LAJMI I FUNDIT:

Fshehja e policëve gjatë patrullimit, veprim në kundërshtim me rregulloren

Fshehja e policëve gjatë patrullimit, veprim në kundërshtim me rregulloren

Fshehja e policëve në vende të ndryshme gjatë patrullimit në terren po del të jetë në kundërshtim me një rregullore të Policisë së Kosovës. Edhe ish-drejtues të institucioneve të Policisë po e vlerësojnë këtë si veprim jo korrekt nga Policia ndaj qytetarëve.

Kur vie puna për të gjobitur qytetarët që gjatë ngasjes në trafik bëjnë kundërvajtje, zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk hezitojnë që ta kryejnë punën e tyre.


Por, shpesh gjatë patrullimit të njëjtit është vështirë të shihen nga ngasësit pasi ata fshihen në lokacione të ndryshe.

Mirëpo kjo po del të jetë në kundërshtim me rregulloren për operativë të Policisë, e cila e specifikon se patrullat e policisë duhet të qëndrojnë në pozicione të dukshme.

Rregullorja për Operativë në Policinë e Kosovës

“Ekipet patrulluese kryesisht patrullojnë në këmbë, duke qëndruar në vende publike të dukshme, në mënyrë që prezenca e tyre të ndikojë pozitivisht në sigurinë e qytetarëve, si dhe të jetë si proaktive në parandalimin e veprimeve të kundërligjshme. Shpërndarja e ekipeve patrulluese bëhet varësisht prej nevojave dhe situatës”, thotë rregullorja.

Sipas ish-kryeshefit të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Valdet Hoxha, një gjë e tillë është bërë praktikë, e cila ai kërkon që të ndërpritet.

Hyn në fuqi Ligji për trafikun në Kosovë, njihuni me gjobat e reja në trafik
Lexo po ashtu Hyn në fuqi Ligji për trafikun në Kosovë, njihuni me gjobat e reja në trafik

“Është praktikë shumë e gabuar sepse krijon perceptimin e një mentaliteti gjobitës që do të duhej të jetë e kundërta pra preventiva. Nuk ka asgjë të keqe nëse qytetarët e identifikojnë vendin e patrullës policore dhe arrihet efekti me uljen e shpejtësisë”, deklaroi Valdet Hoxha – ish-Kryeshef i IPK-së.

Madje, ai sugjeron që në këso raste qytetarët t’i lajmërojnë në institucionet përgjegjëse.

“Çdo qytetar që dyshon që mund t’i jetë bërë e padrejtë duhet të adresohet qoftë në Inspektorat apo Polici pastaj në bazë të kompetencave delegohet tek njesiti përkatës”, shtoi Hoxha.

Vetëm në 24 orët e fundit, Policia ka shqiptuar gjithsej 1910 gjoba trafiku./RTV Dukagjini/