LAJMI I FUNDIT:

Portreti epik i shqiptarit me famë botërore: Mehmet Aliu i Egjiptit

Portreti epik i shqiptarit me famë botërore: Mehmet Aliu i Egjiptit

Nga: Vladimir Molla

Mbas largimit të francezëve, kontradiktat u ashpërsuan në vetë shoqërinë egjiptiane të kohës. Kësisoj, lufta nuk do të zhvillohej ndaj një fuqie të huaj, por mes veti. Egjipti u përfshi në një luftë civile të përgjakshme. Nga njëra anë qëndronte shteti osman në degradim e sipër me struktura politike e ushtarake në shërbim të tij, ndërsa përballë një kastë e vjetër ushtarake, të ashtuquajturit mamlykë, si edhe lëvizja vahabiste në dukje fetare e shpirtërore, por në thelb lëvizje politike ushtarake.

Aso kohe, gjendja në Egjipt nuk ishte aspak e qetë. Egjipti ishte zhytur në një krizë të thellë, të gjithanëshme, dhe Perandoria Osmane nuk qe në gjendje të ndalonte përshkallëzimin e saj. Shkaku kryesor i lindjes së krizave ishte vetë Ajo, që me paqendrueshmërinë ku ndodhej ishte rrezikuar për t’u pushtuar dhe shpërbërë si Perandori. Boshllëkun e krijuar prej largimit të francezëve e kishin shfrytëzuar si forca të brendshme të cilat me separatizmin e tyre synonin sundimin e vendit, po kështu edhe forca të jashtme, si p. sh. Perandoria Angleze që kishte pasur si objektiv të kahershëm pushtimin e Egjiptit dh, e në pamundësi të saj, të paktën krijimin e lehtësirave të shumta të marrëdhënieve tregtare e kulturore përsa u përket gërmimeve arkeologjike, zbulimit të artefakteve të shumta, përvetësimit dhe dërgimit të tyre në Angli.


Skenën e rebelimit e kishte zënë një forcë e dale prej aristokracisë feudo-ushtarake e përbërë nga të ashtuquajturit mamlykë. Po ç’ishin mamlykët? Ata kanë përbërë një dinasti që mbretëroi në Egjipt e Siri nga viti 1250-1517. Mamlykët përbënin ajkën e luftëtarëve egjiptianë. Ata përzgjidheshin nga sulltanët prej radhëve të milicisë, duke i shndërruar në një trupë të veçantë. Kjo trupë ndali në vitin 1260 hordhitë mongole në Siri dhe përndoqi kryqtarët e Levantit (1250-1251). Pas vitit 1517, mamlykët iu bashkuan otomanëve. Gjatë fushatës franceze në Egjipt, Napoleon Bonaparti kishte krijuar një eskadron (kompani) me mamlykë, që i ishte bashkëngjitur ushtrisë franceze. Sundimi i Egjiptit prej kësaj kaste ushtarake feudale zgjati për 600 vjet. Gjatë kësaj periudhe Egjipti shkoi drejt një rrënimi të plotë. Për temën e mamlykëve, sovjetikët kanë bërë filma ku për ndikim propagandistik i kanë trajtuar si faktor pozitiv në luftërat kundër turqve, përkatësisht kundër M. Aliut. Nga filmat me këtë temë na ka ngelur në kujtesë çdo fillim sulmi shoqëruar me britmat ”yxhym mamlyk”.

Siç ndodh jo rrallë në histori, sundimi nga të njëjtët njerëz dhe pasardhës të tyre mbi popullin nëpërmjet një arbitrariteti të dhunshëm, duke shkelur ligje dhe të drejta, nuk mund të mos shndrohet në tirani. Nën thundrën e mamlykëve ndodhej egjiptiani i thjeshtë, dhe mamlykët pavarësisht përçarjes së tyre ndihmoheshin nga anglezët.

Osmanët nga ana e tyre nuk kishin mundur t’i shfarosnin mamlykët dhe për arritjen e këtij qëllimi shpresa e vetme kishte mbetur Mehmet Aliu. Ndërkohë duhet thënë se, sulltani osman më mirë do të parapëlqente fuqizimin e mamlykëve sesa atë të M. Aliut. Por bashkëpunimi me shqiptarin e madh ishte një rrethanë shtrënguese për ta, prandaj M. Aliu shihej si shansi i fundit për të penguar anglezët të hynin dhe të qëndronin në Egjipt. M. Aliu nga ana e tij kishte studiuar gjendjen dhe merrte masat e duhura për çdo të papritur. “Por-thotë M. Sabry – gjenialiteti i M. Aliut, që vërteton origjinalitetin e tij, qëndron në atë… se ai gjeti një element të ri që do t’i siguronte pushtetin. Ky element i ri ishte populli i Kajros, i cili gjatë pushtimit francez kishte dalë nga topitja dhe nisi të luante një rol në ngjarjet që zhvilloheshin, si dhe të interesohej për problemet publike…. Midis udhëheqësve të popullit dallohej Naknib El Ashraf apo prijësi i pasardhësve të profetit, atëherë ishte heroi popullor i fellahëve…, të cilin turqit e urrenin shumë”. (M. Sabry, “ M. Aliu “, faqe 7).

M. Aliu zuri të afrohej me një udhëheqës tjetër të popullit, Sajed Omar Makram. Miqësia me të do të thoshte afrim me popullin e Kajros, që i nxitur nga M. Aliu do të luante një rol të rëndësishëm në përmbushje të qëllimeve të tij. Kësisoj, si aleat zgjodhi njërin prej dy krerëve më të fuqishëm të mamlykëve, Osman El Bardisin. Tjetri, Muhamet El-Elfi ishte kompromentuar për shkak të bashkëpunimit me anglezët, të cilët e shihnin si veglën më të përshtatshme për rivendosjen e autoritetit të mamlykëve në Egjipt, që në të vërtetë do të thoshte rivendosje e ndikimit anglez në Egjipt.

“M. Aliu, duke mbajtur një qëndrim moskokëçarës, të cilin ia kërkonte detyra si gjeneral i ushtrisë osmane, si ruajtës i rendit dhe mbrojtës i popullit, nxiti aleatin e tij të ri, El-Bardisin kundër Muhamet Khosrevit, mëkëmbësit të Mbretit në Egjipt. El-Bardisi arriti ta thyejë Khosrevin në Damiet dhe e dërgoi në burg në Kajro më 1803. Porta e lartë emëroi në vend të tij Ali-Gezerli Pashën. Por ai pati fat më të keq se paraardhësi i tij, sepse u vra nga mamlykët dhe shqiptarët”. (M. Sabry, M. Aliu, faqe 7).

El-Bardisi prej pazotësisë së tij apo dhe ndikimit të nëndheshëm të M. Aliut nuk e pati jetën të gjatë. Si rrjedhojë e presionit të popullit, ai u shtrëngua të largohet nga Kajro më 1804.

Mbas burgosjes së Khosrevit, Egjipti kishte ngelur pa mëkëmbës. M. Aliu e solli rrotull punën që këtë post ta zinte Hurshid Pasha, guvernatori i Aleksandrisë. Porta u shtrëngua ta pranojë zgjedhjen. Por që në fillim duhet thënë se Hurshid Pasha dështoi në qeverisje, sepse ushtarët të përbërë kryesisht nga shqiptarë filluan të ngrinin krye për shkak të mos shlyerjes të rrogave të prapambetura. Zëvendësimi i shqiptarëve me delhitët e përkeqësoi më shumë gjendjen. Personi përgjegjës, pra, Hurshid Pasha refuzoi zëvendësimin e tij, që i ishte njoftuar më parë me anën e dërgatës së posaçme të Portës së Lartë, dhe vetëm për këtë rast kishte zbritur në Kajro. Në vend të dorëzimit të detyrës, Hurshid Pasha u mbyll në kështjellë me 150 besnikë të tij dhe filloi përgatitjet për mbrojtje. Populli, që kishte rrethuar kështjellën dhe udhëhiqej nga Sajed Omar Makram, miku i ngushtë i M. Aliut, e vuri në pozitë të vështirë Hurshid Pashën.

Ndërkaq, autoriteti i M. Aliut në popull ishte rritur së tepërmi. Në këtë kohë ai gëzonte mbështetje jo vetëm prej shtresës së ulemave, por të të gjithë popullit. Selihtari i Vezirit të madh mbërriti në Kajro më 9 prill 1805. Përmbajtja e fermanit që kishte sjellë me vete përfshinte pikërisht dëshirën e ulemave dhe të popullit të Kajros për të pasur mbi krye vetëm M. Aliun në vend të Hurshid Pashës në Pashallëkun e Egjiptit dhe urdhrin përkatës për fillimin sa më të shpejtë të detyrës. M. Sabry, përsa u përket mjeteve të përdorura prej M. Aliut për marrjen e pushtetit shprehet në këtë mënyrë: “Pra, origjina e pushtetit të tij është zgjedhja nga populli”(M. Sabry: M. Aliu, fq. 8).

Përsa i përket Hurshid Pashës, ky mbas disa sorollatjesh-thotë M. Sabry-u largua nga Kajro. Askush nuk dëgjoi të flitej më për të. Së fundmi, mbas shumë vjetësh, ai u shfaq përsëri në histori aty nga viti 1822, këtë herë si kryekomandant i ushtrisë turke në krye të ekspeditës për asgjësimin e Ali Pashë Tepelenës. Pasi ekzekutoi djemtë e Ali Pashës, Muhtar Pashën etj. ia arriti që kokën e Ali Pashës ta çonte si trofe në Stamboll. Nuk shkoi shumë kohë dhe Hurshid Pasha, i dyshuar për vjedhje të thesarit të Ali Pashës, e zgjati edhe ai qafën para xhelatit.

Fill mbas emërimit të M. Aliut në krye të Pashallëkut të Egjiptit, Porta kërkoi një shkëmbim pushteti. Mehmet Aliu u urdhërua të shkonte në Pashallëkun e Egjeut ku qeveriste Musa beu, ndërsa ky i fundit do të zinte vendin e M. Aliut në Egjipt. Arsyeja e kësaj lëvizje të papritur mund të merrej lehtë me mend. Porta e lartë deshi ta shkëpuste M. Aliun prej tokës dhe popullit të Egjiptit ku ai kishte krijuar lidhje të fuqishme që i jepnin garanci për një pushtet të qetë dhe të qëndrueshëm. Mirëpo, ashtu siç edhe pritej, Mehmet Aliu, “i mbështetur nga populli, te besnikëria e trupave të tij dhe dy komandantët shqiptarë Hasan Pasha dhe Abedin Beu(dy kushërinjtë e tij të parë – V. M. ) e kundërshtoi urdhrin e Portës. Kjo, më 1806 u detyrua ta konfirmonte postin e tij” (M. Sabry, “M. Aliu”, fq. 8). Me interes është të përmendet fakti i vdekjes të dy krerëve mamlykë, pra, të El-Bardisit që vdiq më 19 nëntor 1806 dhe të El-Elfit më 30 janar 1807. Vdekja e tyre dëmtoi mamlykët e Egjiptit të sipërm. Gjithsesi, në qershor të vitit 1808 mamlykët zaptuan gjithë Egjiptin e sipërm. Në këtë gjendje pushtimi ngeli Egjipti i sipërm deri në muajin gusht të vitit 1810, kur M. Aliu arriti pas luftërave të përgjakshme fitoren përfundimtare. Duke lajmëruar këtë fitore, , Mehmet Aliu thoshte: “Me ndihmën e zotit, tirania e Mamlykëve u zhduk. Kjo fitore i krijoi mundësi atij të fuste nën zotërim Egjiptin e sipërm, të vendoste një pushtet unik dhe të gjallëronte tregtinë dhe bujqësinë, që lufta e brendshme kundër mamlykëve i kishte shkatërruar(M. Sabry, “M. Aliu”, fq. 10).

Mehmet Aliu, pavarësisht se u kishte dhënë mamlykëve një goditje vdekjeprurëse, nuk ishte i qetë edhe me një prani të paktë të tyre. Për shfarosjen përfundimtare, ai-përveçse urdhëroi komandantët e provincave të vrisnin çdo mamlyk të thjeshtë-organizoi më 1 mars 1811 një festë, që në fakt ishte një kurth i ngritur prej M. Aliut brenda kalasë së Kajros, duke mos u treguar në të vërtetë aspak fisnik dhe kalorësiak. Me dhënien e sinjalit, të gjithë bejlerët mamlykë me në krye Shahin Beun u mbyllën në bodrumet e kalasë dhe u masakruan nga ushtarët e Pashait.

Jehona që shkaktoi zhdukja e tiranisë të mamlykëve, nuk u dëgjua vetëm në Egjipt, por në mbarë Evropën. Kjo ngjarje nuk i shpëtoi as syrit të mprehtë të Balzakut, i cili si një prej përfaqësuesve më në zë të Realizmit Kritik e bëri pjesë të veprës “Komedia njerëzore” dhe nëpërmjet personazheve të saj i jep vlerësimin më të lartë M. Aliut, duke e quajtur gjeni të madh, krahas N. Bonapartit dhe Ali Pashë Tepelenës. Kësisoj, në romanin “Iluzionet e humbura” (përkthyer në shqip prej Klio Evangjelit, botim i vitit 1970, fq. 37), kur përshkruan njërën prej personazheve të romanit, znj. De Barzheton, Balzaku vë në dukje prirjen e saj ndaj figurave të mëdha të historisë dhe kulturës botërore. “Ajo – thotë Balzaku – kujtonte pashain e Janinës dhe donte të luftonte me të në sarajin e tij. Adhuronte Bajronin, Zhan Zhak Rusonë, tërë qeniet poetike dhe dramatike. Ajo derdhte lot për çdo fatkeqësi dhe ngazëllehej për çdo fitore. Ndiente simpati për Napoleonin e syrgjynosur, kishte simpati për Mehmet Alinë, që shfarosi tiranët e Egjiptit. Shkurt ajo u vinte aureola njerëzve gjenialë”.

Jemi të shtrënguar që sado shkurt, të përmendim edhe përballjen e M. Aliut ndaj ndërhyrjeve angleze, sidomos kur Anglia nuk kishte mundur të siguronte protektoratin mbi Egjiptin. Zgjidhja që i mbetej Anglisë në këto kushte ka qenë: pushtimi i Egjiptit, që në fakt e realizoi në vitin 1807, mbas pushtimit të Aleksandrisë dhe tentativës për të pushtuar Rozetën. Disfata që pësuan anglezët në Rozetë pati një ndikim të jashtëzakonshëm në ngritjen e moralit të popullit, ushtrisë të drejtuar prej M. Aliut dhe mbi vetë Mehmet Aliun. Festimet vijuan gjatë në rrugët e Kajros ku dalldisja ka qenë e papërshkrueshme. Të njëjtin dështim provuan anglezët gjatë përpjekjeve për të marrë El-Hamedin. M. Sabry thotë, se: “Kabineti anglez e kuptoi se çështja ishte më e vështirë seç dukej. Pushtimi i Egjiptit kërkonte ushtari të madhe. Pas gjashtë muajsh pushtimi, anglezët u larguan nga Aleksandria…Fushata e vitit 1807 pati edhe një rëndësi tjetër: ajo shënon një datë në jetën e Mehmet Aliut. Deri tani Mëkëmbësi i Mbretit merrej vetëm me konsolidimin e fronit, të kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga një lidhje e dyfishtë midis armiqve të jashtëm dhe atyre të brendshëm. Fushata e fundit u tregoi anglezëve se ata kishin hipur mbi një kalë ters. Tashmë, vijat e mëdha të politikës të M. Aliut ishin hequr. Duke forcuar pushtetin e brendshëm ai kishte shikimin ambicioz edhe jashtë dhe do të provonte atë dëshirë të pamasë për lavdi që e shtynte për plotësimin e gjerave të mëdha”(M. Sabry, “M. Aliu”, fq 9).

Përpara se M. Aliu të ndërmerrte hapa të mëdha për zgjerimin e territoreve të tij, do t’i duhej të modernizonte shtetin, sidomos ekonominë, mbi të cilën do të mbështetej ky shtet së bashku me institucione të tjera. Jo më kot ai thoshte: “një mbret duhet të mbajë në njërën dorë kuletën dhe në tjetrën shpatën. ”. Të njëjtin mendim, por në një formë tjetër ka pasur edhe N. Bonaparti. Atij i atribuohet thënia: “L’argent fait la guerre” (Paraja bën luftën).

Modernizimin e shtetit M. Aliu do ta fillonte me modernizimin e ushtrisë. Pjesë e këtij modernizmi do të ishte krijimi i një flote civile tregtare dhe luftarake. Duke pasur një nuhatje prej tregtari të mirëfilltë, Mehmet Aliu shfrytëzoi kërkesat e mëdha të tregut për grurë, dhe me gjithë pengesat që shkaktonte Porta për ta ndalur eksportin e grurit, sepse kishte vetë nevojë për të, M. Aliu e shiti gjithë sasinë e grurit me çmim tre herë më të lartë. “Që nga viti 1808 deri më 1812 tregtia e grurit e mbushi arkën e Mëkëmbësit të Mbretit me shuma të konsiderueshme”(M. Sabry, “M. Aliu”, fq. 11).

Raportet e konsujve kishin vëzhguar me mprehtësi ngritjen ekonomike të M. Aliut. Ata e kuptonin qartë, se ngritja e ekonomisë do të thoshte ngritje e ushtrisë. Një prej këtyre konsujve, M. Dovreti shkruante më 28. 11. 1812: “M. Aliu kursen çdo vit për kontingjentet e ardhshme njëzet milion në vit. Tashmë ai konsiderohet si pashai më i pasur i Perandorisë Otomane”.

Veprimtaria njohëse jo vetëm mbi territorin, por edhe mbi përbërjen sociale e fetare të popullsisë, shtresës së ulemave (interpretuesve të kuranit), krerë të ndryshëm fisesh etj. ishin nga detyrat parësore që duhej të kryheshin prej M. Aliut Njohja e besimit fetar suni të egjiptianëve, por edhe besimit të krishterë të koptëve që krijonin larushitje fetare kërkonin prej burrit të shtetit asimilimin e domosdoshëm dhe ruajtjen e një ekuilibri akrobatik. Ishin dogmat fetare ato që tronditnin herë pas here gjithë popullsinë, sidomos kur mosmarrëveshjet më të mprehta dhe më të rrezikshme sociale lindnin në sekte të veçanta fetare, si p. sh. rasti i vahabizmit që, pavarësisht se ishte i të njëjtit besim me popuj të tjerë të Perandorisë, nuk mund të mos sillte përçarje dhe konflikte, të zakonshme në raste të tilla. Këto lëvizje të filluara për arsye fetare shndërroheshin në lëvizje të rrezikshme politike. Shfaqja e tyre e herëpashershme bëhej me anën e kryengritjeve të armatosura, duke pasur në thelb synimin për të larguar sa të ishte e mundur më shpejt pushtetin osman dhe duke marrë kryengritja hera herës karakterin e një lëvizje kombëtare.

Në atë kohë nuk u trondit vetëm vendi ku kishin qendrën vahabistët, që sot quhet Arabia Saudite, por edhe vende të tjera, si p. sh. Egjipti, Siria, Jemeni etj. Vahabizmi ishte krijuar si doktrinë e veçantë brenda besimit islam, në themel të së cilës qëndronin rregullat strikte mbi praktikumin e një mënyre të thjeshtë jetese, si ato që zbatoheshin në çastin e lindjes të besimit islam. Kësisoj, Perandoria Otomane ndërsa praktikonte një islam të moderuar, njëkohësisht zbatonte edhe një shkollë të veçantë juridike, Hanafizmin, njërën prej katër shkollave të mëdha juridike të Islamit Sunit. Hanafizmi u themelua prej Abu Hanifa (696-767), emrin e të cilit ka marrë shkolla. Kjo u përshtat për nevojat e P. O. Ndërsa Vahabistët dje nën P. O. dhe sot Arabia Saudite zbatojnë një shkollë tjetër juridike, po të Islamit Sunit, të quajtur Hanbalizmë sipas emrit të themeluesit të saj Ahmad Ibn Hanbal (780-855). Hanbalizmi është në fuqi sot në Arabinë Saudite. ). Ky është aspekti doktrinar, juridik dhe fetar.

Kurse, përsa u përket mjeteve me anën e të cilave përkrahësit e lëvizjes synonin të arrinin qëllimet e tyre, menjëherë u mbështetën në fillimin e kryengritjes të armatosur. Lëvizja veç karakterit ushtarak që po shfaqte tregonte qartë se ishte shndërruar në një lëvizje politike të pastër, që rrezikonte drejtpërdrejt Perandorinë Osmane, por në të njëjtën kohë ishte edhe një gur prove për aftësitë politiko-ushtarake të M. Aliut, i cili zbatonte një Islam jo aq të rreptë, frymë e përhapur edhe në Egjipt në sajë të tij dhe të shqiptarëve që ndodheshin atje. Kur flitet për besimin fetar në Egjipt, ndër të tjera edhe në Enciklopedinë franceze (Larousse) shkruhet: “Egjipti mysliman gjer te M. Aliu”. Kështu historianët e Botës ndajnë kohën në periudha të caktuara të historisë nga njëra tjetra, kur shprehen: “Para e pas Mehmet Eliut”. Vlerësim më të lartë për shqiptarin e vetëm që ringriti një shtet dhe një komb të tërë nga hiçi, zor se mund të gjendet.

Doktrina u themelua nga Muhamet Vahabi, prej të cilit mori emrin dhe u shtri pothuaj në gjithë Gadishullin Arabik, veçanërisht në territorin ku ndodhet sot Arabia Saudite. Fiset arabe të ndodhura atje iu bashkëngjitën të parat lëvizjes vahabiste. Zbatimi në praktikë i saj u realizua prej Abdullah Saudit, i cili udhëhiqte kryengritjen e armatosur kundër P. O. Kjo kryengritje veç autoritetit të sulltanit lëkundi rëndë sidomos pozitën politike dhe ushtarake të vetë M. Aliut, çka varej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga suksesi që do të kishte në luftën kundër kësaj lëvizje.

Prof. A. Xhuvani në “Jeta e M. Aliut”(fq. 44) thotë se, fise të fuqishme arabe nuk e njihnin më autoritetin e Sulltanit, karakteri politik i lëvizjes kishte luejtun pak nga feja myslimane, karakteri fetar i saj.

Në të vërtetë, pasqyrimi jo i hollësishëm i përmbajtjes dhe thelbit të vahabizmit nuk na lejon të shohim qartë fuqinë, shtrirjen dhe rrezikun e saj. Duke qenë një lëvizje e re sektare, vahabizmi nuk qe as më pak dhe as më shumë e mirë apo e keqe, e dobishme apo e rrezikshme nga lëvizjet e tjera sektare që kishin lindur brenda islamit dhe që vetiu ndikonin në qerthullin e dogmave fetare, duke filluar me liberalizmin dhe predikimin e dashurisë midis njerëzve, dhe duke përfunduar me radikalizmin ekstrem apo mbjelljen e urrejtjes e të përçarjes midis tyre. Nga këto ndarje në interpretimet e doktrinës islame, nuk mund të mos kujtojmë së fundmi luftërat e myslimanëve sunitë ndaj atyre shiitë, përkatësisht luftën 8 vjeçare në vitet ’80 të shekullit të kaluar midis Irakut dhe Iranit, që përfundoi me humbjen e mijëra jetëve. Edhe në kohën që po flasim, në çastin e krijimit të vahabizmit viktimat nuk kanë qenë të pakta.

Përsa i përket M. Aliut mund të themi se kjo lëvizje binte ndesh me objektivat e zgjerimit të Perandorisë së tij, sidomos me shtimin e të ardhurave që do të vinin nga kontrolli i lëvizjes së pelegrinëve për në vendet e shenjta dhe kryesisht pushtimin e tyre. Në përmbushjen e këtyre qëllimeve, M. Aliu përdorte jo vetëm luftën, por siç thotë prof. A. Xhuvani: “edhe një politikë të shkathët”.

Mirëpo kontradiktat e lindura, pavarësisht se në dukje shprehnin shmangie të thjeshta prej doktrinës islame, veprimet e kryera prej kryengritësve flisnin për të kundërtën. Kur i biri i Saudit, prijësit të Arabisë, Abd-El-Azizi kishte pushtuar Mekën, plaçkiti Qabenë dhe prishi të gjithë varret e shenjta, veç atij të Abrahamit. Tre vjet më vonë, Medina ra në duart e vahabitëve. Pushtimi i këtij vendi të shenjtë u shoqërua me plaçkitjet e karvanëve të pelegrinëve. Këto veprime do të passillnin pakësimin e numrit të tyre si vizitorë të vendeve të shenjta, që ndryshe do të thoshte pakësim i numrit të pelegrinëve, ulje të vëllimit të qarkullimit të mallrave, përkatësisht rënie të të ardhurave. Një përfytyrim pak a shumë të saktë mbi çfarë ka ndodhur në atë kohë mund të na japë numri shumë i madh i myslimanëve që shkojnë sot në Mekë në zbatim të porosisë të profetit, sipas së cilës çdo mysliman duhet të shkojë të paktën një herë në jetën e tij për haxhillëk në Mekë.

Prof. A. Xhuvani thotë, se prej vitit 1806 vajtjet e pelegrinëve në Mekë dhe vende të tjera të shenjta u prenë krejt. Vahabitët ishin zotërit e të tanë Arabisë.

Gjatë kësaj krize, M. Aliu ndodhej në një pozitë mjaft të vështirë. Dëshira e tij pati qenë që ai të kishte komandën e të gjitha trupave ushtarake, por Porta e Lartë mendonte të kundërtën. Për të penguar nismat e M. Aliut për organizimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake i hoqën të drejtën e komandës, duke caktuar për këtë qëllim Vezirin e madh, Jusuf Dija Pashën, guvernator i Xhedahut dhe Alepit. Duke analizuar këto manovra, M. Aliu kuptoi gjithçka, prandaj nuk i dha rëndësi anës formale të çështjes. Pavarësisht se komandën e përgjithshme unike e kishte dikush tjetër, në fakt tash e tutje M. Aliu do të ishte zot i operacioneve luftarake. Taktika dhe strategjia që duhej përdorur në këtë luftë do të ishte në duart e tij. “Mbi të gjitha–siç thotë M. Sabry-situata ishte mjaft e favorshme për M. Aliun. Ai duhej të shpejtonte fushatën për në Arabi. Në vendin e tij (Egjipt-V. M. ) ai tashmë kishte situatën nën kontroll, u kishte dhënë fund trazirave, kishte konsoliduar pushtetin dhe të ardhurat qenë rritur. Është viti 1811. Edhe situata e jashtme ishte e favorshme. Lufta e përgjithshme që kishte angazhuar fuqitë evropiane kishte larguar rrezikun e sulmit ndaj Egjiptit” (M. Sabry, “M. Aliu, fq. 16).

Gjatë këtyre betejave, M. Aliut iu ngulit në mendje një parim i rëndësishëm taktik, për të cilin historianët thonë se është një parim origjinal i vetë M. Aliut. Sipas këtij parimi M. Aliu udhëzonte që goditja e parë dhe e fundit duhej të jepej në qendrën kryesore ku armiku kishte shtabin komandues, pra trurin e tij. Sot ushtritë moderne e përkufizojnë me një të thënë paksa ndryshe: “Prerjen sa më shpejt të kokës së gjarprit”.

Për arsye të ndryshme, M. Aliu ia ngarkoi komandën e përgjithshme djalit të madh, Ibrahimit, me talente të shumta të lindura, por edhe të kultivuara në sajë të një edukimi cilësor, veçanërisht në fushën e luftës dhe të administrimit publik. Ibrahimi ishte në një mendje me të atin për të përqendruar goditjen në zemrën e kryengritjes vahabite, Der’xhehun.

Më 6 prill 1818, ushtria egjiptiane doli mbi Der’Xheh, por atje po e priste kreu i vahabitëve, Abdullah Saudi. Ibrahimi, ashtu siç kishte vepruar me qytetet para Der’Xhehut, të cilët kishin rënë njëri pas tjetrit në dorë të tij, do të vepronte edhe me qytetin kryesor të kryengritjes, mbi të cilin do të përdorte taktika të njëjta, si prerje të rrugëve të furnizimeve, rrethime të gjata në kohë dhe bombardime të pareshtura me artileri. Por Ibrahimi nuk i mori me anë të luftës sukseset e arritura në marrjen e qyteteve para Der’Xhehut, qytete mbi të cilat Saudi kishte planifikuar një qëndrese të gjatë dhe të fortë që do të rraskapiste ushtritë egjiptiane në sajë të luftës guerile mbi një sipërfaqe aq të madhe, por si aleat i tyre dhe doli para Saudit me ushtri thuajse të paprekur nga lufta.

“Taktikën e shkëlqyer të Ibrahimit për të përparuar si aleat, jo si pushtues duhej ta kishin zili–thotë M. Sabry-edhe ekspeditat e udhëhequra nga gjeneralë të tjerë si Kamby Krasi e Napoleon Bonaparti të zhvilluara në Skithinë e poshtme, në shkretëtirën siriane apo në dëborërat e Rusisë. Ajo mund të shërbente si model për operacionet ushtarake në Azi, në ato që do të ndërmerreshin në brendësi të kontinentit. . . Qytetet dhe fshatrat duke pare qëndrimin dhe sjelljen e fuqisë, u bashkuan me “çakallin shqiptar”… Kështu duke e futur në kllapë hap pas hapi Nexhin, pa derdhur asnjë pikë gjaku, Ibrahimi siguronte komunikimin me Egjiptin, duke lënë pas vetëm aleatë dhe miq. . .

Rreth fundit të muajit gusht të vitit 1818 ai nisi luftën, një luftë të pamëshirshme, e cila përfundoi me rënien e Der’Xhehut. Abdullah Saudi iu dorëzua Ibrahimit, i cili e dërgoi në Kajro dhe prej andej përfundoi në Stamboll” (M. Sabry: “M. Aliu”, fq 25-26). Në Stamboll – siç thotë prof. A. Xhuvani- iu pre koka në patalog të Shën Sofisë.

Vahabistët ishin mposhtur, por nuk ishin zhdukur; shfaqeshin herë pas here. Dhe turbullirat, pavarësisht rrezikut jo të madh, nuk kishin të sosur. Historianët thonë se vahabitët këtej e tutje nuk do t’i nënshtroheshin një njeriu të vetëm, por doktrina e tyre do të shërbente si mbështetja e vetme ideologjike e pjesëve të Arabisë, të organizuara politikisht dhe administrativisht si konfederata krahinash, të bashkuara nga i njëjti besim fetar. Pra, Arabia mbeti një vatër trazirash, duke përbërë një çështje të pazgjidhur në mënyrë përfundimtare për M. Aliun.

Ndërmarrjet e vështira të M. Aliut i kaluan caqet e Egjiptit. Projekteve të tij për pushtime (Noli i quan të natyrës imperialiste) nuk u kishte ardhur fundi. Mirëpo, prirje të tilla të rrezikshme nuk mund të mos binin ndesh me interesat e fuqive të mëdha të kohës, si Anglisë dhe e Rusisë, më pak të Francës dhe Austro-Hungarisë.

Lufta e tij drejtohej jo vetëm kundër interesave të fuqive të mëdha, por edhe të vetë Turqisë, pjesë e së cilës ishte Egjipti. Për të ulur gjakrat presioni i fuqive binte mbi Sulltanin prej të cilit vinin lëshime të një pas njëshme në dobi të Mehmet Aliut. Nga gjendje të tilla Mehmet Aliu siguroi sundimin e tij mbi Sirinë dhe Palestinën. Vështirësitë mbi Turqinë dhe gjithë Evropën juglindor shtoheshin prej ekspansionit rus, i cili kishte kohë që kishte filluar dhe vijonte jo vetëm në kohën e M. Aliut, por edhe shumë vjet mbas tij. Autorë të ndryshëm, ndër ta edhe Marksi dhe Engelsi kanë trajtuar mëse një herë këtë çështje në shkrimet e tyre, për llogari të gazetave amerikane dhe angleze, si Herald Tribune etj. Në një nga artikujt e tij, Karl Marksi ka botuar shkrimin me titull “Politika Tradicionale e Rusisë” në të cilin thuhet: “Politikanët duke dashur të përligjin politikën tradicionale të Rusisë në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë, synimet e saj për Konstandinopolin, zakonisht i referohen testamentit të Pjetrit të I. Por ata mund të gërmonin edhe më tej. Para më se tetë shekujsh Svjatosllavi, atëherë ende princi i madh pagan i Rusisë, pasi mblodhi bojarët e vet deklaroi se nën sundimin e Rusisë duhet të hyjë jo vetëm Bullgaria, por edhe Perandoria greke në Evropë si dhe Bohemia dhe Hungaria” (Çështja Lindore, fq. 90).

Për të ndërhyrë në punët e brendshme të Evropës juglindore, Rusia shfrytëzonte me mjeshtëri aspektin fetar të popullsisë. Sipas historianëve, 9/10 e popullsisë kanë qenë besimtarë të Kishës të Lindjes, pra ortodoksë, siç janë edhe rusët. Ndërmjet tyre ajo kultivonte idenë e pansllavizmit rus, duke bërë lëshime dhe favore të karakterit lokal për popullsi të veçanta, të cilave u ishte ngjallur edhe atyre oreksi për ekspansion në kurriz të fqinjëve. Duke ditur rëndësinë që kishte arsimi për përpunimin ideologjik të popullit, që në fillimet e sh. XVIII gjenden të dhëna mbi sponsorizime të veçanta prej vitit 1724, për hapjen dhe vijueshmërinë e shkollave greke në Korçë. Prandaj, në Kodikët e Korçës dhe të Selasforit (Pjesa e parë, botim i vitit 1981, fq. 86) thuhet: Fort i larti, fort i urti sundimtar dhe hegjemon i Ungro-Vllahisë(Moldavo-Vallakisë-V. M. ) zoti Nikolla Mavrokordati, me ndërmjetësinë e të lartpërmendurit fort të hirshmit të Ohrit zotit Joasaf dha dhuratë shpirtërore, krisobuli (dekret, urdhëresë-V. M. ) prej sundimtari në këtë mitropoli fort të shenjtë të Korçës dhe të Selasforit 150 groshë për çdo vit, për të ngritur shkollë në gjuhën greke. . . Lëshohet krisobuli prej lartësisë së tij më 15 gusht të vitit shpëtimtar 1724”. Ky fond vijoi të shtohej edhe nga sponsorizues të tjerë.

Dalëngadalë filloi të përvijohej një krizë e re, ajo midis Turqisë dhe grekëve, krizë e cila kulmoi me betejën e Navarinit (porti i sotëm grek në Peloponez ku u ndeshën më 27 tetor të vitit 1827 flotat osmano-egjiptiane nga njëra anë, me flotat e bashkuara të Anglisë, Rusisë dhe Francës nga ana tjetër. ) Kjo mund të quhet beteja më e madhe e të gjitha kohërave ku ka marrë pjesë një komandant shqiptar, i cili ka luftuar kundër ushtrive të bashkuara të tre fuqive më të mëdha të kohës. Pavarësisht humbjes, si pas çdo lufte Mehmet Aliu fillonte ringjalljen. Nga ana tjetër, i biri, Ibrahim Pasha ishte zot në kontinent në Greqinë kontinentale të sotme. Largimi i tij, ashtu si edhe hyrja në atë vend u bë me pritje dhe përcjellje madhështore prej popullit.

Afërsisht në këtë kohë filloi të shkëlqente ylli i Mustafa Pashë Gjiritit. Sipas Wikipedias, ai lindi në Pojan (Korçë) më 1798 dhe vdiq në Stamboll më 1874. Pojanakët e kanë quajtur nip të Mehmet Aliut, por në të vërtetë ka qenë kushëri i parë i tij. Ati i Mehmet Aliut, Ibrahimi, me atin e Mustafa Pashë Gjirititit, Nail Pashën, kanë qenë vëllezër. Në të folurën e popullit ka qenë dhe është diçka e rëndomtë që fëmijët e vegjël ta thërrisnin kushëririn e parë të nënës apo të atit xhaxha apo dajë, dhe për gjininë femërore hallë apo teze. Kështu edhe Ahmet Zogun e kanë quajtur nip të Esat Pashës kur në të vërtetë e ëma e Zogut me Esat Pashën kanë qenë kushërinj të parë.

Nisur nga viti i lindjes i Mustafa Pashës dhe viti 1800 që na bën të njohur Prof. Aleksandër Xhuvani lidhur me përgatitjen dhe nisjen e trupës komanduese nga Pojani për në Egjipt, ai nuk ka qenë më shumë se dy vjeç; mund të jetë marrë nga të vëllezërit bashkë me të ëmën e tyre. Titullin Pasha ai e ka pasur në atë moshë si titull honorifik të trashëguar prej të atit, Nail Pashës. Ndërsa mbiemrin Gjiriti apo Gjiritlliu, kurrsesi nuk mund ta ketë pasur në atë kohë. Profesor Xhuvani e quan me këtë mbiemër për shkak se ai iu bashkëngjit emrit të tij, kur u bë guvernator i Kretës, dhe titullin e Pashait e kishte fituar që në Egjipt. Forma të tilla mbiemrash si Gjiritlliu, Stambolliu, Manastirlliu etj. kur lidheshin me një toponim të caktuar- si në këto raste-, tregonin vendin e lindjes apo të vendit ku kishin qëndruar e të veprave të shquara që kishin kryer në atë vend. Osmanët(sot turqit) me emrin Gjirit kanë quajtur e quajnë Kretën e mbiemri Gjiritlliu tregon personin që është nga Kreta (Gjiriti). Bashkëngjitja e mbiemrit Gjiriti apo Gjiritlliu duhet t’i jetë bashkëngjitur Mustafa Pashës jo më parë se viti 1826, kur mendohet se është emëruar guvernator i Kretës dhe ka qëndruar në këtë post për afër 30 vjet. Duhet përmendur këtu se Gjiriti (Kreta) iu bashkëngjit Greqisë më 1913, mbasi kishte fituar autonominë më 1898.

Janë vitet e gjysmës të parë të sh. XIX, kur emri i Mustafa Pashës u bë i njohur jo vetëm në Egjipt dhe Turqi, në popujt e këtyre vendeve, ndër shqiptarët kudo që ndodheshin, por edhe në vende të tjera të Evropës e më tutje. Kjo në sajë të famës së madhe që i dha emrit të tij mundja dhe shkatërrimi i flotës luftarake ruse në një betejë të ashpër të nisur nga deti, me qëllim pushtimin e Kretës prej tyre. Në këtë betejë, duke mundur rusët, Mustafa Pasha tregoi se ata nuk ishin të pamposhtur dhe me ketë ngriti lart moralin e ushtrisë e të popullit. Kjo ngjarje e pazakontë është përjetësuar në këngët e popullit me vargjet: “Ta ngjiti moskov ta ngjiti, Mustafa Pashë Gjiriti. T’u përgjigj porsi petriti” (Këngë popullore të mbledhura nga Thimi Mitko, botim i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë).

Mustafa Pasha, gjatë të gjitha viteve që qeverisi banorët e Kretës, gëzonte emrin e një sunduesi të rreptë, por të drejtë. Vendi që ai e qeveriste kishte rëndësi strategjike të dorës së parë nga pikëpamja ushtarake. Kreta gjithashtu ishte një pikë shumë e rëndësishme tregtare. Komunikimi me Egjiptin bëhej me lehtësi, por gjendja ekonomike e popullit të Kretës dhe jo vetëm e tij, por në gjithë pjesën evropiane të perandorisë osmane ishte jo vetëm për të qarë hallin, mbi të gjitha ishin territore të pasigurta për jetën dhe pasurinë e njerëzve. Historianët e huaj (francezë) e kanë përshkruar gjendje e këtyre vendeve vetëm me një fjalë: “banditizëm”. Gjithsesi historianët lidhur me Mustafa Pashën nuk kanë harruar të shënojnë se, në çdo vepër të lavdërueshme që kryente Mustafa Pasha, pavarësisht zotësisë dhe karakterit të tij vihej re lehtë mendja e hollë e Mehmet Aliut. Siç kemi thënë më sipër, Mustafa Pasha ka qenë nën edukimin e Mehmet Aliut.

Falë zotësisë së tij, Mustafa Pasha u ngjit në postin më të lartë administrativ të Qeverisë Perandorake, në detyrën e Vezirit të madh. Këtë detyrë ai e kreu në një periudhë të vështirë, sepse marrëdhëniet osmane-ruse rrallë qëllonte që të mos ishin në një krizë të thellë. Detyrën e Vezirit të madh ai e kreu në dy periudha: nga 14 maji i vitit 1853 deri më 29 maj të 1954-rës dhe nga 2 gushti i vitit 1857 deri në 23 tetor 1857. Në këtë post ai zëvendësoi Mustafa Reshid Pashën dhe u zëvendësua po prej tij.

Për Mustafa Pashën, historianët e huaj janë të një mendje për origjinën e tij shqiptare dhe për vendin e tij të lindjes, Pojanin e Korçës. Fuqia e familjes së tij erdhi duke u rritur. Kjo jo vetëm për shkak të zotësisë së tyre, por dhe për disa rrethana të tjera që ndikuan në këtë drejtim. Në atë periudhë roli i një tjetër familje të madhe, e bejlerëve të Plasës pësoi një rënie tragjike. Udhëheqës të familjeve të tjera të shquara të jugut u masakruan në Manastir gjatë vitit 1830. Historianë shqiptarë e kanë shpjeguar këtë tragjedi të jashtëzakonshme me zullumet (korrupsionin, siç thuhet sot). Në të vërtetë duhet të kenë qenë shkaqe të tjera të natyrës politike. Sulltani i kohës, Mahmuti, i cili nuk duhet të ketë qenë aq i shëndoshë nga mëndja, i kishte filluar më parë vrasjet dhe prerjet. Duke goditur Ali Pashë Tepelenën, me rënien e tij fatkeqësitë e shqiptarëve s’kishin të sosur. Më 1826 Sulltani shfarosi jeniçerët, ushtrinë elitë të Osmanëve, në përbërje të së cilës ishin shumë shqiptarë. Më 1830 masakroi në Manastir më se 500 krerë shqiptarë të jugut, për të vijuar spastrimet edhe pas viteve 1840 me të ashtuquajturat reforma të Tanzimatit, që në disa pjesë të Shqipërisë shkaktuan trazira të mëdha me numër të lartë të njerëzve të vrarë dhe me kosto shumë të lartë në shkatërrimin e ekonomisë të vendit.

Mustafa Pashë Gjiriti duhet përmendur edhe për një arsye tjetër. Ai është ndër pronarët e parë që ka ndikuar në lindjen dhe praktikimin e marrëdhënieve kapitaliste në Shqipëri, që kishin të bënin me transferimin e së drejtës të pronësisë mbi tokën. Në familjen e Thimi Cales – sipas prof. Petraq Peppo – ruhej deri vonë kontrata e shitjes së një sipërfaqe të madhe toke në Rrëmbec, fshat ky ngjitur me fshatin Pojan. Toka u ble prej vëllazërisë Halla, të paralindur të Thimaq Cales, të cilët ky i trashëgoi. Pasurinë e tyre e kishin fituar në Egjipt. Kontrata e lidhur me këtë rast është ndoshta e para në Shqipëri, me anën e së cilës vërtetohet fillimi i shthurjes të rendit feudal dhe i lindjes e atij kapitalist. Mustafa Pasha ka lënë pasardhës të tij të vijës së drejtë që ndodhen edhe sot në Shqipëri.

Për Mehmet Aliun mund të thuhet se është shqiptari i parë që shkaktoi krizën e madhe, e cila përmbante një grumbull të madh problemesh, duke marrë një emër të veçantë: “Çështja Lindore”. Si rrjedhojë e saj, ai ia arriti të krijonte shtetin e parë Egjiptian të kohëve moderne. Angazhimi i fuqive të mëdha synonte kryesisht ruajtjen e gjendjes ekzistuese dhe mos rrezikimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjithësesi, nga kjo krizë Mehmet Aliu fitoi të drejtën e krijimit të dinastisë së tij, duke i lënë sulltanittë ruante vetëm një suzeneritet formal, më tepër honosrifik. Për herë të dytë shqiptarët kanë qenë në qendër të një krize tjetër të madhe botërore, në atë të Kosovës, e cila angazhoi shtetet më të fuqishme të Botës për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të tyre njerzore.

Mehmet Aliu kishte pasur aftësinë e mrekullueshme për të kuptuar se, asnjë vend nuk mund të zhvillohet dhe të përparojë me sytë drejtuar nga qielli. Gjendja mentale e popullit në kohën e M. Aliut ka qenë për të vajtuar. Ai e shikonte shpëtimin e vendit të tij nga Evropa lidhja e marrëdhënieve me shtetet e zhvilluara të saj. Mendja e topitur e egjiptianëve u lartësua vetëm në sajë të ndikimit të Mehmet Aliut

Mehmet Aliu asnjëherë nuk e mohoi që ishte shqiptar. Pavarësisht se ai nuk e ka përmendur vendin e vet të origjinës, nuk do të thotë se identifikimi i tij është i pamundur. Për shumë arsye, mendimi im është se vendi i origjinës së tij është Pojani i Korçës. Për ndonjë fshat tjetër nuk kemi lexuar asnjë historian që të tregojë një vend tjetër.

Mbi të gjitha, Mehmet Aliu nuk mund të kritikohet se s’bëri asgjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo nuk është e vërtetë, sepse me dhjetra familje, sidomos nga jugu i Shqipërisë, kryesisht nga Korça kanë ecur përpara jo vetëm nga zotësia e tyre, por edhe nga përkrahja qe u kanë dhënë pasardhësit e Mehmet Aliut. Nga qyteti i Korçës shumë familje vunë pasuri të madhe në Egjipt. Mund të përmendim këtu familjen Marko, familjen Turtulli prej së cilës Thomai u bë njëri prej filantropëve, mirëbërësve më të mëdhenj të vendit. Prej tij gëzojmë një sërë veprash të rëndësishme në qytetin e Korçës. Nga Egjipti doli familja Tashko pjesë e së cilës kanë qenë Koço Tashko, Tefta Tashko, Aleko Tashko e pas tyre Eno Koço dhe vajza e tij, që rrjedhin prej artistes sonë të madhe. Dolën mjekë të shquar si Adhamidh Frashëri, Mihal Turtulli; shkrimtarë e poetë si Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Risto Dine dhe sa e sa të tjerë që punuan për çështjen kombëtare me anë të ngritjes së shoqërive patriotike. Së fundi, pavarësisht kohës kur janë zhvilluar ngjarjet që “skicuan” figura të njerëzve të shquar, ne duhet ta shohim Egjiptin si një vend mik dhe me potenciale për zhvillimin edhe të vendit tonë.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori