LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i Ali Podrimçakut për krimet e Serbisë në Krajkovë të Drenasit

Rrëfimi i Ali Podrimçakut për krimet e Serbisë në Krajkovë të Drenasit

Ali Podrimçaku nga fshati Krajkovë i Drenasit shkon çdo ditë në vendin ku është torturuar e maltretuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa i përlotur rrëfen atë që përjetoi ai dhe familja e tij.

“Në Drenicë ka qenë luftë e madhe. Me 24 shtator forca të mëdha serbe kanë ardhur në grykën e Llapushnikut…Fshati Krajkovë është djegur tërësisht, përfshirë edhe xhaminë. Asnjë shtëpi nuk është lënë pa djegur”, fillon tregimin Aliu.

Tashmë 76-vjeçar, ai tregon se është rrahur nga serbët sa që për një kohë të gjatë është menduar nga familjarët si i vdekur. Ishte mrekulli, fakti që ai mbijetoi.


“Me kanë zënë dhe më kanë rrahur sa që më kanë lënë për të vdekur. Iu kam thënë mos më goditni se stupci qenka i rëndë, më vrisni ndoshta vdes më lehtë. Më kanë thënë se nga Slloba e kanë porosi që të shkrumbojnë dy komuna në Drenicë, pasi kemi rezistuar vazhdimisht. Iu kam thënë “grahni”, atëherë më kanë goditur dhe më kanë lënë të shtrirë për të vdekur”, tregon më tej Ali Podrimçaku.

Edhe Esat Shala është një banorë i këtij fshati i cili ka grumbulluar materiale të shumta vizive për krimet serbe në Kosovë.

Ai thotë se posedon rreth 1800 kaseta që dëshmojnë gjenocidin serb në Kosovë.

“Në këto materiale ka beteja të ndryshme por edhe pamje nga masakrat e shumta në Kosovë”, tregon Esat Shala./Telegrafi/