LAJMI I FUNDIT:

BQE-ja thotë se inflacioni në rritje po frenon konsumin në Eurozonë

BQE-ja thotë se inflacioni në rritje po frenon konsumin në Eurozonë

Inflacioni i perceptuar gjatë 12 muajve të mëparshëm vijoi të rritet në Eurozonë, me normën mesatare e cila aktualisht është 8.1 për qind.

Kështu thekson Banka Qendrore Evropiane në një raport të fundit, duke shtuar se pritshmëritë e inflacionit mbetën shumë nën normën e perceptuar, veçanërisht në periudhë afatmesme trevjeçare.


Pritshmëritë mesatare për inflacionin gjatë 12 muajve të ardhshëm u rritën nga 5 për qind në 5.1 për qind, por gjithsesi në një nivel shumë më të lartë në krahasim me atë që mbizotëronte para fillimit të luftës në Ukrainë.

Gjatë vrojtimit të kryer nga Banka Qendrore Evropiane në muajin shtator, konsumatorët prisnin që të ardhurat e tyre të rriteshin me 0.6 për qind, më pak se 1 për qind në muajin gusht. Rënia ishte më e fortë për të anketuarit e grupmoshës 55-70 vjeç dhe familjet me të ardhura mesatare apo më pak se mesatarja.

Po ashtu, projeksionet e rritjes ekonomike për 12 muajt e ardhshëm ranë ndjeshëm nga minus 1.7 për qind në muajin gusht, në minus 2.4 për qind në shtator. Konsumatorët presin që shkalla e papunësisë të jetë më e lartë se ajo aktuale në 11.5 për qind.

Konsumatorët gjithashtu prisnin që rritja e çmimit të banesave gjatë 12 muajve të ardhshëm të qëndronte në 3.4 për qind. /Telegrafi/