LAJMI I FUNDIT:

Bien dukshëm të ardhurat e kompanisë ruse të naftës Rosneft

Bien dukshëm të ardhurat e kompanisë ruse të naftës Rosneft

Kompania ruse e naftës Rosneft ka raportuar rënie të të ardhurave të saj neto për periudhën nëntëmujore të këtij viti me 15 për qind në rreth 9.4 miliardë dollarë.

Të ardhurat neto për nëntë muajt e parë të vitit të kaluar ishin më të lartat në historinë e kompanisë, duke arritur në mbi 11.06 miliardë dollarë.

“Transferimi i aseteve, i cili çoi në një ndikim të ndjeshëm negativ në të ardhurat, rezultoi në përjetimin e një humbjeje shtesë prej 890.16 milionë dollarësh dhe një ulje prej 1.2 miliard dollarësh në para të gatshme”, njofton kompania.


Shpenzimet kapitale për të njëjtën periudhë arritën në 13.06 miliardë dollarë, me një rritje prej 19.3 për qind në bazë vjetore, kryesisht për shkak të rritjes së planifikuar të investimeve në projektin e naftës Vostok, që pritet të jetë projekti më i madh i naftës në botë në dekadën e fundit.

Prodhimi i hidrokarbureve për nëntë muajt e parë të vitit shënoi rritje me 2.2 për qind në bazë vjetore në 4.97 milionë fuçi ekuivalente nafte në ditë. /Telegrafi/