LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Skandaloze vizita dhe fjalimi i Ramës në Asamblenë Parlamentare të KiE

Berisha: Skandaloze vizita dhe fjalimi i Ramës në Asamblenë Parlamentare të KiE

Shqipëria i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin e të dërguarit Dick Marty, sipas saj të pabazuar dhe të paprovuar, ku shprehen pretendime se ish drejtues të UÇK-së të jenë përfshirë gjatë luftës së vitit 1999 në trafikim organesh njerëzore, i shtrirë edhe në Shqipëri.

“Rrëzoni akuzat kundër Kosovës, pranoni kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Shpëtoni integritetin tuaj”, u është drejtuar Rama të pranishmëve në Asamblenë Parlamentare, më 12 tetor.


Por kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha ka thënë se vizita e Ramës në Strasburg ishte skandaloze.

“Skandaloze vizita dhe fjalimi i Ramës në Asamblenë Parlamentare të KiE.

Rama flet si Kastro 1 orë në Asamblenë Parlamentare të KiE. Përgjigjet e pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të KiE, idioteske dhe trashanike. Presidenca e Këshillit të Europës refuzon të marrë pjesë në darkën e tij. Grupi parlamentar EPP/DC, që është dhe grupi më i madh i Asamblesë vendos bojkotin e darkës së shtruar nga Rama. Turpërim i vërtetë!”, ka shkruar Berisha i cili ka cituar edhe një deklaratë të partive Popullore Evropiane.

“Me keqardhje të thellë, pas ndërhyrjes pasditen e sotme në Asamble të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë një vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune”, thuhet në letrën e anëtarëve të grupit EPP/DC, cituar nga Berisha./Telegrafi/