LAJMI I FUNDIT:

Supremja pritet që sot të përfundojë shqyrtimin e ankesave lidhur me zgjedhjet

Supremja pritet që sot të përfundojë shqyrtimin e ankesave lidhur me zgjedhjet

Në Gjykatën Supreme janë dorëzuar pesë ankesa lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit, gjë që ka bërë edhe shtyrjen e afatit të certifikimit të këtyre rezultateve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se varet nga Gjykata Supreme se kur do të përfundojë shqyrtimin e këtyre ankesave dhe të japë vendimin e saj, kur pastaj KQZ do të bëjë edhe përfundimisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka i ka thënë Telegrafit se kjo gjykatë pritet që sot brenda ditës të përfundoj me shqyrtimin e këtyre ankesave.


“Ekzistojnë afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave por pritet që brenda ditës sot veç me përfundua”, ka thënë Uka.

Pesë ankesat e pranuara në Gjykatën Supreme nga subjektet politike janë:

Jollxhi Shala, nga subjekti politik Kosovaki Nevi Romani Partia ( KNRP) – ankese kundër vendimit PZAP lidhur me formularët e përputhjes për subjektin tjetër politik Partine Rome të Bashkuar (PREBK). Partia KNRP i propozon Gjykatës Supreme që “t’ia anulojë votat inekzistente subjektit PREBK”.

Vehbi Imeri, kandidat për deputet i koalicionit LDK-AKR –Alternativa – ankesë e pjesshme ndaj vendimit të PZAP për rinumërim të votave. (Vehbi Imeri kërkon që në rinumërim të votave të përfshihen edhe tri komuna tjera, të cilat nuk janë përfshirë).

Myzejene Selmani, nga AKR – ankesë kundër vendimit të PZAP për rinumërim të të gjitha votave të saj.

Slavko Simic nga Lista Serbe – ankese kundër vendimit të PZAP për përfshirje në Qendrën e Regjistrit Civil të personave të cilët kanë votuar me kusht në tri komuna të veriut të Mitrovicës, të cilët kanë votuar me dokumente të Republikës së Serbisë.

Besnik Krasniqi, Fadil Aliu, Nuredin Ibishi nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa – ankesë kundër vendimit të PZAP, për rinumërim të votave./Telegrafi /