LAJMI I FUNDIT:

Putin i tha Macronit se do të vazhdojë luftën në Ukrainë

Putin i tha Macronit se do të vazhdojë luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez, Emmanuel Macron se do të vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë gjatë një telefonate 90-minutëshe mes dy liderëve shtetëror.

“Kjo bisedë është për fat të keq një mundësi për të dëgjuar se Presidenti Putin do të vazhdojë ndërhyrjet ushtarake dhe do të shkojë deri në fund”, tha një burimi i Pallatit Elysee.

“[Thirrja] i lejoi Presidentit të Republikës t’i kthehej mosmarrëveshjeve që kemi me Rusinë, të kërkonte alternativë diplomatike ndaj operacioneve ushtarake, t’i tregonte të vërtetën presidentit Putin për mënyrën se si ne e shohim luftën e tij në Ukrainë, por edhe pasojat që do të ketë për Rusinë në afat të gjatë”, vazhdoi burimi.


Putin dhe Macron patën “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh mbi situatën rreth Ukrainës”, tha të enjten shërbimi për shtyp i Kremlinit.

Të dy palët ranë dakord të mbanin derën e dialogut të hapur, sipas rusëve dhe francezëve, raporton cnn.

Raporti i RIA shtoi se Putini paralajmëroi Perëndimin se nëse negociatat ruso-ukrainase zvarriten, atëherë Moska do të ketë kërkesa të reja ndaj Kievit dhe se detyrat e “operacionit ushtarak special” – eufemizmi i Rusisë për luftën e saj në Ukrainë – do të kryhen në çdo rast.

Sipas burimit të Elysee, Putin gjithashtu mohoi të kishte bombarduar Kievin dhe paralajmëroi se situata do të përkeqësohet, por është faji i Ukrainës.

Në përgjigje, Macron e paralajmëroi Putinin se po bënte një gabim të madh, sipas burimit. Macron përsëriti se kërkesat e Moskës për neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës janë të papranueshme dhe përgjegjësia e këtij konflikti bie tërësisht mbi Putinin.

Por Macron tha gjithashtu se ka ende kohë për diplomaci dhe dialog për të adresuar shqetësimet e Rusisë dhe për të përfshirë interesat e Rusisë; megjithatë, diskutimi nuk mund të ndodhë “nën kontrollin rus” dhe duhej të organizohej nga partnerët ndërkombëtarë, sipas burimit.

Macron gjithashtu i kërkoi Putinit të respektojë presidentin ukrainas, familjen e tij, të afërmit, zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e zgjedhur, sipas burimit.

Pas telefonatës së tij me Putinin, Macron foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn. /Telegrafi/