LAJMI I FUNDIT:

Pse paraardhësi i Boris Johnsonit u grind me Ataturkun dhe pse ia thyen kokën me gurë?

Pse paraardhësi i Boris Johnsonit u grind me Ataturkun dhe pse ia thyen kokën me gurë?
Stërgjyshja dhe stërgjyshi i Boris Johnsonit: Winifred Brun dhe Ali Kemal

Nga: Noel Malcolm
Përktheu: Daut Dauti

Njëqindvjetori vjen së shpejti: më 1 nëntor 1922, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë e shfuqizoi Zyrën e Sulltanit. Rreth 600 vjet të historisë perandorake otomane, morën fund. Sulltani i fundit, Mehmeti VI, u kontrabandua nga Stambolli nga garda britanike, duke përfunduar si mysafir i Musolinit në resortin e qytetit San Remo. Ai do të vdesë aty pas katër viteve, aq i varfër saqë autoritetet italiane ia konfiskuan arkivolin derisa nuk u pagua borxhi ndaj një tregtari lokal.

Tri ditë pas shfuqizimit të sulltanatit, një gazetar dhe politikan prominent, Ali Kemal, qëndronte ulur në karrigen e berberit në një hotel të Stambollit, kur një grup i njerëzve e rrëmbyen dhe e futën në veturën që priste jashtë. Trupi i tij u gjet dy ditë më vonë; ishte rrahur, fytyra ishte e shtypur me gurë dhe pastaj ishte varur. Ai la në Angli djalin e tij 13 vjeç të quajtur Osman Wilfred, i cili do të rritej me mbiemrin Johnson – stërnipi i të cilit do të bëhet kryeministër i Britanisë së Madhe, deri me rënien e tij më pak të dhunshme më 2022.


Ali Kemali paraqitet shkurtimisht në librin e ri të rëndësishëm të Ryan Gingerasit, kurse arsyeja e paraqitjes nuk ka të bëjë asgjë me stërnipin e tij (një lidhje e cila me vetëpërmbajtje të ashpër të Gingerasit, nuk përmendet). Pikëpamja e gjerë e asaj se çfarë ka ndodhur në Turqi më 1922, është se rendi i vjetër pa efekt, i personifikuar me sulltanin dhe politikanët e oborrit të tij, të përkrahur nga reaksionarët, më në fund ishte nxjerrë anash pasi që modernizuesit dhe sekularët e udhëhequr nga Kemal Ataturku, kishin marrë pushtetin. Ky ka qenë momenti kur programi kolosal i Mustafa Kemal Ataturkut për reforma perëndimore, më në fund kishte filluar – duke e çuar Turqinë në shekullin XX.

Por, Ali Kemali është i rëndësishëm për shkak se ishte intelektuali më liberal dhe më perëndimori që do të dëshironit – dëshmohet me martesën e tij me një angleze (nejse, anglo-zvicerane), anglofilinë e thellë kulturore dhe politike, fjalimet e fuqishme denoncuese ndaj përgjegjësve për vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe sulmeve ndaj korrupsionit – të shkruara në një prozë gërryese të një gazetari të lindur. Megjithatë, ishte vrarë për shkak se e kundërshtoi Ataturkun dhe tërë lëvizjen nacionaliste që tashti po vinte në pushtet.

Për observuesin e rëndomtë, të ushqyer vetëm me pretendimet standarde të Turqisë moderne, kjo duket si kontradiktë e çuditshme. Por, kur i dilni në fund librit të Gingerasit, e kuptoni pse dikush si Ali Kemali ka marrë atë pikëpamje, derisa po ashtu duket se kjo e vendosë atë (për ta përdorur këtë frazë të diskutueshme) në anën e gabuar të historisë. Ky libër nuk është sulm i ashpër ndaj Ataturkut; përkundrazi, e demonstron natyrën e arritjeve të tij. Por, qëllimi i tij kryesor është shpalosja se sa e tmerrshme ishe situata politike në Turqi në vitet e pasluftës dhe sa ishte e pamundshme për secilin që të formonte plan të qartë dhe të arsyeshëm se çfarë lloji i shtetit do të bëhej.

Disfata e vitit 1918 çoi jo vetëm te okupimi i Stambollit nga Aleatët (poshtërim i madh), por edhe te pushtimi franko-britanik i territoreve kryesore të Perandorisë Otomane të privoncave arabe. Pak a shumë, kjo ka lënë territorin e cunguar që sot e njohim si Turqi.

Diplomatët perëndimorë, me mendje të zakonshme, kanë mundur të mendojnë se kjo ka zgjidhur shumë probleme, duke krijuar shtet nacional të menaxhueshëm për turqit; por, parimi i ‘shteteve nacionale’ ka tjetër rezonancë për kurdët dhe në të vërtetë edhe për armenët e mbijetuar.

Përndryshe, kush ishte për t’u llogaritur si ‘turk’? Një përgjigje e zakonshme ka qenë: myslimani refugjat, i cili flet turqisht. Që nga mesi i shekullit XIX, një numër tejet i madh i refugjatëve myslimanë kishin shkuar në Turqinë qendrore. Shumë kishin shkuar nga shkatërrimi gradual i Perandorisë Otomane në Ballkan, por deri në një milionë kishin ikur nga pushtimi rus i Kaukazit. Disa u asimiluan e disa jo; disa u joshën nga retorika e re ‘shtetësia otomane’ – që kishte të bëjë me parimin e lojalitetit ndaj perandorisë – kurse disa u ngjitën pas pikëpamjes së ngushtë religjioze të sulltanit si kalif i emëruar në mënyrë hyjnore të prijësisë feudale. Por, shumë prej tyre, të përzënë nga atdheu nga forcat e krishtera, e sollën me vete një armiqësi të re ndaj të krishterëve – përfshirë grekët, armenët dhe arabët e krishterë të Turqisë qendrore. Nëse këta të krishterë më herët kishin arsye ta përqafonin identitetin nacional otoman multi-religjioz, shumë shpejt e gjithnjë e më pak patën arsye që të ngjiten për të.

Në këtë kuti llamarine, në maj të vitit 1919, Aleatët hodhën një mjet ndezës: e lejuan armatën greke që ta invadonte dhe okuponte qytetin Smirna (Izmirin). Pasoi një luftë e përgjakshme, pasi që forcat nacionaliste turke – të komanduara nga Ataturku dhe të mohuara nga sulltani – u përgjigjën me luftë. Më 1921 grekët avancuan gati deri në Ankara, në zemër të Turqisë; megjithatë, ende kishte turq që ishin tejet armiqësorë ndaj Ataturkut. Pse?

Për Ali Kemalin, poenta kryesore ishte se Aleatët kishin fuqi ndaj Turqisë dhe se, nga kjo, ishte e nevojshme të punohej me ta (veçanërisht me Britaninë). Ai, po ashtu i denoncoi lidhjet e lëvizjes së Ataturkut me xhonturqit, të cilët e kishin çuar vendin në humbje në Luftën e Parë Botërore dhe kishin masakruar aq shumë të krishterë. Pastaj, kishte minoritete myslimane, siç janë kurdët dhe refugjatët nga Kaukazi, të cilët frikësoheshin se nacionalizmi i ri dhe i ngushtë turk së shpejti do t’i merrte edhe ata në sy.  Dhe, kishte myslimanë tradicionalë të shokuar nga eliminimi i sulltanit-kalifit, të cilin Ataturku e kishte bërë si një kukull – tradhtar i Perëndimit. Madje, juristët më eminentë myslimanë otomanë kishin nxjerrë fetfa që e dënonte Ataturkun me vdekje për braktisje nga feja.

Ryan Gingeras e rrëfen këtë tregim me qartësi, aq sa lejon dendësia e zhvillimeve; ai merr qasje të drejtë ndaj kësaj çështje, por duke mos i ndriçuar kurrë vuajtjet e tmerrshme njerëzore që dolën nga secila anë. Turqit për një kohë të gjatë janë trajtuar në mënyrë tejet të thjeshtësuar në historinë bashkëkohore. Ky libër na e mëson fillimin e diturisë, që është  se shumica e historisë njerëzore, siç ka ndodhur në të vërtetë, është rrëmujë hutuese e tmerrshme. /Telegrafi/

‘The Last Days of the Ottoman Empire’ është botuar në Londër nga Allen Lane.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori