“Vetingu i politikanëve, si një iniciativë që ndihmon për ta bërë aktiv dhe për t’i hequr çdo alibi SPAK-ut, BKH-së”, u shpreh Basha.
Në takim me liderin e PD ishte një komision bipartizan, por me dominancë nga Partia Republikane. I pyetur nga gazetarët nëse ishte diskutuar për Berishën, Basha u përgjigj duke thënë se “prioriteti ynë absolutë është ndarja nga e shkuara dhe korrupsioni endemik”.
“PD dhe unë nuk mund të bëhemi avokatë personalë të askujt. Do të jemi avokatë të problemeve të shqiptarëve. Jemi siguruar se do të kemi mbështetje nga Kongresi dhe Senati amerikan”, përfundoi kreu i PD.
Pak pas përfundimit të takimit në selinë e PD, Basha foli edhe në Parlament për çështjen e vetingut të politikanëve, ku tha se ky institucion i përfaqësuesve të qytetarëve duhet të pastrohet nga njerëzit që “janë pasuruar në kurriz të tyre” apo duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonët në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare”.
“Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër”, tha Basha./Euronews Albania/