LAJMI I FUNDIT:

Kastriot Jupa transferohet te LHC Cottbus në Gjermani

Kastriot Jupa transferohet te LHC Cottbus në Gjermani
(Foto: kosovahandball.info)

Hendbollisti i Kosovës, Kastriot Jupa, karrierën e vazhdon në Gjermani. Pivoti i parë i Kosovës është transferuar te skuadra LHC Cottbus, që ka synime të mëdha në kampionatin e ri.

29-vjeçari tashmë i është bashkuar skuadrës gjermane në fazën përgatitore, ndërsa ka shkëlqyer në ndeshjet kontrolluese.


Ai pritet të jetë lojtari kryesor i Cottbusit në kampionatin e ri, ndërsa shpresat e skuadrës për sukses më së shumti janë të mbështetura në cilësinë e pakontestueshme të hendbollistit kosovar.

Për dhjetë vjet, Jupa ka luajtur për skuadrën pejane, Besa Famgas. Me Besën ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Plot gjashtë herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kosovës. Ai është shquar me paraqitje të mira edhe në kupa evropiane, ndërsa ka vendosur për hapin tjetër në karrierë.

Kastrioti ka treguar se klubi gjerman është i duhuri për të dhe se tashmë ka gjetur formën më të mirë. Ai është i gatshëm për ndeshjet e ardhshme të Kosovës, ndërsa mezi pret që të luaj sërish për ekipin kombëtar.

Jupa është kapiteni i dytë i Kombëtares së Kosovës. Ka 54 paraqitje deri më tani, që është numri më i lartë në të gjitha ekipet kombëtare të Kosovës, jo vetëm në hendboll. Ndërkohë i ka shënuar 182 gola.