konfirmuar për Telegrafin edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Në përgjigjen e tyre thuhej se Bislimi ka dhënë dorëheqje për arsye personale.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ju konfirmon se për shkaqe personale ka dhënë dorëheqje nga pozita e u.d. drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Dr. Arben Bislimi”, kanë thënë nga SHSKUK-ja, duke shtuar se së shpejti pritet të caktohet u.d. drejtori i ri i Klinikës së Onkologjisë.

Ndërkaq, pasi Pranvera Raçi kishte dhenë dorëheqje nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, në këtë pozitë është edhe Narqize Arenliu-Hoxhaj.

Pas dorëheqjeve në ShSKUK, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka reaguar duke thënë se shëndetësia po shkon drejt degradimit.

“Skandale, keqpërdorime, dorëheqje e largime nga sektori publik. Shëndetësia jonë çdo ditë po shkon drejt degradimit”, kishte thënë Haxhiu. /Telegrafi/