LAJMI I FUNDIT:

Piktura e panjohur e Sadik Kacelit dhe veprat tjera të viteve 1930

Piktura e panjohur e Sadik Kacelit dhe veprat tjera të viteve 1930

Njëmbëdhjetë vjet përpara se të vinte komunizmi në Shqipëri, qeveria e asaj kohe dhe intelektualët shqiptarë përpiqeshin me një entuziazëm të theksuar që të hidhnin themelet e një Akademie të Lartë Arteve të Bukura. Nga Gazeta “Minevra” (shkencore dhe letrare), Nr.12-13, korrik -gusht 1933, në faqet 18 e 19 të saj, zbulohen disa të dhëna interesante sesi janë hedhur themelet e arteve pamore në Shqipëri.

Idetë vinin të frymëzuara nga talentet e rrallë të kohës, që po shfaqeshin në vendin tonë, por edhe që ishin të vlerësuara nga akademitë më të mira italiane dhe mjeshtrit e artit italian. Një nga këta ishte edhe Odhise Paskali, i cili zihet në gojë si skulptori “fin” i kohës dhe si mjeshtër i skulpturave të bronzit.

Sadik Kaceli, një piktor që bëri emër në artin shqiptar, jo vetëm në vitet ’30, por edhe gjatë periudhës së komunizmit, në moshë shumë të re shfaqet befasues me një vepër të mrekullueshme në faqet e kësaj reviste. Në kopertinën e faqes “Minerva” është botuar një pikturë e një malësori me autor Sadik Kacelin, kur ishte nxënës në Shkollën e Vizatimit të Tiranës, që drejtohej nga piktori italian Mario Ridola. Piktura shquhet për përsosmërinë e kompozimit dhe përpunimin e veçantë të ngjyrave, që edhe pse me tone të ndezura krijojnë harmoni e elegancë në portretin e këtij malësori të ri. I veshur me kostum kombëtar, pozon me një pamje paqësore e të dashur, edhe pse mban përbri vetes një pushkë. Të gjitha punimet e nxënësve të Shkollës së Vizatimit të Tiranës, të botuara në gazetën “Minerva” flasin për talente që shfaqen fuqishëm në atë kohë, dhe dihet që më pas këta autorë të përmendur lanë gjurmë si themeltar të një arti të ndritur shqiptar.


Gazeta “Minerva”, e drejtuar nga Nebil Çika (i pushkatuar nga komunistët menjëherë pas marrjes së pushtetit ) me administratore bashkëshorten e tij, Ikbale Çika, na zbulon edhe vepra të autorëve të tjerë shqiptarë. Ata shfaqen mjaft të talentuar, e që sot padrejtësisht mbeten të harruar, siç janë F. Makoçi e Lazari, që i përmend autori i shkrimit me inicialet N.V në këtë gazetë. Ky art piktorik e skulptural me fillesa shpërthyese, sipas autorit të këtij shkrimi ka qenë tema e ditës. Në faqet e “Minervas” shkruhet ndër të tjera, jo vetëm domosdoshmëria e specializimit të mëtejshëm të talenteve që po bënin bujë, por edhe ngritja e një Akademie të Arteve të Bukura në vendin tonë. Ishin këta studentë e këta profesorë të Shkollës së Vizatimit të Tiranës që e vijuan ëndrrën artistike të brezit të viteve ’30 duke ngritur më pas jo vetëm themelet e Akademisë së Arteve, por edhe i dhanë një emër të ndritur, pavarësisht censurës e pengesave ideologjike. Ja si paraqitet zhvillimi i artit shqiptar dhe kërkesat e kohës për zhvillimin e tij në gazetën më të madhe kulturore dhe shkencore në vitin 1933.

***

“AKADEMIJA E JONE E ARTHME E ARTEVE TE BUKURE”

Nga Gazeta “Minevra” (shkencore dhe letrare) NR.12-13. Korrik -Gusht 1933. Faqe 18-19

Në numrin 9 të Minervë-s, duke bërë fjalë nga Shkolla e Vizatimit të Tiranës, të cilin e quanim një djep i jetës artistike në Shqipëri s’kishin botuar reproduksionet e disa veprave të nxënësve. Sot po botojmë edhe 6 reproduksione: 2 vepra vizatim, 2 vepra pikture dhe 2 vepra skulpture, të bëra prej nxënësve të Shkollës së Vizatimit, e drejtuar prej artistit italjan Z. Ridola. Vini re këtyre veprave e do të shihni se kemi plotësisht të drejtë që këtë shkollë t’a quajmë Akademia e Arteve të Bukurë. Kjo shkollë po rrit artiste shqiptarë, dhe mu n’vëndin t’anë, e me fare pak spenzime. Është diçka me shumë rëndësi kjo, po t’a mendojë punën pakës thell njeriu. Kemi, që sot, katër djem shqiptari që tregojnë një aftësi serioze dhe një talent për t’u vënë re në punën e arteve të bukurë. Këta janë Z.Z. Kaceli e Strazirniri, për vizatim e pikturë dhe Lazari e Makoçi për skulpturë. Vini re reproduksioneve të dy veprave të vizatimit. Këto janë bërë sipas modeleve nga alçija e me relief. Janë pikërisht si origjinalet, me hije të dhënura mirë. Pikturat janë bërë pas modeleve me mish e me shpirt. Fytyrat kanë nga një ekspression, ngjyrat janë të kombinuara mirë. Gjithashtu skultupturat, të bëra pas modeleve të gjallë, kanë nga një ekspression të mjaftë. Plaku, me tespiqe në dorë, ka disi ekspressionin e një njeriu trist e që, me gjithë këtë, duket se sikur përpiqet të ngushëllohet duke iu përulur fatalitetit. Djali, ka në fytyrë një ku e di unë, që të kujton djemt e rritur pa ndier dashurin’ e ëmbël të shtëpisë, e që prej këtij fakti s’kanë një fytyrë që qesh. Janë diçka vepra të këtilla për nxënësit e një shkolle e cila ka vetëm dy vjet që funksionon. Por të mos harojmë se vjetin e parë shkolla s’u ka mësuar nxënësve veçse vizatim.

Shkolla që e mbaroi vjetin e dytë të saj në 15 të këtij muaji, kur do të çilet përsëri në shtator, do t’u mësojë nxënësve dhe mësimet që u përkasin arteve të bukurë, si për shëmbëll anatomi etj., në më-nyrë që t’i mjaftojë vet-vetes për të rriturit e artistëve në vëndin t’ one. Një a dy nxënës, pastaj, mund të dërgohen jashtë për t’u perfeksionuar vetëm. Domethënë mund të dërgohet passi të jenë formuar këtu në vend e passi të jenë në shkallë që të quhen artist me.

Shkolla, nuk di a e kemi thënë edhe më parë, është nënë sundimin e Komitetit Artistik t’ Entit Kombëtar komitet që kryesohet prej Z-it Ekrem Libohova, ministër’ i Oborrit Mbretnor, i cili, pa dyshim është një intelektual i ndri-çuar dhe zotëron guston e arteve, dhe nënë patronazhin e N. S. Princeshës Ruhije Zogu, e cila ka treguar gjithnjë një interesim të gjallë për punimet e kësaj shkolle dhe e ka vizituar gjithnjë, kur ndodhej në Shqipëri, para se të dalë jashtë, ka nj’ a tetë muaj, duke çfaqur gjithnjë dëshirën e zjarrtë për përparimin shkollës e duke i dhënë tërë përkrahjen e Saj për këtë qëllim.

Drejtimi i Shkollës, siç e kemi thënë edhe më parë, i është besuar artistit italjan Z. Ridola, Zotësinë, zellin e flaktë, energjinë dhe bon sens-in e tij e kemi relatuar në numrin 9 të Minervës dhe ndjehemi të gëzuar t’a përsërisin. Z. Ridola pa asnjë dyshime kryen me passion misjonin e tij fisnik. Dhe pasioni i tij është një pasion artisti e ngacmohet edhe ca më tepër përpara zotësis’ e talentit q’ay konstaton se nuk i mungon n’ asnjë mënyrë shqiptarit. Ay ka bindje të plotë se kjo Shkolla e tij sot bërthama e jetës artistike në Shqipëri, do të lartësohet brënda pak vjetëve në shkallën e një akademije që, si ç’e shënuam me sipër, do të jetë plotësisht mjaftë për të rritur artistë shqiptarë e për t’u bërë faktori i zhvillimit dhe i përhapjes së gustos s’Arteve në Shqipëri. Po vepra e Zotit Ridola duhet të ndihmohet edhe me një mënyrë tjatër effikase, duke u vënë, pa vonesë, edhe themelet e një përhapjeje pratike të shijës s’ Arteve të Bukurë, dhe zakoni i posedimit te tyre, makari në rangjet e një elite hë-për-hë.

Të më jepet leje të hap një kllapë këtu:

Një ditë kisha shkuar n’ Elbasan dhe pata gëzimin të vizitoj në shtëpin’ e tij një mik, q’ është i pasur, fisnik e i hollë nga shpirti, i rritur shumë mirë, me një fjalë një Zotni i mbaruar. Kështu salloni i tij, i shtruar me mobilje e me halli të mira dëshmonte me një herë guston e të zotit. ‘syt më Tërheqëshin herë pas here prej plaçkave të sallonit, por ndjenja errtas se .. ky sallon i bukur e i rëndë kishte një të metë. ,Ç’i mungon vallë? … , mendonja thuaj se pak i dalldisur, kur syt më vanë në tryezën e mesit, mbi të cilën qëndronin dy vogëlina (stoli të vogëla, bibetot), dy shtazë prej çinije, të cilat sigurisht nuk ishin gjëra të shtrënjta. Atëherë kuptova me një herë dhe i hodha syt në katër anët e Sallonit: asnjë vepër artistike nuk e stoliste këtë sallon të bukur. Natyrisht nuk i thash gje mikut t’im por me të këthyer në Tiranë shkova tek Odhisë Paskali – i cili, me gjithë që artist i hollë, është në chomage – dhe i thash që të bëjë me një herë dy bronze të vogëla e t’a dërgoj në Elbasan. Njëra nga bronzat, Mirësija, që fyturon një zonjë që ka vënë krahun, duke u-ulur pakëz e plotë dashuri e plot proteksion, mbi supën e një vajze të vogël, për veç që do të përkdhelë syt e mysafirit të mikut t’ im, do të formojë edhe një shkak Zotërisë së tij që të krenohet edhe me mbrojtjen artit shqiptar.

Gati në nëndëdhjet-e-tetë të salloneve shqiptare nuk shohëm një pikturë, sidomos vepër shqiptari, të varur ne mur, ose një bronzë të vendosur mbi ndonjë tryezë a etazher. Nuk e ka bërë zakon vëndi. E pa u formuar ky zakon, padyshim nuk mund të përparojë arti si ç’lypset. Pra, është nevojë që të fillojmë nga puna me krijimin e një Klubi të Miqve t’ Arteve, në të cilën të marrin pjesë të tërë njerëzit e shquarë të Tiranës, duke dhënë ndihmën vjetore të tyre.

Ky klub do të dijë pastaj t’ organizojë edhe propagandën e arteve e të përhapë shijen dhe zakonin e posedimit të veprave artistike. Këtë inisjativë e pat marrë dikur shoqërija Miqt e Artit. Po kjo shoqëri dështoj më, passi, në fillim, tregoj një ekzistencë. Një nisjativë e marrë prej Komitetit Artistik dhe duke shënuar si ekzekutor Z-in Ridola, i cili është një artist që ka marrë piesë n’ ekspozitat e përbotëshme të Buenos Ajresit, Anversës dhe Parisit dhe ka fituar medalje e honorofikime, Jemi të si-gurtë se do të mundëte të na- pajisë me një Klub të Miqve t’ Artit. (sic.) /Shqiptarja/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori