LAJMI I FUNDIT:

Ministri danez: Marrëveshja me Kosovën për burgjet është vonuar, por me siguri do të realizohet

Ministri danez: Marrëveshja me Kosovën për burgjet është vonuar, por me siguri do të realizohet

Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës ndoshta do të realizohet.

Kështu bëri të ditur Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Mattias Tesfaye, duke mohuar raportimet e mediave se kjo marrëveshja është shfuqizuar.


Ai deklaroi se implementimi i kësaj marrëveshje do të vonohet, pasi nuk mund të përfundojnë rindërtimin e burgut me ritmet që kishin shpresuar, sepse siç tha, duhet të jetë në përputhje me standardet daneze.

Veç kësaj, ministri Tesfaye përmendi edhe pengesat në sistemin politik në Kosovë dhe mosratifikimin e marrëveshjes nga deputetët.

“Marrëveshja ende nuk është ratifikuar ligjërisht në Kosovë. Këtë e kemi ditur për një kohë dhe për këtë kam njoftuar edhe Këshillin e pajtimit. Ne jemi plotësisht të varur nga bashkëpunimi që kemi me Qeverinë e Kosovës. Nuk mjafton që ne e kemi vendosur këtë. Kështu është të hysh në marrëveshje me vendet e tjera”, u shpreh ai.

Mes tjerash ministri danez tha se ka qenë në kontakt edhe me homologen e tij në Kosovë, Albulena Haxhiu, derisa shtoi “kam përshtypjen se çdo gjë duhet të shkojë mirë”.

“Deri më tani, synimi ka qenë që vendet të hapen në fillim të vitit 2023. Tani pritet të jetë në fund të këtij viti”, përfundoi Tesfaye.

Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

E pas kësaj në prill të këtij viti, ministrja Haxhiu dhe homologu i saj nga Danimarka, Nick Haekkerup, nënshkruan Traktatin i cili i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

Një ditë më parë, mediat në Danimarkë raportuan se shteti danez ka pezulluar marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën, për marrjen me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit për shkak të mungesës së financimit.

Por, këto raportime i ka hedhur poshtë Ministria e Drejtësisë në Kosovë, ndërsa Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ditë më parë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë kanë deklaruar për Telegrafin se kjo marrëveshje pritet të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës gjatë muajve të ardhshëm.

Për ratifikim e kësaj marrëveshje nevojiten dy të tretat e votave.

“Kjo marrëveshje do të jetë pjesë e Traktatit gjithëpërfshirës i cili pritet që të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës gjatë muajve të ardhshëm. Ndërsa, zbatimi i tij parashikohet të fillojë në muajt e parë të vitit 2023”, ka thënë Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu.

Tutje, ai ka bërë të ditur se përmbajtja e Traktatit që është nënshkruar më 26 prill 2022 nuk ka ndryshuar dhe ka mbetur e njëjtë si në ditën kur është nënshkruar.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës thuhet se Qeveria e Kosovës do t’i ofrojë Mbretërisë së Danimarkës kapacitetet e burgut, gjegjësisht institucionit korrektues që gjendet në Gjilan për 300 të burgosur, për qëllimin e ekzekutimit të dënimeve daneze dhe do të bëjë rregullimet e nevojshme për çdo lehtësi për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet dhe standardet daneze.

“Qeveria e Danimarkës synon të paguajë një tarifë vjetore për përdorimin e një burgu prej 15,000,000 euro në varësi të numrit të të burgosurve për të cilin objekti është bërë i përshtatshëm në përputhje me rregullat dhe rregulloret daneze, me një tarifë të reduktuar për 12 muajt e parë të vitit përdorimi i burgut si periudhë tranzicioni. Qeveria e Danimarkës synon gjithashtu të paguaj një tarifë fillestare prej 5,000,000 euro për të mbuluar periudhën e tranzicionit derisa burgu të jetë përfunduar dhe plotësuar me personel. Këto tarifa do të mbulojnë të gjitha kostot që lidhen me një marrëveshje të tillë”, thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Knaus: Disa shtete, përfshirë Francën e Gjermaninë po përgatiten ta bllokojnë votimin në maj

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit - si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Lajme
Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Reshjet e shiut vështirësojnë komunikacionin në magjistralen Prishtinë - Ferizaj, Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes

Lajme
“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

“5 euro për një kafe”, arrestohet shtetasi i Maqedonisë pasi tentoi ta korruptonte policin në Vërmicë

Kronika e Zezë
Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Vdes një grua në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren

Kronika e Zezë
Kalo në kategori