LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Kosovës miratoi emërimin e anëtarëve të KSHC-së

Kuvendi i Kosovës miratoi emërimin e anëtarëve të KSHC-së

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 76 vota për, 2 kundër si dhe 3 abstenime miratoi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi në fjalën e tij gjatë seancës së Kuvendit tha se në përbërje të KSHC do të jenë tre anëtarë ndërkombëtarë si dhe tre anëtarë vendor me mandat pesëvjeçarë, dhe tre anëtarë vendor me mandat tre vjeçar.


Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ditë më parë ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit shtetëror të cilësisë (KSHC) të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA-së).

Anëtarët e propozuar për Këshillin e Cilësisë të AKA-së nga Qeveria për ratifikim në Kuvendin e Kosovës janë Vjollca Krasniqi, Arta Jakupi, Gazmend Luboteni, Xhavit Rexha, Rozafa Koliqi-Lila, Magdalena Ziolo, Herbert K. Amato, Dukagjin Zeka dhe Jeffrey Butel.

Ndryshe, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta trajtojë me urgjencë emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë duke rikujtuar se më 19 prill Asambleja e Përgjithshme e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) do ta shqyrtojë rastin e Kosovës, statusi i së cilës është propozuar të zbritet nga “anëtar” në “anëtar nën shqyrtim”. /Telegrafi/