LAJMI I FUNDIT:

Kurti mori pjesë në Konferencën e Distriktit të Klubeve Rotariane të Kosovës dhe të Shqipërisë

Kurti mori pjesë në Konferencën e Distriktit të Klubeve Rotariane të Kosovës dhe të Shqipërisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën e Distriktit të Klubeve Rotariane në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat kanë filluar procedurat për themelimin e Distriktin Rotary që mbulon Kosovën dhe Shqipërinë.

“Kurti e përshëndeti themelimin e Distriktit dhe tha se shpreson se ky distrikt do të shërbejë si mundësi edhe më e madhe për të rritur intensitetin dhe efektivitetin e misionit të Rotarianëve, e që është shërbimi dhe ndihma për komunitetin përmes promovimit të paqes, luftimit të sëmundjeve, sigurimit të ujit të pastër, kujdesit për mjedisin, mbështetjes për arsimin dhe të atyre në nevojë, si dhe ndihma në zhvillimin e ekonomive lokale”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri ka folur për të shërbyerit – si e përbashkëta e Rotarianëve me qeveritarët.


“Edhe ne si politikanë jemi në shërbim të të tjerëve. Sepse edhe fjala ministër në etimologjinë e saj nga latinishtja do të thotë – shërbyes, do të thotë shërbëtor. E kryeministër, i bie i pari midis shërbëtorëve”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “derisa rotarianët çdo ditë po punojnë për të shërbyer komunitetin, edhe ne si Qeveri përmes politikave tona po synojmë objektivat e njëjta, ku përmes masave të ndryshme po ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë”.

Kryeministri e ka vlerësuar punën e Rotarianëve një vlerë të çmueshme për shoqërinë dhe, siç ka thënë ai, edhe përmbushje të misionit njerëzor, e që është përmirësimi i mirëqenies së gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh religjionin, gjininë, moshën, etninë, apo prejardhjen.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Kam kënaqësinë e veçantë të jem në mesin tuaj për këtë datë historike, më saktësisht në themelimin e distriktit të parë Rotarian që formohet nga bashkimi i dy vendeve tona, pra i Klubit të Rotarianëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Ky bashkim në një distrikt është një arritje e madhe që flet shumë për punën e palodhshme dhe rrugëtimin e pandalshëm të të gjithë juve. Pra, është bërë një angazhim i jashtëzakonshëm nga klubet rotariane në Kosovë e Shqipëri, dhe sot kjo punë po kurorëzohet duke u ngritur në nivelin më të lartë. Pra, ky distrikt po bëhet anëtar i barabartë i familjes së madhe rotariane botërore.

Jemi me shumë shpresë se ky distrikt do të shërbejë si mundësi edhe më e madhe për të rritur intensitetin dhe efektivitetin e misionit tuaj, e që është shërbimi dhe ndihma për komunitetin përmes promovimit të paqes, luftimit të sëmundjeve, sigurimit të ujit të pastër, kujdesit për mjedisin, mbështetjes për arsimin dhe të atyre në nevojë, si dhe ndihma në zhvillimin e ekonomive lokale.

Është krenari që të gjitha këto objektiva fisnike të rotarianëve populli ynë i ka të ngjizura në kulturën dhe traditën tonë bujare. Historikisht njihemi si popull që i kemi dalë gjithmonë në ndihmë atyre që kanë qenë më së shumti në nevojë.

Për fisnikërinë dhe bujarinë e popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore, sot shtete si Izraeli e vlerësojnë popullin shqiptar si “të drejtët midis popujve” (Righteous among nations). Pastaj shërbimin ndaj tjerëve e gjejmë edhe te Nëna Jonë e Shenjtë Terezë, e cila ia ka dedikuar jetën e vet për t’i shërbyer të tjerëve – dhe mbarë bota e respekton dhe e nderon këtë bijë të popullit tonë. Dhe, jam i bindur se siç jemi ne krenar me të, edhe ajo sigurisht është krenare me shërbimin tuaj ndaj komunitetit, punë kjo që tani po institucionalizohet në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Të gjitha religjionet e shqiptarëve, myslimanë e të krishterë e ortodoksë, bashkëpunojnë pikërisht gjersa punojnë për popull. Prandaj, kush don të punojë e të bashkojë te shqiptarët e ka gjetur vendin. Bashkëjetesa, përkundër dallimeve dhe bashkëpunimi përkundër pengesave janë tipar normal i yni.

Derisa rotarianët çdo ditë po punojnë për të shërbyer komunitetin, edhe ne si Qeveri përmes politikave tona po synojmë objektivat e njëjta, ku përmes masave të ndryshme po ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë. Gjatë qeverisjes tonë njëvjeçare nuk e kemi mbajtur për shtetin rritjen ekonomike. Kemi ndihmuar pensionistët me dyfishim të pensioneve për tre muaj, dhe rritje permanente të pensionit bazë për 11%. Kemi dyfishuar skemat sociale për dy muaj, dhe kemi rritje permanente për 30% (për gati tridhjetë mijë familje). Kemi ndarë 2 milionë euro për pakot ushqimore për familjet në nevojë, ku 70% e atyre produkteve kanë qenë prodhime vendore, si dhe kemi alokuar mjete për një dyzinë të kuzhinave popullore ku janë ushqyer me mijëra qytetarë të varfër.

Të njëjtën punë po e bëjmë edhe në zhvillimin e ekonomisë dhe arsimit, në lidhjen ekonomisë me arsimin profesional dhe që të dyja këtyre me demokracinë cilësore, si dhe po kujdesemi që të promovojmë paqe në mënyrë që ta rrisim sigurinë në rajon. Për këtë arsye, në takimin tim të parë në Bruksel i pata propozuar palës serbe një Deklaratë për Paqe, për mossulmim por që fatkeqësisht u pat refuzuar nga Serbia pa u lexuar.

Për fund, më duhet të them se sikur edhe ju, edhe ne si politikanë jemi në shërbim të të tjerëve. Sepse edhe fjala ministër në etimologjinë e saj nga latinishtja do të thotë – shërbyes, do të thotë shërbëtor. E kryeministër, i bie i pari midis shërbëtorëve. Puna e Rotarianëve është një vlerë e çmueshme për shoqërinë e sigurisht edhe përmbushje e misionit njerëzor, e që është përmirësimi i mirëqenies së gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh religjionin, gjininë, moshën, etninë, apo prejardhjen.

Edhe njëherë ju faleminderit, përgëzime për themelimin e distriktit, dhe ju uroj punë të mbarë në shërbim ndaj komunitetit./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori