LAJMI I FUNDIT:

Nga UÇK-ja në Polici të Kosovës, familjarët flasin për personalitetin e policit të vrarë

Nga UÇK-ja në Polici të Kosovës, familjarët flasin për personalitetin e policit të vrarë

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaçi i cili ndërroi jetë pas plagëve të marra në një shpërthim që ndodhi mbrëmë gjatë një aksioni policor në Zhur të Prizrenit kishte qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e bëjnë të ditur familjarët e tij, të cilët mes emocionesh tregojnë se Samiu ishte një njeri me virtyte të larta.

I qetë, i butë, plot dashuri e respekt. Por edhe i vetëdijshëm për kuptimin e shenjtë të lirisë.


Të tillë e përshkruajnë familjarët policin e vrarë mbrëmjen e së martës në Zhur të Prizrenit, Sami Thaçin.

Me plot emocione por edhe krenar, vëllai i të ndjerit, Fadil Thaçi tregoi se Samiu ishte vetëm 15 vjeç kur ja mësyu Shqipërisë për tu armatosur kundër pushtuesit serb.

“Ende pa i bërë 15 vjet, Samiu ka shkuar në Shqipëri dhe është armatosur. Ka shkuar bashkë me dy shokë pa përcjellje është armatosur dhe është kthyer në Kosovë…Ka qenë shumë i dashur dhe shumë i respektuar nga njerëzit, por ky paska qenë fati i tij”, deklaroi Fadil Thaçi për RTV Dukagjinin.

Se Samiu ishte një njeri me virtyte të larta e thotë edhe djali i axhës, njëkohësisht edhe bashkëluftëtar i tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Telegrafi.

“Si persona ka qenë njeri human, bujar, intelektual. Ka pasur virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare. Ai ka pasur vetëm fjalë të mira për njerëzimin”, deklaroi Faton Thaçi.

E për ngushëllime tek familja e të ndjerit ishte edhe Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, Faton Alia.  Ai ka thënë se Samiu ishte shembull në profesionin e tij, prandaj edhe disa herë është shpërblyer me mirënjohje.

Shpërthimi në Zhur dhe gjithçka tjetër që ndodhi në mbrëmjen e së martës ku la të vdekur një polic dhe u plagosën dy persona të tjerë
Lexo po ashtu Shpërthimi në Zhur dhe gjithçka tjetër që ndodhi në mbrëmjen e së martës ku la të vdekur një polic dhe u plagosën dy persona të tjerë

“Ka qenë nga Gjenerata e 30-të. Ka punuar në njesinë antidrogë. Ka qenë pjesëtarë i UÇK-së dhe është shpërblyer disa herë me mirënjohje për punën e tij shembullore. Këtë e ka dëshmuar edhe në rastin e fundit ku ka rënë në krye të detyrës pa asnjë hezitim”, deklaroi Faton Alia.

Sami Thaçi mbrapa vetës la 3 fëmijë, djali më i madh 10 vjeçar ndërsa më i vogli 3 vjeç. /Telegrafi/