Nga: Hasan Nallbani
Prej shumë vitesh, kur kam pasur rastin të udhëtoj jashtë vendit, kam vizituar galeri dhe muzeume shtetërore, por edhe private, nuk kam paguar si vizitor. Në rastet e institucioneve shtetërore më ka shërbyer një karton, që favorizon vizita falas për punonjës dhe ish-punonjës të trashëgimisë kulturore. Ndërsa, në rastet kur më ka munguar kartoni si p.sh, në një ekspozitë me vepra të Van Gogut në Romë, më ka shërbyer një katalog me vepra të miat dhe jam përcjellë me plot mirësjellje si vizitor. Dhe, në çdo rast që kam pasur fatin të shkoj jashtë dhe të frekuentoj ekspozita të artistëve të huaj, provoj një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie edhe për punën time, për faktin që edhe pse nuk jam unë autori i veprave të artistëve që prezantohen, ndiej respektin dhe përkushtimin që tregohet për artin dhe artistët, për jetën dhe veprën e tyre.
Këtë ndjesi ma përcjellin jo vetëm veprat, por në mënyrë të veçantë publiku, radhët e gjata të njerëzve e veçanërisht të moshave të mëdha, që me një përkujdesje e qetësi u drejtohen veprave dhe lexojnë jetën e artistëve. Fatmirësisht, unë shkoj shpesh në Paris, qytet i admirueshëm, por të jem i sinqertë, qytetin thuajse e njoh në mënyrë të mjaftueshme. Unë shkoj me kënaqësi të madhe në Paris për të parë artistë dhe galeri, ku të ndihem që jam krijues, punoj e krijoj dhe unë, 85 vjeç po me entuziazmin dhe energjinë e mjaftueshme.
E bëra këtë histori të shkurtër si parantezë të një ngjarjeje dhe përjetimi të një realiteti krejt të ndryshëm dhe paradoksalisht tronditës, që provova dhe përjetova kur shkova në Galerinë Kombëtare për të parë ekspozitën e Adrian Pacit, një ish-student imi dhe djalë i Ferdinand Pacit, mikut tim të viteve të Akademisë së Arteve. Sigurisht që unë kisha dëshirë të shihja veprat e Adrianit, edhe pse një pjesë të mirë të tyre e kam parë në ndonjë galeri jashtë Shqipërisë. U përballa me një pano (pllakat), ku me shumë vështirësi lexova titullin e ekspozitës për shkak “të novacionit” të ndërtimit të shkronjave, që modelonin titullin e ekspozitës, si edhe një brezi shoqërues në anë të pllakatit, ku vertikalisht renditeshin emrat e artistëve më të njohur bashkëkohorë të arteve pamore në botë. Si dhe pse duhej prezantuar kjo listë dhe domethënien e saj, unë vështirë mund ta kuptoj.
Cili është mesazhi dhe përse kjo listë artistësh nga e gjithë bota në një ekspozitë në Tiranë?
Hyra brenda orarit, sepse në një rast tjetër, kur isha pesë minuta përpara orës dhjetë që hapet galeria, punonjësja nuk më lejoi të hyja. Në sallonin përpara hyrjes, punonjësja e banakut më thërret e më thotë “vizita është me pagesë”. Unë i thashë emrin tim dhe se jam artist. “Jo, më thotë vajza e sportelit, nuk ka përjashtim për askënd”. Unë i them që po hyj pa paguar dhe t’i raportonte drejtorit emrin tim dhe se refuzova të paguaj. Pashë ekspozitën e Pacit dhe i them sportelistes që unë, në fondet e galerisë këtu kam rreth 45 vepra që ruhen dhe është galeria ajo që duhet të më paguajë, jo unë atë.
Kjo ishte ndodhia dhe u largova nga ajo galeri, ku unë me vite e vite kam ekspozuar veprat e mia dhe në mjaft raste jam nderuar me çmime të rëndësishme. Shumë çudi mund të parashikoja, por që të më kërkojnë në galerinë tonë para për të parë veprat e ekspozitës së ish-studentit tim, as që mund ta imagjinoja, në një institucion që ka dhe statusin e Muzeut Kombëtar, ku unë me 45 veprat e mia jam një kontributor i muzeut. Meqë u zgjata pak me këtë paradoks të paimagjinuar, po gjej rastin të sjell në kujtesë edhe një ngjarje tjetër, që më ka ndodhur. Disa muaj apo afërsisht pak kohë mbas ardhjes së drejtorit nga Kosova, shkova nga hyrja e pasme e Galerisë dhe desha të dorëzoj një kërkesë për të ekspozuar veprat e mia në këtë vit jubilar të jetës sime. Por sa bëra tre-katër metra, në parahyrje më del një punonjëse dhe më kërkon të kthehem e të qëndroj jashtë derës, unë dorëzova kërkesën dhe brenda ditës më erdhi përgjigjja që sqaronte se Galeria, në përzgjedhjen dhe prezantimin e artistëve, nuk pranon kërkesa, por siç më sqaronte me pas: bëhet një investigim mbi aktivitetin e artistëve pamorë në vend, u kërkohen projekte dhe mandej stafi përzgjedh e fton atë që konsiderohet me vepra që kanë interes. Iu përgjigja që kjo është një praktikë e drejtë dhe po pres që të bëni investigimin e veprave të mia dhe më pas t’i prezantoj ato në këtë vit, që është jubilar për jetën dhe veprën time.
Ka kaluar një vit e diçka më tepër dhe askush nuk ka marrë mundimin që të bëj këtë “investigim” që praktikon Galeria. Dua të shënoj që në përgjigjen time të fundit i shënova emër, mbiemër, titullin e profesorit dhe gradën e doktorit të shkencave, titullin “Piktor i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”, si edhe “Qytetar nderi i Beratit”. Këto, për të mësuar nëse këtij njeriu, që ndoshta nuk më njeh, do t’i mjaftonin si cv time. E pra, nuk mora asnjë përgjigje, pa harruar që së fundmi hyra “arbitrarisht” në ekspozitën e Pacit.
Në këtë ndodhinë time nuk mund të mos rendis një tjetër paradoks aktual.
Në një sallë hyrëse të Muzeut Historik Kombëtar, që rrallëherë përdoret për ekspozita, pashë veprat e një kolegu dhe personaliteti të artit pamor, skulptorit Perikli Culi. Nuk është rasti për të bërë cv e punës së tij, por unë u befasova nga veprat e tij, që mbushnin sallën e që vështirësisht soditeshin dhe çuditërisht nuk prezantoheshin në institucionin që shteti ka për artistët e vlerave të spikatura dhe moshave me aktivitet te gjatë. Ndodhi, pra, që nuk më ka ndodhur vetëm mua, por që është një politikë e ndërtuar mbi pikëpamje që diskriminojnë artistët shqiptarë, vepra e të cilëve është produkt i punës dhe jetës së tyre.
Unë, si qytetar i thjeshtë i këtij shteti, dua të pyes këtë drejtorin e ri, i cili tashmë po bën dy vjet e diçka më tepër, dhe, siç kam mësuar, gëzon disa trajtime e privilegje nga shteti ynë.
A kanë prezantuar projekte ekspozimi “Flaka” apo një artiste gjermane, si edhe një tjetër artist nga Kosova, që kanë zënë sallat e Galerisë për një vit të tërë? Kur i kanë prezantuar dhe publikuar, pse i ka përzgjedhur si prioritet para artistëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë këtu dhe janë taksapaguesit e rregullt të një institucioni publik, si Galeria e Arteve?
Duhet të mësoj edhe diçka tjetër:
A mund të tregojë drejtori i Galerisë, sa vepra të artistëve shqiptarë janë prekur me ndërhyrje restauruese, të publikojë projektet dhe procedurat që kërkon ligji mbi ndërhyrjet restauruese në vepra që konsiderohen pasuri kombëtare?
A mund të bëjë transparente fondet dhe burimet financiare Galeria e Arteve për realizmin e aktiviteteve të përvitshme:
A ka një program dhe politikë promovuese institucioni dhe cilat janë prioritet?
A ka bordi këshillues i Galerisë ndonjë anëtar e titullar me gradë e titull shkencor?
Cili është kriteri i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit?
A ka Galeria ndonjë program për të ndërtuar një linjë prezantuese historike dhe aktuale dhe kush e realizon atë?
A publikon Galeria ndonjë revistë apo botim të llojit që të ngjallë diskutime dhe provokojë debate mbi veprimtarinë krijuese historike dhe aktuale?
Mbi ç’kritere bëhet përzgjedhja dhe dërgohen artistë në bienale të arteve pamore?
Së fundmi, a njeh institucioni i Galerisë vlerën e titujve dhe gradave vlerësuese, që akordojnë autoritetet e shtetit tonë?
Për një mbyllje të meritueshme me zotin drejtor: A e di rregullin e mirësjelljes dhe edukatës, që kur hyn një artist i vjetër dhe i moshuar në institucionin që ai drejton, i thuhet mirë se vjen, i jepet dora dhe përcillet deri te hyrja e institucionit?
Sa rrojmë dhe do mësojmë çudira në këtë botën tonë të vogël e meskine.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë