LAJMI I FUNDIT:

E shtuna e tensionuar – krejt çfarë ndodhi pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës

E shtuna e tensionuar – krejt çfarë ndodhi pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës

E shtuna e 5 nëntorit të këtij viti u karakterizua me zhvillime të shumta në skenën politike. Largimi nga institucionet i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës bëri që të ketë tensione në pjesën veriore të vendit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.

Këtë vendim Lista Serbe e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.


Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovë.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili edhe vet dha dorëheqjen nga pozita e ministrit në qeverinë e Kosovës.

Pas këtij vendimi edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, zhvezhën uniformat e Policisë së Kosovës.

U tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.

Reagimet nga krerët e shtetit dhe opozita

Pas largimit nga institucionet e Kosovës të përfaqësuesve serb, kanë reaguar krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe liderët opozitar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se tërheqja e përfaqësuesve serbë nga institucionet është bërë për shkak të presionit nga Beogradi.

Këto veprime që i ka cilësuar si akt kundër demokracisë, sundimit të ligjit e rendit, Osmani ka thënë se kanë për synim destabilizimin e pjesës veriore.

“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit.

Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, thuhej në deklaratën e Osmanit.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet.

Kurti ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës ta ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë, duke thënë se ai nuk është kryeminsitër kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij.

“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më tej ai ka akuzuar presidentin serb Vuçiq dhe shefin e diplomacisë serbe Daçiq, se në veri po zhvillojnë betejën e tyre politike për pushtet.

Për gjendjen e krijuar reaguan edhe nga partitë opozitare në Kosovës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se zhvillimet në veri janë akt i paprecedent.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur i shqetësuar me këto zhvillime, ndërsa ka shtuar se “në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje”.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka ftuar qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara.

“Kosova është shtet i të gjithëve, e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse”, ka deklaruar Haradinaj.

Zhvillimet në veri i ka komentuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky subjekt përmes një komunikate për media ka ftuar qytetarët në veri për qetësi, ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.

LDK thotë se në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë.

Çfarë thanë ndërkombëtarët për situatën e krijuar?

Për gjendjen e krijuar në veri ka reaguar zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mireca Geoana. Ai ka deklaruar se Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Ai po ashtu ka deklaruar se NATO dhe KFOR-i janë të gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Bisedova me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar Geona në rrjetin social Twitter.

Reagim pati edhe nga KFOR-i, ku thanë se janë në monitorim të situatës dhe në bashkëpunim të ngushtë me liderët në Kosovë e Serbi, por edhe me ata ndërkombëtarë.

Përmes një reagimi publik, KFOR-i i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për kompromis, ndërsa ka kërkuar që të dyja palët mendimet t’i shprehin në mënyrë paqësore.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se në bisedë me zëvendës/sekretarin e NATO-s, janë dakorduar lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit, pas vendimit të serbëve për braktisjen e institucioneve të Kosovës.

Borrell ka thënë se zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, pasi sipas tij, ky veprim ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

Reagim pati edhe nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl. Mandl e ka pyetur presidentin serb Aleksandar Vuçiqi se pse po e kërcënon fqinjin e tij, Kosovën.

“Pse gjithmonë eskalim, shkatërrim, president Vuçiq? Pse Serbia nuk tërhiqet nga të gjitha lidhjet me Putin-Rusi? Pse kërcënoni fqinjin tuaj herë pas here? A nuk keni absolutisht asnjë njohuri për mësimet nga historia? #Serbi #Kosovë #Evropë”, ka shkruar Mandl.

Vuçiq konsultohet me ambasadorin rus dhe kinez, telefonon edhe Christopher Hillin

Pas zhvillime të së shtunës në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

“Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadorin Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”, shkroi Vuçiq.

Në ditën kur partia që kontrollohet nga ai në Kosovë, Lista Serbe vendosi që t’i braktis institucionet e Kosovës, Vuçiq ka takuar ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd për të biseduar me ta për gjendjen e krijuar.

Pas takimit me ambasadorin rus, Botsan – Kharchenko, Vuçiqi ka thënë se “përsërita mirënjohjen tonë për qëndrimin parimor të Federatës Ruse dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”.

Ndërsa, ambasadori rus ka thënë se të gjitha informacionet që iu prezantuan do t’ia përcjell Moskës zyrtare.

Në takim me ambasadoren kineze Chen Bo, Vuçiq bëri të ditur se i ka thënë asaj që “përkundër të gjitha sfidave, Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar e zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

Vendimi i Qeverisë për targat dhe zbatimi i saj në tri faza

Qeveria e Kosovës vendosi që zbatimin e vendimit për targat serbe ta shkallëzoi në tri faza, duke mos përfillur kështu kërkesën e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që këtë vendim ta shtyjë për 10 muaj.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e vendimit për targat.
Faza e parë e zbatimit të vendimit të qeverisë për targat përfshin, qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Në Kosovë mendohet se ka rreth 10.000 makina me targa serbe. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori