LAJMI I FUNDIT:

Siguria Kombëtare dhe programet e partive politike para zgjedhjeve të 14 shkurtit, analizë nga Besa Kabashi-Ramaj

Siguria Kombëtare dhe programet e partive politike para zgjedhjeve të 14 shkurtit, analizë nga Besa Kabashi-Ramaj

Secila parti politike ka përgatitur si dhe janë duke shpalosur programin e vet zgjedhor gjatë fushatës elektorale për të treguar se si do ta qeverisinë vendin për të arritur simpatinë e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Këto programe prekin çdo fushë të jetës, edhe atë të sigurisë. Mirëpo, se si e kanë trajtuar partitë politike këtë fushë, ekspertja e sektorit të sigurisë dhe inteligjencës kulturore, Besa Kabashi-Ramaj për Telegrafin ka bërë një analizë të detajuar të këtyre programeve të partive politike.


Ajo ka analizuar programet e katër partive politike për sektorin e sigurisë, të cilat janë: Partia Demookratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kabashi-Ramaj tha se kuptimi i konceptit të sigurisë në nivel global ka evoluar, siç tha ajo duke pasur ndryshime drastike në atë se si kuptohet, si rezultat i evoluimit të kërcënimeve dhe rreziqeve.

Sipas saj, siguria kombëtare dikur ishte krejtësisht e përqendruar në ushtri, por duke marrë parasysh ndryshimet e kërcënimeve dhe rreziqeve, ato tani u përgjigjen më shumë shqetësimeve të sigurisë individuale dhe shoqërore.

“Në këtë mjedis të ri, siguria përfshin një koncept më të gjerë, përtej mbrojtjes së shteteve nga kërcënimet e huaja të sigurisë kombëtare, të cilat përfshijnë sigurinë njerëzore. Kërcënimet më të mëdha ndaj një shteti, aktualisht, nuk dominohen nga probabiliteti i lartë i sulmeve konvencionale ushtarake. Kërcënimet ndaj një shteti kanë evoluar dhe janë bërë komplekse, duke synuar destabilizimin e brendshëm, përmes metodave të shumta që janë me kosto më të ulët dhe prodhojnë rezultate më të mëdha, referuar gjithashtu si luftë hibride”, ka thënë ajo.

Tutje Kabashi-Ramaj sqaroi se përballja me një kërcënim të nivelit kombëtar si pandemia COVID-19, por edhe së fundmi me vërshimet, kanë vënë në provë Republikën e Kosovës (RKS), siç tha ajo duke vënë në pah vakumet e mëdha në sistemin e saj të sigurisë.

“Po ashtu duke u nisur nga qasja e gabuar e qeverive (në vazhdimësi) kundrejt sigurisë në vend e deri te sfidat serioze strukturore, të kapaciteteve teknike e njerëzore. Së fundmi, gjatë pandemisë e vërshimeve, në mes tjerash, dukshëm vërehet mungesa e një sistemi funksional për menaxhimin e emergjencave civile dhe përballje me një kërcënim të madh për RKS-në dhe qytetarët e saj”, u shpreh ekspertja e sigurisë.

Situata aktuale, sipas Kabashi-Ramaj është një rezultat i politikave të sigurisë së Republikës së Kosovës në njëzet vitet e fundit.

“Politika që ende shohim sigurinë si një-dimenzionale, ku vetëm shteti është në qendër (vështrim Neo Realist) dhe jo qytetari dhe kërcënimet nda tij/saj. Kjo nuk është në hap me evoluimin e konceptit të sigurisë në nivel rajonal e global dhe që rrezikon të lejë Kosovën të pambrojtur nga kërcënimet e shekullit 21, të cilat më nuk vijnë vetëm nga shtetet, dhe nuk targetojnë vetëm shtete, por janë shume më komplekse, që derivojnë nga akterë jo detyrimisht shtetëror e që targetojnë qytetarët, duke përdorur metoda jo-konvencionale për të destabilizuar shtetet nga brenda”, tha tutje ajo.

Ekspertja e sektorit të sigurisë gjithashtu sqaroi se politika të tilla kundrejt sigurisë krijojnë hapësirë për një aparat jofunksional të sigurisë kombëtare, ku komponentët e domosdoshme të sistemit ose janë jofunksionale, ose siç tha ajo jo efikase e ku kapacitetet teknike e njerëzore janë jo adekuate për të adresuar kërcënimet ndaj qytetarëve të RKS-së dhe RKS-së si shtet.

Ajo tha se partitë politike që kanë udhëhequr vendin deri sot e të cilat pretendojnë ta udhëheqin në të ardhmen, ende nuk i kanë dhënë përparësi sigurisë, platformat e të cilave vazhdojnë ta adresojnë sigurinë sipërfaqësisht.

“Një parti politike në RKS, e cila nuk është në gjendje të kuptoj qartë kërcënimet dhe rreziqet për sigurinë kombëtare ndaj RKS-së dhe qytetarëve të saj, do të dështoj të përmbushë njërën ndër obligimet më bazike të kontratës së saj shoqërore dhe t’i sigurojë qytetarët e RKS-së përmes një sistemi funksional të sigurisë, i cili është i aftë të ju përgjigjet të gjitha kërcënimeve dhe rreziqeve që ju kanosen atyre si qytetarë dhe RKS si shtet”, tha ekspertja e sektorit të sigurisë.

Më poshtë lexoni analizën e bërë të programeve të partive më të mëdha politike në vend nga ekspertja e sektorit të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – Fillimisht, nëse shohim programin e PDK së, për sigurinë flitet në dy sektorë: një pjesë që i dedikohet sundimit të rendit dhe ligjit, dhe më vonë një tjetër që i dedikohet vetëm mbrojtjes. Tek sektori i parë që flet për sundimin e rendit dhe ligjit, në aspektin e sigurisë, PDK-ja fokusohet te policia, zjarrfikësit dhe siguria në trafik. Madje përderisa është e bazuar nevoja për zgjedhjen e statusit të zjarrfikëseve, nuk ka qartësi për bazën (vlerësimin) mbi të cilin janë bazuar për të vendosur që zjarrfikësit të bartën nën kompetenca qendrore e jo komunale. Kjo do të duhej të ndodhë konform harmonizimit me komponentët dhe mekanizmat tjera të menaxhimit të emergjencave në vend. Ndërsa, sektori i dytë, dedikuar krejtësisht mbrojtjes, fokusohej vetëm në një komponentë, FSK-në. Megjithatë, në programin e tyre të gjerë e të detajuar për shumë fusha kyçe, sektor të veçantë e detajuar për Sigurinë Kombëtare dhe të gjitha komponentët e saj, nuk kishte.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – Programi i LDK-së gjithashtu ka një sektor të shkurtë, brenda programit të saj, që adreson mbrojtjen dhe sigurinë publike, por jo në aspektin strategjik Sigurinë Kombëtarë dhe vizionin e tyre për të, duke përshirë këtu edhe komponentët specifike siç janë mbrojtja e siguria publike në mes tjerash. Madje, te mbrojtja, fokusi është vetëm tek FSK, sërish, e përbrenda prioritet shohin shërbimin ushtarak obligativ, i cili nuk përkon me standarde moderne ushtarake të NATO-s e partnerëve strategjikë si SHBA të cilët synojnë forca ushtarake profesionale. Ndërsa te siguria publike, fokusi bie mbi Policinë.

Lëvizja Vetëvendosje (VV), në programin e saj, gjithashtu ka dy sektorë ku adreson pjesë të caktuara të sigurisë. Te siguria publike dhe policia, VV fokusohet në policinë e RKS, duke shpalosë reformat që premton se do ti bëj për të ngritë integritetin, profesionalizmin e afërsinë me qytetarë në shërbim të sigurisë publike. Te mbrojtja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, i jepet theks vetëm FSK së dhe ngritjes së gatishmërisë së saj për të përmbushur misionin, duke u fokusuar në mbrojtjen e vendit. Megjithatë, as programi i VV-së nuk ka një sektor të veçantë ku parashihet vizioni strategjik i tyre për Sigurinë Kombëtare duke adresuar të gjitha komponentët e saj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – Duke i pa programet që partitë politike kanë publikuar, e me të cilat po garojnë për zgjedhjet e 14 Shkurtit, vërehet që qasja ndaj sigurisë nuk ka ndryshuar e as nuk ka evoluar, përkundër kërcënimeve e rreziqeve që i kanosen RKS-së dhe qytetarëve të saj. Prandaj, sikur në programet e partive të lartpërmendura, sa i përket fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, as AAK-së s’e ka prioritizuar mjaftueshëm Sigurinë Kombëtare, duke e krijuar një pikë të përbashkët për Sigurinë dhe Sundimin e Ligjit. Përderisa AAK liston disa prioritete brenda fushës së sigurisë, sikurse rritja e buxhetit për FSK-në në 2 për qind (%) të Bruto Produktit Vendor (BPV), në mes tjerash, nuk ka ndonjë sqarim mbi të cilin bazohet shtyrja e një politike të tillë pas një krize serioze financiare nga pandemia (NATO 2% e ka standard, por shumica nuk e plotësojnë, pikërisht për shkak të sfidave të brendshme vendore). Gjithashtu, krijimi i mbrojtjes civile nuk sqarohet fare, përkundër faktit që nga Rishikimi Strategjik i Sektorit Strategjik, shtatë vite më parë ka dal plani i detajuar i zhvillimit të FSK-së dhe respektivisht edhe Gardës Kombëtare, deri në detaje se si duhet ndërtuar, pas një analize të thellë të përkrahur nga SHBA-të.

Kabashi-Ramaj tutje tha se edhe pse këto parti politike në këto zgjedhje kanë platforma në një nivel më të mirë krahasuar me ato të cilat janë prezantuar në vitet e kaluara, sërish nuk qëndrojnë mirë.

“Përderisa partitë në garë, kanë platforma më të nivelshme kësaj radhe (krahasuar me më pare), ku shihen më qartë fushat që i mbulojnë dhe prioritetet që kanë, qofshin ato edhe super ambicioze, në aspektin e sigurisë kombëtare, asnjëra nuk qëndron mirë. Në këtë aspekt, qartë mungon vetëdija për kompleksitetin e sigurisë si koncept, në kontekstin e sotëm rajonal e botëror dhe se sa rëndësi ka për të bërë të mundur realizimin e çfarëdo aspekti zhvillimor të një shteti, qoftë ekonomik, shëndetësor, arsimor, e të tjerë”.

Ekspertja Kabashi-Ramaj po ashtu sqaroi se pa e kuptuar qartë se çfarë do të thotë siguria për RKS-në si shtet dhe për qytetarët e saj, pa kuptuar qartë llojet e kërcënimeve dhe rreziqeve që i kanosen qytetarëve të RKS-së dhe RKS si shtet, është e pamundur që një parti politike që vjen në pushtet, të krijoj një Strategji Kombëtare të Sigurisë e cila:

– Komunikon vizionin strategjik të një qeverie para parlamentit, duke ja bërë të qartë rrjedhimisht kërkesat financiare që do të dalin për ta implementuar me sukses,

– Komunikon një vizion të qartë dhe largpamës për qytetarët e RKS,

– Krijon konsensus të brendshëm për politika të sigurisë dhe mbrojtjes si dhe politika të jashtme që janë kyçe për mbrojtjen e vendit,

– Dhe përfundimisht, siguron një aparat funksional e efikas të sigurisë ne vend, me të gjithë komponentët e nevojshëm, i cili siguron jetën e qytetarëve dhe shtetin kundrejt kërcënimeve dhe rreziqeve komplekse që sot na kanosen. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Lajme
Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Drejtësi
Në Shqipëri zyrtari policor e shantazhon qytetaren: Mi jep 3 mijë euro ose t'i publikoj fotot zhveshur

Në Shqipëri zyrtari policor e shantazhon qytetaren: Mi jep 3 mijë euro ose t'i publikoj fotot zhveshur

Lajme
Mbyti dhe dogji prostitutën shqiptare në një pyll të Francës, prokuroria kërkon 20 vite burg për autorin

Mbyti dhe dogji prostitutën shqiptare në një pyll të Francës, prokuroria kërkon 20 vite burg për autorin

Lajme
Policia shkatërron edhe një laborator tjetër të drogës në Leposaviq

Policia shkatërron edhe një laborator tjetër të drogës në Leposaviq

Kronika e Zezë
Anëtarësimi në KiE është me “qejf”, thotë Ymeri

Anëtarësimi në KiE është me “qejf”, thotë Ymeri

Lajme
Kalo në kategori