LAJMI I FUNDIT:

Tahiri paralajmëron: Do ta padisim ZRrE-në, nëse nuk e zbaton vendimin e gjykatës për tarifat e energjisë elektrike

Tahiri paralajmëron: Do ta padisim ZRrE-në, nëse nuk e zbaton vendimin e gjykatës për tarifat e energjisë elektrike

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore për pezullim të përkohshëm të tarifave të reja të rrymës për të cilën ishte vendosur në fillim të muajit shkurt.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Tahiri tha se ky vendim duhet të respektohet, në të kundërtën bordi i ZRrE-së bën vepër penale, ndaj ka paralajmëruar se do të angazhohen që të përgatisin padi penale.


Para gazetarëve, shefi i deputetëve të PDK-së ka thënë se deklarata e ZRrE-së që vendimi i marrë nga Gjykata Themelore nuk ka hyrë në fuqi, sepse do ta ankimojnë, është i pavërtetë.

Pezullimi i tarifave të reja të rrymës nga Gjykata Themelore, ZRRE thotë se do ta apelojë vendimin
Lexo po ashtu Pezullimi i tarifave të reja të rrymës nga Gjykata Themelore, ZRRE thotë se do ta apelojë vendimin

“Deklarata e ZRrE-së që ky vendim nuk ka hyrë në fuqi sepse do ta ankimojnë, është i pavërtetë sepse vendimi ka hyrë në fuqi në ditën kur është publikuar. Baza ligjore në të cilën ZRrE-ja thirret është e paqëndrueshme. I bëj thirrje ZRrE-së që ta zbatojë vendimin e Themelores. Në rast se nuk zbatohet, i bëj thirrje Prokurorisë Speciale, por edhe ne do të angazhohemi që të përgatisim padi penale për bordin sepse mosrespektimi i vendimit është vepër penale”, u shpreh Tahiri.

Mes tjerash, ai u bëri thirrje Zyrës së Kryeministrit dhe Presidencës që të mos insistojë në rritjen e çmimit të energjisë eklektike, sepse “kjo po e bën jetën e papërballueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Qytetarët s’duhet t’i paguajnë faturat e energjisë me rritje derisa nuk ka vendim tjetër të Apelit. Ata edhe mund ta apelojnë vendimin, por ne i bëjmë thirrje të mos e bëjnë këtë”, përfundoi Tahiri.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ne fund të javës së kaluar pati vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike. Por, nga ky institucion, në një përgjigje për Telegrafin, kanë thënë se do të paraqesin ankesë pranë Gjykatës së Apelit. ZRRE-ja po ashtu, ka bërë të ditur se nuk e kanë pranuar ende aktvendimin, duke shtuar pa shqyrtimin e Gjykatës së Apelit ky vendim nuk bëhet i formës së prerë./Telegrafi/